BULQIZE-Ndërron jetë biznesmeni i kromit Murat Duriçi. 53-vjeçari u përplas mbrëmjen e sotme rreth orës 21:00 nga shoferi i një furgoni, Mentor Çeku 45-vjeç që ishte i dehur në timon, pasi sapo ishte larguar nga një lokal ku kishte konsumuar alkool.

Burime për Shqiptarja.com pohojnë se biznesmeni i kromit në zonën D në Bulqizë kohët e fundit lëvizte në këmbë për të rënë nga pesha, pasi mjekët e kishin këshilluar që të bënte vrap. Nga vendi ku është gjetur i pajetë në kanal deri në shtëpinë e tij, që është në fshatin Vajkal distanca është rreth 30 minuta në këmbë. 

Shoferi sipas policisë e ka marrë përpara duke e përplasur me furgon në një pjesë rruge ku nuk ka ndriçim dhe më pas braktisi makinën tip Ford duke u larguar, por arratia ka zgjatur vetëm pak minuta, pasi u arrestua. Biznesmeni u gjet në kanal nga kalimtarë të rastit mes qytetit të ri dhe të vjetrit, që është rreth 3 km. 

Duriçi u gjet në kanal me shenja jete nga kalimtarët e rastit dhe u dërgua për ndihmë të parë në spitalin e Bulqizës. Më pas duke parë gjendjen e rëndë në të cilën ndodhej, 53-vjeçari u nis për në spitalin e Traumës për ndihmë më të specializuar, por rrugës për në Tiranë ndërroi jetë. Shqiptarja.com ka siguruar foton e biznesmenit që ndërroi jetën mbrëmjen e sotme. Policia arrestoi shoferin e dehur dhe sekuestroi furgoni. Në pjesën e rrugës ku është gjetur në kanal Duriçi nuk ka kamera sigurie.

Biznesmeni  Murat Duriçi