SHKODER-Gjykata ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg 35 ditë për anëtarin e këshillit bashkiak të Vaut të Dejës Dod Dodani, pasi dy ditë më parë u prangos së bashku me tre persona të tjerë me 100 kg kanabis. Ndërkohë që përpos Dodanit, i zgjedhur nga Aleanca Demokristiane në këshillin bashkiak të Vaut të Dejës në burg do të qëndrojnë edhe tre personat e tjerë; Nardi Malaj 45 vjeç, Jozef Ndoci 34 vjeç dhe Aurel Tanushi 24 vjeç, por afat.
Sipas burimeve për Report Tv, Jozef Ndoci dhe Nardi Malaj kanë pranuar akuzën dhe pala mbrojtëse kërkoi një masë më lehtësuese, por gjykata e rrëzoi duke i lënë në burg. Pala mbrojtëse pretendon se "Procedura është në kundërshtim me nenin 294/a/3 të kodit të procedurës penale pasi oficeri i policisë gjyqësore kur kryen veprime simuluese nuk mund të provokojë kryerjen e një vepre penale, nëse ajo nuk do të ishte kryer pa ndërhyrjen e OPGJ-së. Në rastin konkret punonjësi i OPGJ i cili ka kryer veprime simuluese ka provokuar kryerjen e kësaj vepre penale pasi në mënyre të shprehur i ka kërkuar Nardi Malaj që ai të blinte lëndë narkotike".
Dodani dhe Aurel Tanushi nuk e kanë pranuar akuzën, por kërkesa e mbrojtjes për detyrim paraqitje u rrëzua. Për Dodanin prokuroria dha masën me afat 35 ditë pasi kërkon të verifikojë provat shtesë sepse sipas saj provat e paraqitura nga policia ishin te paqarta. Dodani bashkë me tre personat e tjerë u arrestuan në rrugën Lezhë-Shkodër, pas gjatë kontrollit në pjesën e pasme të makinës së tyre "Audi" të parkuar në një pikë karburanti jofunksionale u gjet droga e paketuar në 7 thasë të zinj plastikë e mbuluar me çarçafë. Gjithashtu në shtëpinë e Dodanit u gjet lëndë e dyshuar narkotike 42,2 gram si dhe fara gjithashtu të dyshuara të bimëve narkotike 179,8 gram. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua e tërë lënda e gjetur, dy automjete "Audi" dhe "Merzedes" si dhe katër telefona celularë.