TIRANË- Numri 2 i qeverisë, Belinda Balluku, nga sot nuk mund të ushtrojë më kompetencat e saj si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Pasi u mor e pandehur për tenderin e Tunelit të Llogarasë me vlerë 190 mln euro, Belinda Balluku akuzohet edhe për shkelje me tenderin për lotin 4 të Unazës së Madhe, me vlerë 20 mln euro. Me një vendim gjyqtarit të GJKKO-së, Erion Çela, vetëm një ditë më parë, ndaj Ballukut janë caktuar dy masa sigurie, ajo pezullimit nga detyra dhe ndalimi i daljes jashtë shtetit, çka do të thotë që i është bllokuar edhe pasaporta.
SPAK informoi se të dyja masat i janë komunikuar zv.kryeministres. Po ashtu janë ekzekutuar edhe dy masa arrest në shtëpi për dy vartësit e saj, kreun e ARRSH Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, aktualisht drejtori i KESH. Vendimi i GJKKO-së është marrë me kërkesë të prokurorit të çështjes, Dritan Prençi. Për të dy tenderët, me vlerë totale prej 210 milionë eurosh, SPAK thotë se Balluku ka paracaktuar fituesin përmes mbikëqyrjes dhe ndërhyrjes në vazhdimësi gjatë gjithë procesit të zhvillimit të garës.
Brenda 72 orëve Balluku dhe zyrtarët e tjerë duhet të paraqiten në GJKKO për verifikim të kushteve të masës së sigurisë dhe më pas kanë të drejtë ta ankimojnë.
Pak pas mesditës Balluku u pa të hyjë në kryeministri. Makina zyrtare që e shoqëroi u largua në mbrëmje vonë, pak pasi kryeministri la selinë e qeverisë për të marrë pjesë në darkën me komisioneren e Zgjerimit Marta Kos, të cilën e kishte pritur pasdite dhe në zyrën e tij.
Mbetet mister mbi orët e gjatë që Balluku kaloi në Kryeministri, ku pasdite u pa të hynte dhe ish ministri i Drejtësisë, kryetari aktual i Komisionit parlamentar të ligjeve. Burimet i thanë Report Tv se Balluku insiston se vendimi i GJKKO-së është në shkelje të Kushtetutës dhe se Manja mund të ishte thirrur për të dhënë një opinion juridik.
Cilido qoftë interpretimi ligjor, vendimi i GJKKO-së mund të zhbëhet vetëm në rrugë gjyqësore, dhe deri atëherë Balluku nuk mund të ushtrojë detyrat qeveritare. Për më tepër që pozicioni i zëvendëskryeministrit është i parashikuar dhe në Kushtetutë. Nga zyra e kryeministrit Rama, deri në mbrëmje vonë, nuk ka patur asnjë reagim mbi çështjen Balluku, dhe as për hapat që ai vetë do duhet të ndërmarrë.
Një mbledhje qeverie e parashikuar për të premten paradite e që do të duhej të drejtohej nga Balluku është anulluar.
Shkeljet me dy tenderët
Gjithçka u zbulua nga komunikimet e Ballukut me vartësin, Evis Berberi, i cili aktualisht është në burg për një tjetër çështje, ndërsa në kohën kur janë zhvilluar këto dy tenderë Berberi ishte në krye të ARRSH-së. SPAK ripërsërit edhe njëherë shkeljet e Ballukut për tenderin e Llogarasë me fond limit 190 mln euro pa TVSH, për të cilin i është komunikuar zyrtarisht akuza shkelje e barazisë në tenderë. SPAK thotë se Balluku, në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik, prej fazës përgatitore, zhvillimit të procedurës, dorëzimit dhe vlerësimit të ofertave, deri në momentin e lidhjes së kontratës me operatorin ekonomik fitues, dy kompanitë turke Intecar dhe Asl.
Për ketë tender, SPAK ka marrë të pandehur edhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, të cilët në bashkëpunim me Ballukun paracaktuan fituesin e tenderit duke ua dhënë turqve, të cilët e fituan për 170 mln euro pa TVSH. Në vitin 2021, tenderi u anulua kur oferta më e ulët ishte 140 mln euro nga kompania Gjoka dhe u rihap pak muaj më pas dhe ju dha bashkimit të kompanive turke edhe pse kishin ofruar vlerë më të lartë.
