Ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, ka deklaruar (për herë të parë zyrtarisht) se droni detar i mbushur me eksploziv i gjetur në brigjet e Lefkadës (për të cilin autoritetet thanë se mund të ishte nisur nga porti i Vlorës ose nga Libia), ishte ukrainas. Dendias e cilësoi praninë e tij në Mesdhe si “një çështje jashtëzakonisht serioze”.

Nga Brukseli, gjatë mbërritjes në Këshillin e Ministrave të Mbrojtjes të Bashkimit Europian, ai bëri të ditur se informoi homologët e tij europianë, në prani edhe të ministrit ukrainas të Mbrojtjes përmes një videokonference.

“Do të kem mundësinë të informoj kolegët e mi, në prani edhe të ministrit ukrainas të Mbrojtjes, për të dhënat që lidhen me dronin që nxorëm nga deti në Greqi, mjetin detar pa pilot për të cilin tashmë jemi të sigurt se është ukrainas. E kuptoni se prania e këtij droni detar ndikon në lirinë e lundrimit, por edhe në sigurinë e lundrimit. Kjo është një çështje jashtëzakonisht serioze”, tha mes të tjerash Dendias.

Sipas informacioneve nga Brukseli, ministri ukrainas i Mbrojtjes nuk dha një përgjigje të menjëhershme, por u rezervua të hetojë çështjen dhe të rikthehet me sqarime.

Droni detar u gjet disa ditë më parë pranë Lefkadës nga peshkatarë dhe më pas u tërhoq në portin e Vasilikit. Sipas ekspertëve grekë të sigurisë, bëhet fjalë për një mjet ushtarak të tipit “Magura V5”, i mbushur me rreth 100 kilogramë eksploziv, me aftësi për të goditur anije në sipërfaqe. Autoritetet greke po hetojnë gjithashtu nëse objektivi i tij mund të ishte një cisternë ruse që lëvizte në Mesdhe.

Një ditë më parë, edhe ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis, foli për “një zhvillim shumë serioz”, duke paralajmëruar se Greqia nuk do të lejojë që Mesdheu të kthehet në teatër operacionesh ushtarake. Ai deklaroi se, sapo të përfundojë hetimi teknik nga Shtabi i Përgjithshëm, qeveria greke do të ndërmarrë “hapat e nevojshëm diplomatikë”.

Ndërkohë, opozita greke kërkon sqarime të plota nga qeveria në Parlament, duke pyetur se si është e mundur që një dron ushtarak me eksploziv të arrijë në Detin Jon pa u zbuluar më herët dhe nëse ekziston rreziku që konflikti mes Ukrainës dhe Rusisë të transferohet pranë brigjeve greke.