Real Madrid është fituesi i Kupës Interkontinentale, të zhvilluar për herë të parë pas 20 vitesh. Finalja mes fituesve të Champions League dhe përfaqësueses së Amerikës, skuadrës meksikanë të Pachuca-s, u mbyll me rezultatin 3-0.
Në Doha të Katarit pjesa e parë u vulos nga Kylian Mbappe, i cili finalizoi një aksion të orekstruar nga Vinicius Junior. Braziliani kërceu ‘samba’ para se Mbappe të zhbllokonte shifrat. Në pjesën e dytë ishte rradha e Rodrygos për të realizuar një supergol ndaj një kundërshtari që dukej i dorëzuar në fushë, ndërsa në vijim Vinicius vulosi rezultatin përfundimtar me penallti.
Ky trofe ishte i 9 për Realin si fitues i botërorit për klube, ndërsa gjithashtu ishte trofeu i 15 për Carlo Ancelottin te Real Madrid, duke e bërë atë trajnerin me më shumë trofe në historinë e këtij klubi legjendar. Ky trofe do të mbahet mend gjatë edhe nga Modric, pasi u bë lojtari më me shumë trofe në historinë e Real Madrid. Kupa Intercontinentale ishte trofeu i 28 për kroatin 39-vjeçar, i cili kur u transferua te Real Madrid nga Tottenham në moshën 27-vjeçare nuk kishte asnjë trofe në karrierën e tij.
Për Real Madrid nuk do të ketë shumë kohë për të festuar pasi të dielën do të luajë kundër Sevillias në La Liga.