E njëjta skemë është ndjekur edhe për tenderin e lotit të katërt për Unazën e Madhe në Tiranë me vlerë 20 mln euro. Edhe për këtë tender, SPAK thotë se Balluku, në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik të zhvilluar nga, Autoriteti Rrugor Shqiptar, në fazën përgatitore, zhvillimit të procedurës, dorëzimit dhe vlerësimit të ofertave.
Tenderi është fituar nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “Euroteorema Peqin” shpk – “Pe-Vla-Ku” sh.p.k – “Nova Construction 2012” shpk, me një ofertë prej 19.9 mln euro pa TVSH, vetëm rreth 5% më pak se fondi limit i përcaktuar nga ARRSH. Ky tender rezulton me flamur të kuq. Të gjithë operatorët e tjerë konkurrues janë skualifikuar, përfshirë edhe 3 ofertat më të ulëta.
Gentian Gjylit i është caktuar arresti i shtëpisë vetëm për tunelin e Llogarasë për shkelje të barazisë në tendera në bashkëpunim. Gjatë këtij prokurimi ai ka qenë drejtor i Ndërtimit dhe i Mirëmbajtjes në Autoritetin Rrugor Shqiptar.
Me të njëjtën akuzë është edhe Erald Elezi, por për të dyja procedurat tenderuese. Ai ka qenë Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në ARRSH kur ka qenë tenderi i Llogarasë dhe anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për tenderin e Unazës së Madhe.
Belinda Balluku iu bashkua kabinetit të Edi Ramës në vitin 2019 si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe prej gati 6 vitesh drejton portofolin më të madh qeveritar. U emërua zv., kryeministre në korrikun e vitit 2022, ndërsa sot zyrtarja më e lartë që përballet aktualisht me akuza penale nga SPAK.
Ndërsa nga qeveria, nuk ka patur asnjë qëndrim ndaj vendimit të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, i cili pezulloi nga detyra zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, efekti i parë i drejtëpërdrejtë, është anulimi i një mbledhjeje të kabinetit qeveritar, e parashikuar në orët e para të ditës së premte.
Mbledhja do të duhej të drejtohej pikërisht nga Balluku, pasi kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në Samitin për Planin e Rritjes të BE për Ballkanin Perëndimor, që mbahet në Tiranë.
Kreu i qeverisë, Edi Rama, ka lënë zyrën mbrëmjen e sotme, ndërsa zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, tashmë e pezulluar nga detyra nga GJKKO, ndodhet në kryeministri që prej mesditës.
Kryeministri pritet të darkojë këtë mbrëmje me Komsioneren për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos.

Belinda Balluku para SPAK
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ndodhet prej 5 orësh në kryeministri në një takim me kryeministrin Edi Rama, pasi Gjykata e Posaçme i caktoi masën e sigurimit personal “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit, tashmë të ekzektuara.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se Balluku pretendon se pezullimi është shkelje e Kushtetutës nga ana e GJKKO-së dhe se këtë vendim nuk mund ta marrë kjo gjykatë. Në fakt, Kodi i Procedurës Penale thotë se masa e pezullimit nga detyra merret ndaj çdo funksionari publik, përveç atyre të zgjedhurve sipas Kodit Zgjedhor.

Prej 2 orësh, takimit Balluku-Rama i është bashkuar edhe deputeti Ulsi Manja, i cili është thirrur për një opinion juridik lidhur me rastin, pasi me profesion ai është jurist, dhe ka qenë prokuror e ministër i Drejtësisë.
Dy javë më parë, Balluku u mor e pandehur nën akuzën e shkeljes së barazisë në tendera gjatë procesit të ndërtimit të tunelit të Llogarasë. SPAK e akuzon se ka kontrolluar çdo hap të një projekti me vlerë rreth 190 milionë euro dhe se ka paracaktuar fituesin në kundërshtim me kriteret standarde të prokurimit publik për një nga projektet më të shtrenjta të infrastrukturës në pesë vitet e fundit. Gjatë seancës parlamentare të së mërkurës, Balluku deklaroi se akuzat ndaj saj ishin të pabaza.
Sot SPAK njoftoi se zëvendëskryeministrja është nën hetim edhe për tenderin për lotin e katërt të Unazës së Madhe.
