Kristina Preka është larguar 4 vjeçe nga Shqipëria, pasi familja e saj emigroi fillimisht në Greqi e mandej drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ka vetëm pak ditë që është bërë pjesë e sipërmarrjes së njohur të Agroturzmit "Mrizi i Zanave" në Fishtë të Lezhës, por duket se është ambientuar shpejt.
"Këtu te Mrizi i Zanave më nxiti të vij bukuria. Dua të mësoj se si bëhen gjërat. Është vend shumë i mirë dhe tani po shikoj edhe si lidhet me historinë që ka Shqipëria. Dua të mësoj që kur të më pyesin sesi bëhet kjo gjë në Shqipëri, të thonë pyesim Kristinën, hajde shkojmë te "Mrizi i Zanave". Kam shumë fat që jam këtu dhe Altini më lejon të shoh si bëhet puna këtu", tregon Kristina.
29-vjeçarja Kristina Preka me origjinë nga Gjadri i Lezhës jeton dhe punon si kuzhiniere në Amerikë, por nuk i ka harruar rrënjët e saj, kulturën dhe traditën zadrimore e shqiptare. Për këtë qëllim ajo është rikthyer për pak kohë për të fituar eksperience pranë shefit të njohur të kuzhinës Altin Prenga.
"Ndihem shumë mirë këtu. Ngrihem që në mëngjes në orën 5 dhe mësoj si të bëj lakrorin, turshi, gjëra shumë të bukura që duhet t'i di. E kisha ëndërr të vija në Shqipëri. Dua që në Amerikë ta dinë se si gatuan shqiptari, ushqimet tradicionale të kësaj zone. Kisha shumë kohë që kisha dëshirë dhe këtë verë e gjeta mundësinë. Më shumë më pëlqen të përgatis lakrorin, është shumë i mirë. Kur i thash mamit që do kthehem në Shqipëri të punoj në kuzhinë, nuk i erdhi mirë. Por kur e do një gjë, e ke pasion. Që kur isha e vogël kam menduar se do të punoj në kuzhinë", thotë ajo
Kristina është ambientuar brenda një kohë të shpejtë me stafin dhe në bashkëpunim me ta bën punë të ndryshme që nga kuzhina e deri tek bujqësia. Gjatë rrëfimit për Report Tv, Kristina Preka tregon se ka ambicie të çelë një restorant në SHBA, ku do të gatuajnë edhe ushqime tradicionale shqiptare.
"Tani kam qejf të mësoj akoma këtu. Më pas do kthehem në Amerikë, dua të hap një restorant me ushqime nga Shqipëria që ta njohin njerëzit atje se si bëhet buka këtu", shprehet Kristina.
Kultivimi dhe ruajtja e identitetit shqiptar brenda dhe jashtë vendit është pozitive thotë sipërmarrësi dhe kuzhinieri Prenga.
"Në Shqipëri dhe jashtë është mirë të mbjellim kulturën dhe identitetin shqiptar. Ku të gjesh të rinj, si Kristina, që vijnë për të zbuluar vetveten. Kjo është dhe meritë e prindërve që i kanë mësuar dashurinë për Atdheun", thotë ai.
Kristina është inspirim për gjithë të rinjtë që jetojnë në emigrim pa harruar kulturën dhe traditën shqiptare.
Kristina Preka