Çizmet e shkurtra. Xhinset. Xhaketa e hollë prej lëkure, e konsumuar. Të vendosur anash zyrave që s’janë rinovuar kurrë, ku nën dritat e zbehta sheh karrige të thyera e tryeza bosh, policët maqedonas, më shumë se targat dhe dokumentet e identitetit, shohin bagazhet e makinave. I kontrollojnë me dritën e celularëve. I hapin njëri pas tjetrit. Ndaj radha ecën ngadalë dhe pritja zgjat. Kur bie nata dhe malet përreth e bëjnë errësirën edhe më të thellë, të duket sikur je ende pak në ato vite, në vitet ’70 e ’80. Një atmosferë spiunësh e kundërspiunësh, hijesh të gjata dhe gjuhësh të pakuptueshme, me vendasit që ose nuk e dinë anglishten, ose nuk duan ta flasin. Me një fjalë, Lufta e Ftohtë, përpara se të shpërbëhej mëma Jugosllavi dhe të nisnin lëvizjet për pavarësi.

Vijmë nga Kosova, ku lojërat e fatit janë të ndaluara. Këtu mjaftojnë disa qindra metra pas doganës dhe tabela vezulluese e kazinosë «Luxor» të njofton se ke mbërritur te ndërtesa e parë në Maqedoninë e Veriut. Në rrethrrotullim, po të vazhdosh drejt, shkon në kryeqytet, në Shkup. Po të kthesh djathtas, hyn në parkingun e kazinosë me makinat e lojërave të fatit. Të gjithë kthehen djathtas. Rruga për në Shkup është e dëmtuar, copat e asfaltit kërcejnë andej-këndej. Pastaj shfaqet qyteti dhe, teksa përshkon bulevardet e gjera e të gjata, të duket sikur je në Torino. Në Shkup, ato ishin një domosdoshmëri urbanistike pas tërmetit të vitit 1963. Tri të katërtat e ndërtesave ishin shembur, kishte rrënoja kudo dhe rrugëve u duhej hapësirë e rregull.

Qytet i brishtë e i përndjekur, ky Shkup, bizantin e osman, shumë i bukur. Maqedonia e Veriut ka dy milionë banorë, 600 mijë prej tyre në kryeqytet, që i jep shtysë gjithë vendit. Por për të kuptuar si kryeqytetin, ashtu edhe vendin, duhet të udhëtosh tri çerek ore drejt perëndimit, në Tetovë. Atje ndodhet BIRC-u, Instituti Ballkanik për Media dhe Demokraci. Duhet të dëgjosh presidentin e tij, Xhelal Nezirin, një njeri i guximshëm, me ndershmëri të palëkundur. «Çdo shtet ka mafien e vet, por te ne shpesh krijohet përshtypja se është mafia ajo që ka një shtet.»

Me fjalën mafie këtu nënkuptohet narkotrafiku. Dhe kur flitet për narkotrafikun, bëhet fjalë para së gjithash për klanin e Sarajit, një zonë periferike e Shkupit e përbërë nga fshatra fare të vegjël. Atje sundon një traditë e hershme kriminale, me aftësinë për të rezistuar, për t’u ripërtërirë dhe për t’u mbijetuar arrestimeve e hetimeve, sikur kjo sëmundje të ishte bërë tashmë e pamundur për t’u çrrënjosur.

Tamam si në fshatrat e vegjël të ’Ndranghetës.

Bosi i klanit, ai që i tremben më shumë, është 49-vjeçari Sheval Muaremi. Mbi kokën e tij rëndojnë urdhërarreste për vrasje, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafikim të tonelatave me kokainë. Prej dy vitesh jeton në Dubai. Madje krenohet me këtë dhe e tregon vetë në rrjetet sociale se ndodhet në tokën arabe. Këmbëngulja kokëfortë e Emirateve për të refuzuar marrëveshjet dypalëshe, duke penguar kështu në praktikë ekstradimet, i lejon Muaremit të jetojë atje i qetë e i lumtur. Dhe t’i drejtojë nga larg bizneset fitimprurëse.

Kështu vepron vazhdimisht edhe një tjetër tip i rrezikshëm, me origjinë shqiptare, të cilin hetuesit e disa vendeve, duke nisur nga Italia, e konsiderojnë jashtëzakonisht të rrezikshëm. Eneo Carka, 44 vjeç, njihet me disa nofka, mes tyre edhe “Napoleoni”. Ai zakonisht komunikon me mjete tejet të sofistikuara, që kufizojnë mundësitë e përgjimit. Hetuesit e kanë lidhur me kalimin e sasive të mëdha të kokainës në Belgjikë, në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Liguria, konkretisht në La Spezia.

Napoleoni flet shqip, anglisht, italisht dhe spanjisht. Në Milano, siç ka vënë në dukje Drejtoria e Qarkut për Antimafien, ai mbështetet te një bashkatdhetar 46-vjeçar, me banim në rrugën Chiarelli, në lagjen Gallaratese. Carka është përfshirë si në mbërritjen e “ngarkesave me kokainë”, ashtu edhe në kryerjen e pagesave për të njëjtën drogë. Një pjesë e brezit të vjetër të ’Ndranghetës e urren. Edhe bosi i bosëve, Rocco Morabito, e ka shprehur bezdinë ndaj klaneve shqiptare në biseda me bashkëpunëtorët e tij, të përgjuara nga Guardia di Finanza. Të rinjtë, nga ana tjetër, e duan me çdo kusht bashkëpunimin me Napoleonin, sepse e dinë sa e vështirë është pa të. Ai ka lidhje reale me don Úsugën, kolumbianin Otoniel, ish-kreun e Kartelit të Gjirit, një emër i rangut të parë në trafikun e kokainës. Me Carkën, kurrë mos u përplas e mos i dil përpara. Kurrë. Dubai e mbron. Dubai i mbron të gjithë.

Dubai e ka mbrojtur për një kohë të gjatë, madje e ka përkëdhelur, edhe Denis Matoshin, një tjetër shqiptar, 37 vjeç, i akuzuar për trafik droge dhe pastrim parash. Pikërisht një muaj më parë, Belgjika, që kishte kërkuar ekstradimin e tij, arriti ta merrte në dorëzim nga Emiratet. Në Dubai ka mbetur ish-bashkëshortja e tij, zonja Suada. Ata u ndanë përpara ekstradimit. Ish-Miss Shqipëria dhe figurë e botës së spektaklit, Suada, sipas autoriteteve belge, zotëron në Emirate pasuri të paluajtshme me vlerë 17 milionë, ku thuhet se organizon festa të çmendura me partnerin e ri, një arab i pasur.

Belgjikë, Belgjikë, Belgjikë. Kaq shumë Belgjikë. Po pse përmendet kaq shpesh?/Corriere Della Sera