Prokuroria e Posaçme ka zbardhur akuzat dhe rolin e Belinda Ballukut për shkeljet me dy tenderët me vlerë 210 mln euro për Tunelin e Llogarasë dhe Unazës së Madhe. SPAK zbardh edhe rolin e vartësve të saj, kreu të ARRSH, Gentian Gjyli dhe drejtorit aktual të KESH, Erald Elezi. Të dyve u është komunikuar masa e arrestit në shtëpi, ndërsa Ballukut i është komunikuar masa e pezullimit të detyrës dhe ndalimi i daljes jashtë shtetit. Balluku dhe vartësit akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderët.
Njoftimi i plotë i SPAK
Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar njofton se, në vijim të hetimeve për procedimin penal nr.136 të vitit 2025, janë evidentuar shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike, në kuadër të dy procedurave të rëndësishme prokurimi me një vlerë totale prej 210 milionë euro:
- Ndërtimi i tunelit të Llogarasë, pjesë e seksionit rrugor Orikum-Himarë të autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), me fond limit 18.967.810.952 lekë pa TVSH, të zhvilluar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
- Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4, me numër REF-02817-08-13-2021 dhe fond limit 2.096.958.794 lekë pa TVSH, të zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), të zhvilluar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, deri në këtë fazë të hetimeve, janë evidentuar veprime të kundraligjshme të të pandehurës Belinda Balluku. Në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik, prej fazës përgatitore, zhvillimit të procedurës, dorëzimit dhe vlerësimit të ofertave, deri në momentin e lidhjes së kontratës me operatorin ekonomik fitues.
E pandehura Belinda Balluku, në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të pandehurit; Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, kanë paracaktuar fituesin e kësaj procedure prokurimi, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë fitues “Intecar dhe Asl”.
Në kohën e kryerjes së veprimeve për këtë procedurë prokurimi, të pandehurit kanë pasur detyrat funksionale; Evis Berberi, Drejtor i Përgjithëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Erald Elezi, Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në Autoritetin Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, Drejtor i Drejtorisë së Ndërtimit dhe i Mirëmbajtjes në Autoritetin Rrugor Shqiptar, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, Specialistë të Nivelit të Lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Sa i takon procedurës së prokurimit me objekt, “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”, me numër REF-02817-08-13-2021, me fond limit 2,096,958,794,70 lekë pa TVSH, ka rezultuar se e pandehura Belinda Balluku, në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik të zhvilluar nga Institucioni në varësi të kësaj Ministrie, Autoriteti Rrugor Shqiptar, në fazën përgatitore, zhvillimit të procedurës, dorëzimit dhe vlerësimit të ofertave.
E pandehura Belinda Balluku në bashkëpunim me të pandehurin Evis Berberi, anëtarët e Njësisë së Prokurimit, shtetasit J.Ç, A.K., D.Xh, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Erald Elezi dhe shtetasit K.K, M.Sh., kanë paracaktuar fituesin e kësaj procedure prokurimi, krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë,“Euroteorema Peqin” sh.p.k, “Pe-Vla-Ku” sh.p.k – “Nova Construction 2012” shpk.
Gjatë këtyre dy procedurave të prokurimit janë evidentuar veprime në kundërshtim me ligjin, nr. 162/2020, “Për Prokurimin Publik”, VKM nr.285, datë 19.05.2021,“Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, ligjin nr.9367, datë 07.04.2005 “Për Parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar.
Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për, me vendimin nr.118, datë 19.11.2025, ka vendosur :
- Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues, “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe masës së sigurimit personal me karakter ndalues, “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, (pezullimi nga detyra me funksione të larta shtetërore si Zv.Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë), të parashikuara nga nenet 233 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurës Belinda Balluku, e akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” dhe e dyshuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”.
- Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues, “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurit Gentian Gjyli, i akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”.
- Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues, “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurit Erald Elezi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” dhe i dyshuar për kryerjen e veprës penale,“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”.
Me datë 20.11.2025, janë ekzekutuar masa e sigurimit personal :
- Masa e sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, (pezullimi nga detyra me funksione të larta shtetërore si Zv.Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë), të parashikuara nga nenet 233 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurës Belinda Balluku.
- Masat e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurve Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.
Hetimet e deritanishme janë kryer përmes metodave speciale, grumbullimit të provave digjitale si dhe nga kryerja e veprimeve të tjera hetimore. Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme vijon hetimet për këtë procedim penal.
