SARANDË- Një 18-vjeçar është arrestuar në Sarandë, teksa ka qenë duke lëvizur me motor, ndërsa ka pasur me vete një pushkë dhe municion luftarak.

Dyshohet se 18-vjeçari Ledion Vaja do ta shiste në qytetin e Sarandës pushkën dhe municionin luftarak. Në pamje shihet edhe momenti arrestimit të adoleshentit, ndërsa në kokë mban skafandrën e motorit.

"Gjatë kontrollit fizik ndaj 18-vjeçarit, i cili në momentin e ndalimit nga Policia udhëtonte me një motomjet, shërbimet e Policisë i gjetën 1 armë zjarri pushkë, krehër dhe municion luftarak, të cilat dyshohet se ky shtetas do t’i shiste në qytetin e Sarandës", njofton policia.

Ndërkohë, policia ka arrestuar një 20-vjeçar, Orhan Xhango, dhe ka vënë në hetim një 17-vjeçar, pasi dyshohet se kishin dijeni për këtë rast.

Arma e zjarrit pushkë, municioni luftarak dhe motomjeti që drejtonte 18-vjeçari, në momentin e kapjes në flagrancë nga Policia, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.