SHKODËR - Forcat polumbare të FNSH-së vijojnë kërkimet në liqenin e Shkodrës për trupin Arben Anamalit, kapitenit të anijes turistike, i cili u shpëtoi jetën 2 turistëve izraelitë një ditë më parë, por nuk mundi të dalë vetë nga uji.

15 turistët e nisur nga Shiroka, kërkuan të shijonin me not liqenin më të madh në Ballkan dhe refuzuan të dëgjojnë kërkesën e kapitenit Anamali, për të mos u futur në ujë, sepse era që vinte nga veriu i rrezikonte. Pak minuta pasi u futën në liqen, turistët kërkuan ndihmë, pasi era i kishte larguar rreth 50 metra nga anija.

Mësohet se kapiteni u hodh në liqen me dy kamerdare shpëtimi, por vetë mbeti në ujë pa mundur të kthehej për shkak të erës së fortë, e cila e shtynte në thellësi të liqenit.   

Arben Anamali, si një mjeshtër i motorëve të barkave dhe skafeve, por edhe kapiten i licencuar, u punësua nga bashkia Shkodër me 1 maj të 2024 kur edhe u sollën anijet turistike “Buna” dhe “Drini”. 51-vjeçari ishte baba i dy fëmijëve.

Më herët, kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci u shpreh se fatkeqësisht akti heroik i kapitenit u kthye në tragjedi.

“Ky mëngjes është i trishtë për Shkodrën. Që prej mesditës së djeshme, forcat polumbare të FNSH-së, në bashkëpunim me punonjës të Bashkisë Shkodër, po vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit të kapitenit të anijes turistike në liqenin e Shkodrës, Arben Anamali. Strukturat do të jenë të angazhuara edhe gjatë ditës së sotme për të bërë të mundur gjetjen e trupit të Arbenit, kapitenit që sakrifikoi jetën e tij për të shpëtuar turistët që po rrezikonin jetën. Fatkeqësisht, ky akt heroik u kthye në një tragjedi për të, për familjen dhe për të gjithë ata që e njohën. Jam pranë familjes Anamali në këto momente të vështira.”, shkruan Beci.