Ndërkohë që Belinda Balluku ndodhet prej 4 orësh në kryeministri në një takim me kryeministrin Edi Rama, Partia Mundësia ka organizuar një protestë rreth godinës, ku kërkon dorëheqjen e zëvendëskryeministres, pas masës së Gjykatës së Posaçme për pezullimin e saj nga detyra.
Deputeti Ulsi Manja ka mbërritur në kryeministri rreth orës 15:40, ku prej të paktën 3 orësh zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është në një takim me kryeministrin Edi Rama.
Takimi i Ballukut me Ramën erdhi pas masës së propozuar nga SPAK dhe vendosur nga GJKKO për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ndalimin e daljes së saj jashtë shtetit.

Zv.kryeministrja Belinda Balluku është pezulluar sot nga detyrat publike me vendim të GJKKO-së si dhe i është ndaluar të dalë jashtë shteti. Balluku po vijon takimin me kryeministrin Rama në godinën e qeverisë prej rreth 3 orësh, ndërsa kryeministri deri më tani nuk ka ende asnjë reagim. Ndërsa në rrjetet sociale ka publikuar dy postime njëri pas tjetrit, por që nuk lidhjen me këtë situatë.
Rama ka postuar disa foto nga nxënës të shkollave të ndryshme të qyteteve në Shqipëri, të cilët nëpërmjet programit ‘Art dhe Zeje’, po përgatiten për të festuar Ditën e Alfabetit dhe festat e Nëntorit.
Ndërkohë në postimin tjetër, shefi i qeverisë ka bërë me dije hajen e një godinë të re që do të shërbejë si parking në Durrës me energji të vetëprodhuar nga dielli. Përveçse një parking me 400 vende, godina do të shërbejë dhe për zyra e dhe zhvillimin e aktiviteteve të hapura social-kulturore.
Që prej datës 31 tetor, kur SPAK vendosi të merrte të pandehur Belinda Ballukun, e akuzuar për ‘shkelje të barazisë në tendera’ për tunelin e Llogarasë dhe së fundmi nën hetim dhe për ndërtimin e Unazës së Madhe, Loti 4, kryeministri ka deklaruar se nuk ndërhyn në punët e drejtësisë.
GJKKO ka caktuar masën e arrestit shtëpiak për dy vartësit e Belinda Ballukut, kreut të ARRSH Gentian Gjyli dhe Erald Elezit, drejtorit aktual të KESH. Gjyli akuzohet nga SPAK për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe masa e sigurisë i është caktuar vetëm për tunelin e Llogarasë. Gjatë këtij prokurimi ai ka qenë drejtor i Ndërtimit dhe i Mirëmbajtjes në Autoritetin Rrugor Shqiptar.
E njëjta akuzë rëndon edhe ndaj Erald Elezit, ndaj të cilit masa e sigurisë është caktuar për të dy tenderët. Ai ka qenë Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në ARRSH kur ka qenë tenderi i Llogarasë dhe anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për tenderin e Unazës së Madhe.
Vendimi është marrë një ditë më parë nga GJKKO dhe sot është ekzekutuar.
Analisti Ben Andoni thotë se Belinda Balluku, pas masave të dhëna nga GJKKO, duhet të jepte dorëheqjen. Në një intervistë për “Sot Live në Shqipëri”, ai theksoi se edhe Rama duhet ta shkarkojë nga detyra qoftë për pjesën morale, por gjithashtu edhe për faktin se qeveria duhet të funksionojë.
“Patjetër. E para për pjesën morale dhe e dyta që qeveria të funksionojë. Më e mira nga të gjitha do të ishte, që një individ që i ka marrë shtetit pafund, privilegje, ndere pozicione e rroga, duhet të kishte mirësinë, por kjo fjalë është e papërshtatshme për zonjën Balluku, që duhet të jepte dorëheqjen vetë. Pas pezullimit, duhet ta jepte vetë dorëheqjen.”, u shpreh Andoni.
Pyetur edhe për hetimet që kanë nisur ndaj saj për lotin 4 të Unazës së Madhe, ai tha se ndaj saj mund të ketë akuza të tjera.
“Mjafton që të themi se subjekti të jetë e tyre, patjetër që do të përcillen akuza të tjera ndaj zonjës Balluku. Balluku duhet të mendojë për mbrojtjen e saj dhe duhet të ketë zyrë juridike dhe jo individ për t’u mbrojtur. Përgjimet e prokurorisë tregojnë se përballja e saj do të jetë më e shpejtë se e Veliajt dhe e ish-presidentit Meta me drejtësinë.”, tha Andoni.

