Biznesmeni libanez me pasaportë amerikane u dhunua nga disa persona me të cilët kishte një konflikt prone (tek Gjiri i Lalzit), ku ai pritej te investonte, çështje për të cilën Gjykata i dha të drejtë Mitrit.
Faad Mitri la spitalin e Traumës ku qëndronte i shtruar prej disa ditësh dhe së bashku me familjen iu drejtua pasditen e sotme aeroportit të Rinasit duke u larguar me charter në Katar.
Shqiptarja.com ka siguruar fotot e biznesmenit libanez duke u larguar me barelë nga Shqipëria.
(Biznesmeni Faad Mitri largohet nga Shqipëria me çarter )
IKIN INVESTITORET E OMNIX ALBANIA
Pak para largimit te biznesmenit, largimin e deklaroi dhe kompania ku ai bente pjese. Shkak ka qene dhuna e ushtruar ndaj biznesmenit libanez, Faad Mitri në autostradën Tiranë-Durrës e cila ka bërë që kompania e ndërtimit Omnix Albania, të cilën ai përfaqëson, të tërhiqet nga investimi në Gjirin e Lalëzit.
Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, përfaqësuesit e kësaj kompanie kanë vendosur të largohen nga Shqipëria. Omnix Albania do ndërtonte një kompleks turistik në Gjirin e Lalëzit me vlerë 450 milionë euro, por presionet dhe dhuna e ushtruar 2 javë më parë ndaj biznesmenit libanezo-amerikan, Mitri, kanë bërë që kompania të marrë vendimin ekstrem duke u largua nga Shqipëria.
"Ky akt i rëndë kriminal ja ka dalë që të rrënojë përpjekjet e Omnix Albania përgjatë këtyre viteve të fundit për ndërtimin e një kompleksi turistik prej 450 milion USD në Gjirin e Lalzit. Duke filluar nga sot Omnix Albania tërhiqet nga çdo investim në Republikën e Shqipërisë", thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat nga Omnix Albania.
Faad Mitri u dhunua fizikisht më 10 shtator të këtij viti, teksa ishte duke udhëtuar me makinë në autostradën Tiranë-Durrës. Për këtë rast, policia ka arrestuar një 26 vjeçar nga Sukthi, ndërsa shkak i dhunës dyshohet pikërisht konflikti për pronën ne Gjirin e Lalëzit ku biznesmeni do të ndërtonte një kompleks turistik.
( Biznesmeni Faad Mitri në spitali pasi u sulmua )
Deklarata e OMNIX Albania, ku njofton largimin nga Shqipëria
Sulmi barbar i datës 10 shtator kundër Z. Fadi Mitri dhe familjes së tij na ka hidhëruar dhe trishtuar pa masë.
Ky akt i rëndë kriminal ja ka dalë që të rrënojë përpjekjet e Omnix Albania përgjatë këtyre viteve të fundit për ndërtimin e një kompleksi turistik prej 450 milion USD në Gjirin e Lalzit.
Ky projekt turistik konsistonte në ndërtimin e një hoteli me 5 yje, 370 dhoma suita, me të gjithë elementët e tjerë të një standardi më të lartë, ambiente për shitje dhe dhënie me qira, aquapark, dyqane, bulevard, bare, restorante, etj.
Ky projekt gjigant synonte që të hapte rreth 1200 vende pune deri në vitin 2018, si dhe do t’i jepte Shqipërisë pamjen e një vendi si destinacion turistik numër 1 në Adriatik dhe Ballkan.
Me këtë investim Omnix Albania do të kontribuonte direkt në rritjen ekonomike të Shqipërisë. Si konkluzion Omnix Albania dënon ashpër këtë ngjarje të rëndë kriminale, e cila sjell indinjatë për çdo shqiptar.
Duke filluar nga sot Omnix Albania tërhiqet nga çdo investim në Republikën e Shqipërisë. Falenderojmë qeverinë e Shqipërisë për kujdesin ndaj familjes së zotit Fadi Mitri në këtë moment të vështirë për ta.
I jemi mirënjohës të gjithë atyre miqve, shumica shqiptarë, të cilët kanë qëndruar pranë dhe kanë mbështetur familjen e zotit Fadi Mitri në këto ditë.
Jamal Abu Issa, drejtues i OMNIX Group