Një efektiv i Policisë së Tiranës dyshohet se është përfshirë në kontrabandën e 1 milionë eurove nga Serbia drejt Kosovës, një shumë parash që u kap sot në pikën kufitare në Merdarë.
Burime për Report TV bëjnë me dije se Aurel Kaziu është polici i përfshirë në transportimin e parave, i cili është efektiv në Komisariatin nr.5 në Tiranë. Bashkë me të janë ndaluar edhe Ardit Laska dhe Etnik Ahmaxhokaj.
Zbulimi i shumës së parave u bë pasi zyrtarët e Doganës dhe policët kufitarë në Merdarë kryen kontroll në furgonin me të cilin po udhëtonin personat e sipërpërmendur, pas një sinjalizimi të skanerit me rreze X, që përdoret për identifikimin e sendeve të paligjshme.
Shuma e parave prej 1 milionë eurosh mësohet se ishte fshehur në një hapësirë të krijuar posaçërisht në dyshemenë e furgonit.
Ende nuk dihet nëse ishte Tirana destinacioni final i kësaj shume parash të sekuestruara nga autoritetet e Kosovës dhe as kush është burimi i tyre. Por, mënjehërë pas kapjes së policit shqiptar, Report Tv mëson se autoritetet e Kosovës kanë njoftuar autoritetet tona për rastin dhe në vijim pritet edhe pezullimi i tij nga detyra nga Standardet Profesionale.
Ndërkohë Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se ka dorëzuar materialet në Prokurori dhe hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes, si dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast kontrabande.
Njoftimi zyrtar nga Dogana e Kosovës:
Zbulohen rreth 1 milion euro të padeklaruara në Pikëkalimin Kufitar Merdare
Sot, më 24 shkurt 2026, në pikëkalimin kufitar Merdare, zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë selektuar një automjet për kontroll të detajuar, në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës, bazuar në analizën e riskut dhe procedurat standarde operative.
Automjeti fillimisht është kontrolluar përmes pajisjes së skanimit me rreze X (X-Ray), ku janë identifikuar indikacionet e para për ekzistimin e një hapësire të dyshimtë të modifikuar në dyshemenë e tij. Pas këtyre indikacioneve, Dogana e Kosovës ka kërkuar asistencë nga zyrtarët e Policisë Kufitare, të cilët kanë ofruar mbështetje teknike përmes pajisjes fibroskopike.
Gjatë kontrollit të përbashkët, dyshimet e ngritura nga skaneri janë konfirmuar me zbulimin e mjeteve monetare të padeklaruara, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda automjetit. Sipas vlerësimeve fillestare, shuma e mjeteve monetare dyshohet të jetë rreth 1,000,000 (një milion) euro. Njësitë hetimore të Doganës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Prokurori kompetent është njoftuar dhe, në koordinim me të, po ndërmerren veprime të mëtejme hetimore në përputhje me autorizimet ligjore. Dogana e Kosovës thekson se përdorimi i teknologjisë së avancuar të kontrollit, si skanerët X-Ray, mbetet një nga mjetet kyçe për zbulimin e rasteve të kontrabandës dhe parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme financiare.
Komente









Korrupsion i frikshem ne policine tone. Kush e di sa here ka qene polici me mision si mushke parash.
PërgjigjuAgjentura serbe me trathta shqiptare po fusin ero per te trazuar dardanin dhe shqipnin.
Përgjigju