Zëvendëskryeministri është një pozicion që Kushtetuta e Shqipërisë e përcakton qartë si përbërje të Këshillit të Ministrave.
Në nenin 95, pika 1 e Kushtetutës thuhet qartë se “Këshilli i Ministrave përbëhet nga Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat”.
Pra, një qeveri nuk mund të qëndrojë në këmbë pa postin e zëvendëskryeministrit.
Pas pezullimit nga detyra të Belinda Balluku, Kryeministri Rama vendoset para vendimit për ta zëvendësuar atë. Ndërkohë që menjëherë pas publikimit të lajmit për vendimin GJKKO, Balluku ndodhet në Kryeministri në një takim me Kryeministrin.

Zv.kryeministrja dhe njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka mbërritur në kryeministri.Burime për gazetaren e Report Tv, Raziela Myslimaj bëjnë me dije se Balluku po zhvillon takim me kryeministrin Rama.
Përveç akuzës për ‘shkelje të barazisë në tendera’ për tunelin e Llogarasë, dosja hetimore e Ballukut është ngarkuar dhe me një çështje tjetër, atë të ndërtimit të Unazës së Madhe, Loti 4. Me vendim të gjyqtarit Erion Çela, Ballukut i është ndaluar ushtrimi i funksioneve publike si dhe dalja jashtë vendi.
Tenderi i lotit të katërt të Unazës së Madhe u hap dhe u mbyll për tre muaj nga vartësit e Belinda Ballukut, Autoriteti Rrugor Shqiptar. Tenderi u hap më 16 gusht 2021, fituesi u shpall më 6 tetor dhe kontrata u lidh më 21 nëntor. Bisedat e zv. kryeministres me vartësit e saj, të zbuluar njëjtë si me tenderin e Tunelit të Llogarasë nga dekriptimi i telefonave, tregojnë se fituesi ka qenë i paracaktuar.
Tenderi është fituar nga një bashkim i tre 3 operatorëve, “Euroteorema Peqin” shpk – “Pe-Vla-Ku” sh.p.k – “Nova Construction 2012” shpk. Oferta e tyre ka qenë sa 95% e fondit limit të tenderit, pra e kanë fituar ndërtimin e lotit të katërt me 19.9 mln euro pa TVSH, ndërkohë që fondi limit ishte rreth 21 mln euro.
Kompania Euroteorema rezulton se ka marrë shumë tendera edhe në kohën e qeverisjes së Berishës, kur merrte konsulenca juridike nga Argita Berisha, ndërsa “Nova Construction – 2012” shpk është në pronësi të Ilir Shtufit, i cili është ortak i një kuote në masën e 91% të vlerës së kapitalit të kësaj, i lidhur ngushtë me familjen Berisha.
Në faqen e prokurimit publik, tenderi rezulton me flamur të kuq, për dy arsye: janë skualifikuar të gjithë operatorët konkurrues, duke përfshirë edhe ato me ofertat më të ulëta.
Mes 8 kompanive konkurruese tre kanë pasur ofertë më të ulët: ALB - STAR që ka dhënë 16.8 milionë euro, BOE “CURRI” dhe “VELLEZERIT HYSA” dhe “BE - IS” që kanë ofruar ndërtimin e lotit të katërt me 17.4 milionë euro dhe KEVIN CONSTRUKSION që kërkoi vetëm 15.9 milionë euro. Të treja janë përjashtuar me argumentin se nuk plotësonin kriteret teknike të tenderit.
Kompanisë fituese i janë dhënë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave 267.6 pikë, ndërsa mesatarja e gjithë të tjerave ka qenë 89.2 pikë.
Pra, një fitues që shpallet me një procedurë shumë të shpejtë, një fitues dhe 7 konkurrues që s’kualifikohen, mes tyre edhe 3 oferta shumë më të ulëta. Nëse do të ishte shpallur fitues një kompani tjetër, përveç asaj që SPAK dyshon se Balluku kishte paracaktuar, taksapaguesit shqiptarë mund të shpëtonin disa miliona euro.
