Tiranë - Pak pas orës 14:00, ajo që ishte paralajmëruar si një protestë kombëtare e studentëve, para Ministrisë së Arsimit, shënoi një pjesëmarrje shumë të ulët. 

Pas një ore qetësie, një grup i vogël protestuesish të maskuar, nisën të djegin koshat e mbeturinave dhe t’i shtyjnë në drejtim të forcave të policisë. 

Nga ky moment, protestuesit nisën një marshim drejt Zogut të Zi, ku shkulën disa kangjella buzë trotuarit, dhe bllokuan qarkullimin.

Rrugën e hapën vetëm për kalimin e një makine private brenda së cilës ishte një grua shtatzënë gati për lindje. 

Grupi i protestuesve marshuan më tej drejt 21 dhjetorin. Dogjën sërish disa kosha. 

Rrugës bënë një ndalesë para komisariatit numër 2, por pa shënuar incidente. 

Këtë të shtunë nëpër rrugët e kryeqytetit nuk munguan aktet vandale ndaj pronës private. Protestuesit thyen disa reklama.

Pas marshimit përgjatë bulevardit “Bajram Curri”, rreth orës 17:00 protestuesit u grumbulluan përpara Kryeministrisë. 

Sërish një grup i vogël me maska tentuan të thyejnë derën e kryesisë së Kuvendit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:07
Me hekur në duar, momenti kur protestuesit e maskuar tentojnë të shqyejnë derën e Kryesisë së Kuvendit (VIDEO)

Një grup protestuesish të maskuar kanë sulmuar në tubimin e sotëm me një tup të gjatë hekuri derën e Kryesisë së Kuvendit, me qëllim hapjen e saj dhe depërtimin brenda institucionit.

Ora 17:54
Protestuesit qëllojnë me gurë Kryesinë e Kuvendit! Ndërhyn policia, disa të shoqëruar (VIDEO)

 

Disa protestues kanë qëlluar me gurë drejt Kryesisë së Kuvendit.

Pas këtij episodi kanë ndërhyrë edhe shërbimet e policisë, ku edhe kanë shoqëruar disa protestues.

Ora 17:24
S'heqin dorë nga dhuna, një grup protestuesish të maskuar shkulin kangjëllat dhe tabelat në rrugët e Tiranës dhe i tërheqin zvarrë (VIDEO)

Protestuesit kanë vijuar aktet e dhunshme në Tiranë gjatë protestës së sotme, duke shkulur kangjëllat anësore të rrugëve dhe tabelat e sinjalistikës rrugore.

Me thirrjet për dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Edi Rama, një pjesë e tyre i kanë marrë me vete kalgjëllat dhe tabelat, teksa vijonin marshimin për t'u ndalur te Kryeministria.

Ora 16:41
Akte vandale mes Tiranës, protestuesit e dhunshëm thyejnë me leva hekuri tabelat dhe stacionet e autobusëve (VIDEO)

Një grup protestuesish, gjatë marshimit në rrugët e Tiranës, në zonën e '21 Dhjetorit', kanë sulmuar me leva hekuri dhe sende të forta tabelat dhe stacionet e autobusëve.

Ora 16:39
'Polici e krimit'- Protestuesit marshojnë para Komisariatit nr.2 në Tiranë (VIDEO)

 

Protestuesit kanë vijuar marshimin në rrugët e Tiranës dhe sëfundmi kanë parakaluar pranë Komisariatit nr.2, në zonën e '21 Dhjetorit' me thirrjet 'polici e krimit'.

Ora 16:21
Bllokuan rrugën në Zog të Zi, protestuesit lejojnë të kalojnë vetëm makinën e që po transportonte gruan shtatzënë: Hapuni se është duke lindur (VIDEO)

Protestuesit kanë bllokuar rrugën në Zi, duke krijuar kështu edhe radhë automjetesh.

E vetmja makinë që lejuan ishte ajo që po transportonte një grua shtatzënë.

"Hape rrugën se është duke lindur", dëgjohet të thotë njëri prej tyre.

Ora 16:17
Protestuesit nisin 'ritualin' djegin koshin e mbeturinave në Zog të Zi (VIDEO)

Pasi u zhvendosën drejt Zogut të Zi, protestuesit dogjën edhe një tjetër kosh mbeturinash.

Ata bllokuan rrugën dhe qarkullimin e automjeteve.

Ora 16:11
Nisin aktet vandale në kryeqeytet, 'maskat' shkulin kanegjellat (VIDEO)

Protestuesit kanë nisur me aktet vandale në kryeqytet.

Gjatë marshimit drejt Zogut të Zi 'maskat', por edhe protestues të tjerë kanë prishur dhe shkulur disa kangjella në rrugë.