LIBRAZHD, 23 Maj /ATSH/ N. Lena - Sot në një ceremoni zyrtare në prani të Ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, Drejtorit të Përgjithshëm të Zonave të Mbrojtura Zamir Dedej, të Drejtorit të Zonave të Mbrojtura të Qarkut të Elbasanit, Fatmir Brazhda si dhe të pjesëmarrësve të tjerë nga pushteti lokal dhe specialistëve të kujdesit pyjor, u festua 7 vjetori i themelimit të Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë.
Në sheshin mbi liqenin e Studnës, ishin të pranishëm shumë banorë të zonës dhe të ftuar që vinin nga qytetet Elbasan dhe Librazhd.
Në fjalën e tij të hapjes së festimit, ministri Cani u premtoj banorëve të zonës përfundimin e rrugës së nisur brenda një afati të shkurtër kohor që nuk do të kapi stinën e shirave të vjeshtës.
Kjo rrugë do të lidh këtë zonë me Qytetin e Librazhdit dhe do të bëjë të mundur eksportimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale të fshatrave në këtë krahinë. Ndërsa Zamir Dedej u ndal te resurset që sjellin zonat e mbrojtura dhe kjo zonë në veçanti. Ai theksoi se këtu gjenden mjaft resurse të çmuara natyrore dhe njerëzore që duhen shfrytëzuar në dobi të komunitetit.
Dedej u ndal në rëndësinë që marin pyjet e kësaj zone dhe dobia e tyre ekonomike. Ndërsa Fatmir Brazhda si pjesëtar i komunitetit, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe të menaxhimit të burimeve natyrore të zonës.
Fermerë dhe blegtorë të zonëa, në një panair të improvizuar reklamuan prodhimet e tyre dhe bënë shitjet e para të sezonit. Kjo krahinë e thellë në zemër të Shqipërisë, mbart resurse të mëdha turistike dhe ekologike. Me një largësi jo më shumë se 1 orë nga Elbasani, në këtë hapësirë natyrore të papërdorur, mund të kalosh një fundjavë me familjen apo shoqërinë./m.m/