Avokati Arbër Hoxha, në një intervistë për Report TV, u pyet për masat e dhëna nga GJKKO ndaj zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, pezullim nga detyra dhe ndalim daljeje jashtë vendit. I pyetur nga gazetari Nertil Agalliu nëse kryeministri Edi Rama detyrohet nga vendimi i Gjykatës së Posaçme për ta shkarkuar apo jo Ballukun, ai u përgjigj:
“Ligjërisht e pezullon atë nga detyra, më pas është kryeministri që zgjedh nëse zëvendës kryeministrja do të jetë e pezulluar apo jo. Ligjërisht nuk e detyron atë që ta shkarkojë atë. Kemi me një vendim pezullimi dhe ky vendim për aq kohë sa është në fuqi, zëvendës kryeministrja nuk e ushtron dot detyrën për sa kohë është në fuqi. Moralisht mund të shkarkohet por ligjërisht nuk është i detyrueshëm për kryeministrin për ta shkarkuar atë. “, tha avokati.
Ai u pyet edhe për masën ndryshe ndaj Ballukut dhe kreut të ARRSH-së, Gentian Gjyli, i cili është lënë në arrest shtëpie, ndërkohë që përballen me të njëjtën akuzë të shkeljes së barazisë në tendera. Në këtë rast, ai solli edhe praktikën e përdorur ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
“Besoj se zoti Prençi (Prokurori i posaçëm) është personi që duhet pyetur si prokurori se pse ka zgjedhur këtë standart për dy persona në detyrë dhe masë sigurimi kaq të butë në raport edhe me praktikën e gjykatës së posaçme dhe SPAK në raste konkrete. Kujtojmë zoti Veliaj, dyshohet për 900 mijë euro dhe mbahet në arrest në burg prej më shumë se muajsh dhe zonja Balluku për 50 mln është caktuar masë ndalimi për të dalë jashtë shtetit.”, u shpreh avokati.
GJKKO ka caktuar masën e sigurisë arrest shtëpie për Gentian Gjyli, kreu i ARRSH dhe Erald Elezit, aktualisht drejtor i KESH. Ata janë dy nga 5 personat që janë marrë të pandehur për tenderin e Llogarasë.

Erald Elezi dhe Gentian Gjyli

GJKKO ka vendosur dy masa sigurie për Belinda Ballukun, pezullim nga detyra si zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe ndalim daljeje jashtë vendit. Burime për Report TV bëjnë me dije se masat janë lëshuar për tunelin e Llogarasë dhe për Unazën e Madhe, Loti 4. Në fund të tetorit, Balluku u mor e pandehur për shkelje të barazisë në tenderin e tunelit të Llogarasë.
Komente












As mish, as peshk ! Morali politik e do nje shkarkim ose doreheqje ! Asnjera nga keto nuk ndodhi. Keto duhet ta kuptojn qe pushteti te konsumon dhe duhet te larhohesh se asgje nuk eshte personale individuale ne shtet. Keputini tentakulat e shtriges qe te shpetoje shqiperia. As qe diskutohet qe gjykata sdo i japi te drejte shtriges.
PërgjigjuBELINDA TREGO TE GJITHA VJEDHJET E RAMES. ..DHE IK NGA SHQIPERIA QE TE SHPETOSH BURGUN.....EDI RAMA TE KA PLANIFIKUAR SI HEROINEN E RADHES.....QE TI THOTE EUROPES SE ESHTE I PASTER......
