Dy persona janë mbytur në det brenda 24 orëve në Durrës.
Herët në mëngjes u gjet trupi i pajetë i 31-vjeçarit Doland Molla, nga Skrapari, i cili u zhduk ditën e djeshme në plazhin e Currilave në Durrës. Ashtu siç edhe dyshonte policia ditën e djeshme, 31-vjeçari është gjetur i mbytur në det.
Kanë qenë shokët e tij të cilët kanë njoftuar fillimisht rojën bregdetare për zhdukjen e të riut. Sipas rojeve disa të rinj kishin njoftuar se pasi ishin futur në det për tu larë me të, Doland Molla nuk u pa më.
Kjo ngriti dyshimet se i riu ishte mbytur dhe policia njoftoi edhe rojet kufitare për të kërkuar në det të riun. Në dispozicion u vunë disa punonjës të policisë kufitare dhe të policisë së Shtetit të cilët me ndihmën e mjeteve lundruese bënë të mundur gjetjen e trupit të pajetë të 31-vjeçarit.
Ndërkohë më pas, rreth orës 09:30, u gjet i pajetë trupi i 75 vjeçari me inicialet G.H, banues në Tiranë. Ai u gjet i mbytur në bregdetin e Kavalishencës së Ministrisë së Brendshme në zonën e "Plepave" në Durrës, ndërsa sipas policisë, dyshohet se ka pësuar arrest kardiak.
Kujtojmë se ditën e djeshme është zhdukur edhe një 18-vjeçar tek Rana e Hedhun në Shëngjin. Polumbarët e Forcave Speciale dhe familjarët kanë nisur kërkimet për të riun por ende nuk e kanë gjetur.