Flavio Bolsonaro është larguar nga Brazili dhe ka mbërritur në Miami të SHBA-së. Senatori brazilian, i cili humbi zgjedhjet presidenciale përballë Luiz Inacio Lula da Silvës, udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara së bashku me bashkëshorten dhe dy vajzat e tij.

Ndërkohë, një zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit i ka deklaruar CNN-it se Bolsonaros dhe familjes së tij do t’u lëshohen viza. Sipas mediave braziliane, largimi i tij nga vendi vjen në një kohë kur ai përballet me një hetim për pastrim parash.

Gjykata i kishte tërhequr pasaportën për të parandaluar largimin e tij nga Brazili, por raportimet mbi mënyrën se si ai ka udhëtuar jashtë vendit mbeten kontradiktore. Autoritetet argjentinase deklaruan se familja kishte dokumente të vlefshme udhëtimi dhe se nuk kishte pengesa ligjore për hyrjen në vend.

Një burim i CNN-it ka bërë të ditur se senatori përdori pasaportën italiane për të hyrë në Argjentinë. Mediat kanë raportuar versione të ndryshme lidhur me dokumentet e udhëtimit të Bolsonaros. Fillimisht, portali Infobae raportoi se ai kishte mbërritur në aeroport, ku pritej të kryente procedurat doganore dhe të emigracionit përpara nisjes drejt SHBA-së.

Megjithatë, tërheqja e pasaportës braziliane do t’ia vështirësonte udhëtimin ndërkombëtar. Sipas gazetës braziliane O Globo, Bolsonaro nuk ua kishte dorëzuar autoriteteve pasaportat e tij. Për këtë arsye, policia braziliane vendosi t’ua anulonte vlefshmërinë.