TIRANE- Djali i Kryebashkiakut të Bulqizës Lefter Alla, Enio Alla është arrestuar nga Policia e Tiranës dy ditë më parë, ndërsa lajmi është mbajtur i fshehtë nga policia. Këtë të hënë ai doli para Gjykatës së Tiranës, e cila i caktoi atij masën e sigurisë detyrim paraqitje. Burime zyrtare pranë uniformave blu sqaruan se arrestimi i të riut është bërë nga forcat “Shqiponja”, gjatë një kontrolli të tyre rutinë.

Alla ishte duke udhëtuar i vetëm me makinën e tij, kur është ndaluar nga policia, ndërsa pas kontrollit i janë gjetur në makinë 5.2 gr kanabis. Në momentin e parë që uniformat blu e kanë ndaluar atë në rrugën “Jusuf Vironi”, i riu ka bërë rezistencë që t'i kontrollohej mjeti, ndërsa u është prezantuar edhe në emër të të atit. Të njëjtat burime saktësuan se Alla u është drejtuar  efektivëve me fjalët: Pse nuk e njihni babain tim ju?Mbi të rëndon akuza “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.