PërgjigjuE dashur belinda. But e but ja hengri koken arbenit, erjonit, beqajt, tahirit etj etj. Qe ata te menndonin se nuk do shkonin kurr ne burg, dhe ne fund kur e kuptonin qe shuuum vone. Edhe ty zemer but e but po ta sjell dhe fubdi yt dihet BURG i gjaaate shuuume te pakten 15 vjet. Ti sje budallaqe mos ta kuptosh dhe mos bjer viktim e pabeaise si gjyshi jot qe but e but ja pren koken e cuan ne ate bot. Ke vetem nje rruge trego dhembet kafshoje, per ndryshe te shqeu edhe ty. Ne mos merre me vehte dhe kerko te jesh e penduar tek FBI dhe gropose. Per vete ik ha leket matan oqeanit pastaj ose nga zvicra. Ska rrug te mesme dili per zot vetes ndryshe te vuri n gjum dhe pjesen tjeter te jetes e ke burgjeve. Hajt cao
PërgjigjuFemije e pleq te djegur se gjalli nga Shkelzen Berisha ne Gerdec,kane kaluar 17 vjet nga ai krim dhe SPAK nuk ka ngritur asnje akuze ndaj Shkelzenit apo te atit. Kater te pafajshem u egzekutuan nga Sali Berisha perpara kryeministrise me 21 Janar. Kane kaluar 15 vjet nga ai krim dhe SPAK nuk ka ngritur nje akuze te vetme ndaj Berishes edhe pse gjykata e Strasburgut e quajti krim shteteror. Sali Berisha vret dhe i zhduk trupin Remzi Hoxhes,asnje akuze e ngritur nga SPAK ndaj tij. 6.8 milion euro te vjedhura nga Shkelzen Berisha ne aferen CEZ-DIA,asnje akuze e ngritur nga SPAK ndaj tij. Vjedhje masive nga Shkelzeni dhe miqte e tij ne koncesionet e hemodializes dhe laboratoreve,asnje akuze e ngritur nga SPAK ndaj tij. Altin Dumani dhe Kraja para tij kane treguar qe nuk kane asnje lidhje me konceptin e drejtesise.Jane thjesht njerez te kontrolluar nga epshi per kontroll politik te se majtes dhe servilizmit e frikes nga Berisha.
PërgjigjuJe jerm për atë Zot. Po ç’lidhje ka Berisha këtu, mor torollak? Të gjithëve do t’u vijë dita, por këta po vjedhin shumë herë më shumë se çdo qeveri tjetër. Këta janë bërë multimilionerë, as Nano, as Meta dhe as Sali Bufi s’kanë vjedhur si po vjedhin këta. Është turp t’i mbajmë, se do të ishim bërë si një Zvicër e vogël me kaq pak banorë sa jemi.
SPAKU TE MARRE NE PUNE 200 PROKURORE E HETUES TE TJERE....TE BEHEN 220 GJITHSEJ...SE VOLUMI I PUNES DO JETE SHUME I MADH...VJEDHJE KUDO NE QEVERI DHE PUSHTET LOKAL.....
PërgjigjuSi ka then ai kush është Beqir ba___u mut muti një soj
PërgjigjuToni kopertoni , o komardare pd vodhi dhe e shkateroi Shqiperine ,vrau si I deshi qejfi , ndersa PS e ndertoi dhe po e çon ne rrugen e duhur .Detyra e qeverise eshte te mari vendimet e duhura dhe jo te mari mendimin e prokuroreve se kujt do tja japi tenderin. Kjo qe ka bere drejtesia eshte grusht shteti , nuk jemi qeveri prokuroresh .kriminelet qe vrane po llomotisin dhe po bredhin si u do qejfi .
KUJTOI KJO SE U BE DETI KOS......MBAJE TANI 30 VJET BURG....
PërgjigjuASGJE SI NDODH BELINDES DO DALI E PAFAJSHME
PërgjigjuRrac e keqe i madhe e i vogul tu vjell
PërgjigjuCa grushti pse tallesh do rezoj rama qeverine e tij ca jan keto idiotsira qe thua
Eshte grusht shteti zgjohuni! Jane te kordinuar me pd...duhet te jesh gomar mos ta kuptosh
Moj shqiperi do te ndrit fati po zbriti palloshi na kari
PërgjigjuAsgje nuk i ndodh sepse asgje nuk ka bere pa aprovimin e palloshit.
PërgjigjuBravo gjykata e varur dhe e telekomanduar,sa i coi GAZ BARDHI karrocen me denoncime e hapi ceshtjen por ka harruar ate te HEC ne Vlore.Te shikojme a do ti mjaftojne dy apo qe te mos i shkoje Rruga kot BARDHIT???AAAA harrova aeroportin e VLORES .VAI VATANI E MJER MILETI
Përgjigjubesuam shume ke drejtsia por edhe ky edi qe votum sna doli gje
PërgjigjuHALERAT...VAFSHIN NE DJALL NDYRESIRAT SI MAJTAS DJATHTAS!!!
Përgjigjupo te mendoje keshtu 30% e popullit keta zhduken ne sekonde, po ne me mire ja fusim njeri tjetrit se ketyre
ME RRUGET..ENERGJINE..TUNELET...BUJQEDINE ESHTE BERE NAMI ...SEPSE JANE FONDE SHTETERORE...KU KA FONDE SHTETERORE KA VJEDHJE ..KJO DIHET.....QEVERIA JONE ESHTE TOTALISHT E PERLYER ..JO VETEM NJE MINISTER. ...TE GJITHE KANE VJEDHUR.....
