Autoritetet greke vijojnë kërkimet për Alket Rizain për të katërtën ditë. Alket Rizai ishte me leje shpërblyese që prej datës 7 shtator dhe duhej të rikthehej në burgun e Domokos mëngjesin e 14 shtatorit hëne, por ai nuk u paraqit, duke u shpallur kështu zyrtarisht nga autoritetet greke si i arratisur.
Që nga viti 2021, Rizai kishte marrë plot 16 leje për të dalë nga burgu. Gjatë lejes së fundit Rizai u përfshi në një incident të armatosur jashtë një lokali plazhi në Saronida dhe që prej asaj dite nuk ka asnjë gjurmë të tij.
Sipas mediave greke, një ekip oficerësh policie po përpiqen të gjejnë vendstrehimin e Rizait, por deri më tani kërkimet nuk kanë pasur rezultat. Ndërsa ditët kalojnë, skenari se Rizai, i njohur për marrëdhënien e tij të ngushtë me Vasilis Paleokostas, ka kaluar në Shqipëri po forcohet.
Informacioni që ka mbërritur në Policinë Helene raporton se gjurma e fundit e Rizait ndodhet në Greqinë Veriore, nga ku ai ndoshta do të kishte kaluar drejt Shqipërisë në mënyrë të paligjshme. Kjo nuk mund të merret si e mirëqenë, por tani është një mundësi që po merr gjithnjë e më shumë peshë, sipas autoriteteve greke.
Alket Rizai po përballet me një akuzë të re, në një kohë kur lirimi i tij nga burgu ishte shumë afër. Në pesë vitet e fundit, ai kishte marrë 16 leje për t’u larguar nga qelia.
Në të njëjtën kohë, policia greke po kërkon edhe një afgan, i cili ishte ai që qëlloi dhe plagosi 2 qytetarët në vendngjarje, në incidentin ku u përfshi edhe Rizai. Ky person duket se ka lidhje me biznesin jashtë të cilit ndodhi konflikti i përgjakshëm.








Komente
Komento