GJIROKASTER- Vasil Kati shërbeu si Ministër i Tregtisë së Jashtme në vitet '60 dhe më pas si Zëvendësministër i Tregtisë . Mirëpo, përpjekjet e tij për përsosjen e tregtisë dhe çeljen e tregjeve të huaja u cilësuan nga regjimi komunist si “sabotim i ekonomisë” dhe “shfaqje të huaja”.
Në ceremoninë e organizuar në sheshin e fshatit Labovë e Kryqit, aty ku u vendos busti i Vasil Katit, e bija Pranvera, kujtoi mes emocioneve vuajtjet e familjes në internim.
Vendosja e bustit në sheshin e fshatit konsiderohet nga komuniteti si vlerësim i merituar prej kohësh, duke rikthyer përfundimisht në Labovë të Kryqit kujtimin e birit të saj. Figura e tij mbetet shembull i ndershmërisë dhe qëndresës përballë regjimit komunist.
Në mesvitet ’70, Vasil Kati u godit si pjesë e të ashtuquajturit “grupi i ekonomistëve”, ku u akuzua për "sabotim" dhe “tradhti” ndaj idealeve komuniste së bashku me Abdyl Këllezin e Kiço Ngjelën. Në tetor të vitit 1975, kur mbante postin e Zëvendësministrit të Tregtisë, ai u arrestua dhe më pas u dënua nga Gjykata e Lartë me 20 vjet burgim. Po në vitin 1975, familja e tij u internua menjëherë në Ndërnenas të Fierit.
Pasi vuajti më tepër se 14 vite burgim, në burgjet dhe kampet e punës së detyruar në Ballsh, Spaç, etc. Vasil Kati u lirua nga burgu në vitin 1990, në prag të rënies së regjimit. Në vitet e demokracisë, botoi librin "Në valët e jetës", përpara se të ndërronte jetë në vitin 2002, në moshën 82-vjeçare.









Komente
Komento