PërgjigjuSipas Sali non gratës drejtësia është "e kapur"nga Edi Rama.... Bravo SPAK për këtë Ballukun dhe turp të ketë që nuk arreston kriminelin Sali non grata.
PërgjigjuVetem hajduta paskerka kjo Shqiperi e shkrete. Funksionare te mirepaguar, me shkolla e edukime jashte shtetit, me vila, me makina te paguara nga shteti, me nje detyre te madhe qe ta çojne Shqiperine ne EU, ja elita jone politike. Nga nje ane, matufe, injorante dhe vrases, nga ana tjeter, hajdute, mashtrues dhe te korruptuar. SHpresojme qe mbesa e Ballukut ta provoj pak burgun. ER nese nuk ehste i perlyer me turqit dhe me vellaun islamik Erdogan, duhet ta pezulloje dhe t elejoje Spakun ta hetoje ne burg, siç edhe ben me EV. Turp per kete qeveri hajdute.
PërgjigjuNuk mund te jet më pjes e qeverise dhe parlamentit prandaj Rama duhet ta shkarkoj menjeher dhe parlamenti ti heqi mandatin e deputetes.Drejtesia te hetoj dhe per miliardat e tjera pasi kjo ka ber kerdin ne cdo tender.E ka vendin pas hekurave
PërgjigjuA ka elita ky vend? Dhe sa kohe Parlammenti, Shteti, dhe "organet e varura" te ketij vendi do dominohen nga keta plehra? A do kemi ndonjehere demokraci, sundim ligji, shtet te qytetareve? A do behemi ndonjehere Europiane? Kur NUK do ndihemi te neveritur me keta kurva e palloshe qe hiqen me katolike se Papa?
PërgjigjuKe rene ne gropen e politikes dhe kërkon ti zgjidhesh hallet permes saj. Meru me shumë me veten, puno e nxirr nonjë lek se nga politika lesht ke per të fituar. Po ndryshove veten e ke bere detyren si qytetar. Ky vend ka pare shumë politikane e nga të gjithe i pakenaqur ka ngel. Dhe ti po të vish ne krye me siguri do vjedhesh. Mesa duket, tani flet se nuk ke çfare të vjedhesh.
Duhet shkarkuar dhe mos te jet me deputete.Kjo ka ber kerdin ne miliona euro korrupsion.Pse Veliaj mbahet ne burg dhe kjo vazhdon e lire? Drejtesi me dy standarte
PërgjigjuRRASENI MRENA
PërgjigjuA ka ngelur ndonje dardhe per t'u ngrene pas kurrizit te KM-se sone kaq te pafajshem?! Doreheqje menjehere, nese i ka mbetur nje fije burreri!!! (Cilesoj se jam nje votues i majte, por kur vazhdon varferohet ky popull nga nje kaste politike e super korruptuar, eshte teper!)
PërgjigjuAte veprim qe duhet te bente vete ajo,nqs se kishte pak moral dhe buon sens e bani gjykata!
PërgjigjuTmerr ne dore te zotit ne asnje ven te botes nuk ka nodh me ba veshjen tunelit pa hekur!cfar hajnash!
PërgjigjuGrua, mblidh kallaballekun, po hajde futu brenda se u bere gazi i botes. Shkruan sa ketu, sa tek Tema e Merush Bazes. Do i vije radha edhe Saliut e te tjereve, po edhe ketij qe i hane mbrapa shpine fruta e perime duhet t'i trokase ne koke cekici i drejtesise. Po i vjen radha edhe liderit global (... te shpresojme...)
Aman mor ku e morre vesh qe esh bere pa hekur? Ktu behet fjal per fryrje ksotosh dhe ndikim te paligjshem. Ku e nxorret kete punen e hekurit?
Po per kriminelin sali+lulzim + pd kur do te veproje drejtesia ? Keto jane dy standartet e drejtesise Te pakten Balluku nuk ka vreare , po mediu , saliu , lulushit pse su ndalohet dalja jasht vendit dhe te mos paraqiten ne parlament .? Turp drejtesi e ndyre nuk e rezoni dot qeverin se do te ngrihet populli tju tregoj vendin se ku e keni