Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë "Arrest në burg" për Mario Çelën, vëllanë e Suel Çelës.
Mario Çela u ekstradua mbrëmjen e djeshme nga Belgjika.
Ai u arrestua disa kohë më parë në kuadër të operacionit të SPAK, i cili lëshoi asokohe 21 urdhër-arreste.
Policia e Shtetit, përmes një reagimi zyrtar, deklaroi se Mario Çela u ekstradua në kuadër të operacionit policor të koduar “The Wanted”.
Ekstradimi u finalizua nga bashkëpunimi mes Interpol Tiranës dhe homologëve në Belgjikë.
Çela ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për disa vepra penale, “Vrasja me paramendim”, ”Organizata kriminale”, ”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe ”Korrupsioni aktiv ne sektorin privat".
SPAK bëri me dije atëherë në njoftimin zyrtar se Mario Çela është përgjegjës për menaxhimin dhe koordinimin e aktiviteteve kriminale, përfshirë vrasjet, trafikimin ndërkombëtar të drogës, kryerjen e veprimeve korruptive dhe organizimin e skemave të pastrimit të parave.
Nga hetimet, SPAK ka dokumentuar se organizata e Suel Çelës kanë tentuar të trafikojë sasi të mëdha kokainë nga Amerikan Latine drejt Evropës.
Sipas SPAK, ka patur tentativa për trafikimin e afërsisht 930 kg të lëndës narkotike, lloji kokainë nga Ekuadori në Europë, në dhjetor 2020. Po ashtu, është tentuar trafikimin e 466 kilogramë të lëndës narkotike, lloji kokainë nga Ekuadori në Holandë, në janar 2021.
Komente










