Kryeministri Edi Rama ka përcjellë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta prej COVID të mjekut të njohur neurolog të QSUT, Drini Dobi, i cili prej ditësh ndodhej i shtruar në një spital në ItalI.

Rama shkruan në “Facebook” se është e madhe “keqardhja për çdo jetë të humbur në harkun e këtij viti të pamëshirshëm ndaj shëndetit të njeriut, por këtu shton se humbja e shpëtimtarëve e kujdestarëve të jetës, siç ishte edhe Doktor Drini, krijon ndjesinë pështjelluese të një boshllëku të veçantë.

"Doktor Drini Dobin nuk e kam njohur personalisht nga afër, por kam dëgjuar për të fjalët më të mira nga të gjithë dhe pamjen e tij të butë e kujtoj mirë. Së fundmi kam ndjekur përmes ministres, Ogertës, ecurinë e përballjes së tij me Armikun e Padukshëm, e më pas vështirësinë e madhe të krijuar nga ndërlikimet që u shfaqën në gjendjen shëndetësore të mjekut të nderuar.

Eshtë e madhe keqardhja për çdo jetë të humbur në harkun e këtij viti të pamëshirshëm ndaj shëndetit të njeriut, por humbja e shpëtimtarëve e kujdestarëve të jetës, siç ishte edhe Doktor Drini, krijon ndjesinë pështjelluese të një boshllëku të veçantë. Me këtë ndjesi e me lutjen që të prehet në paqe, i përcjell ngushëllimet e mia vëllazërore familjes, miqve e kolegëve të tij. Rrofshin dhe e kujtofshin gjithmonë", shkruan Rama.

Mjeku ka rezultuar pozitiv me koronavirus më 22 nëntor dhe që në fillim ka shfaqur simptoma të rënda shëndetësore. Pasi gjendja e tij shëndetësore u rëndua, neurologu u dërgua menjëherë në Itali për kurim të specializuar. Mjekët italianë dhanë fillimisht shpresë për kurimin e tij nëse i sigurohej shtrimi dhe trajtimi në spital për disa javë.  Familjarë dhe të njohur të mjekut bënë thirrje qytetarëve për të ndihmuar financiarisht për trajtimin e tij në spital, por fatkeqësisht Bello nuk ia ka dalë dot ta fitojë këtë betejë.