Mjeku neurolog Drini Dobi i cili prej ditësh ndodhej i shtruar në një spital në Itali nuk ka arritur të fitojë betejën me koronavirusin.

Ai ka ndërruar jetë mbrëmjen e sotme (9 dhjetor). Mjeku ka rezultuar pozitiv me koronavirus më 22 nëntor dhe që në fillim ka shfaqur simptoma të rënda shëndetësore.

Neurologu u dërgua menjëherë në Itali për kurim të specializuar. Mjekët italianë i kanë dhënë shpresë për kurimin e tij nëse i sigurohet shtrimi dhe trajtimi në spital për disa javë.

Familjarë dhe të njohur të mjekut bënë thirrje qytetarëve për të ndihmuar financiarisht për trajtimin e tij në spital.

Në një reagim në Facebook, ministrja Ogerta Manastirliu deklaroi se qeveria shqiptare do t'i mbulonte të gjitha shpenzimet spitalore mjekut Drini Dobit.

Në 24 orët e fundit në Shqipëri u raportuan 752 raste të reja dhe 15 humbje jete si pasojë e koronavirusit.