Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë “Arrest në burg” për Kevin Margjonin, i cili u ekstradua dje nga Spanja drejt Shqipërisë.
49-vjeçari ishte shpallur në kërkim për çështjen e laboratorit të kokainës në Frakull të Madhe, në Fier, ku në vitin 2022 u sekuestruan 485 kilogramë kokainë, të fshehura në thasë me pleh kimik.
Sipas Policisë, ai dyshohet se ishte një prej financuesve dhe negociatorëve të grupit kriminal që organizoi trafikimin e drogës.
Në mars të vitit 2026, Gjykata e Posaçme caktoi për Margjonin masën e sigurisë “Arrest në burg” për trafikim narkotikësh në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe vepra të tjera penale të lidhura me aktivitetin e organizatës.
Ngjarja që çoi në zbulimin e kësaj sasie të madhe droge daton më 24 nëntor 2022, kur një operacion i përbashkët i SPAK, Policisë së Shtetit, DEA-s amerikane dhe autoriteteve malazeze zbuloi një laborator për përpunimin e kokainës në Frakull të Madhe, Fier.
Lënda narkotike kishte ardhur nga Kolumbia, e fshehur në një ngarkesë me pleh organik artificial, e cila kishte kaluar përmes portit të Pireut në Greqi dhe më pas atij të Tivarit në Mal të Zi, përpara se të transportohej drejt Shqipërisë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë









Komente
Komento