Gëzim Ndoka, vëllai i ish-deputetit Arben Ndoka, ka rënë në prangat e Policisë, pasi pak ditë më parë u përfshi në një konflikt të dhunshëm mes disa personave.
Ngjarja ndodhi në 12 janar të këtij viti, ku Gëzim Ndoka bashkë me të birin, 20-vjeçarin Kevin, u konfliktuan në një lokal me shtetasit Gjergj dhe Nikolin Marku, kushërinj.
Burime për Report TV bëjnë të ditur se dy kushërinjtë mbetën të dëmtuar pas sherrit dhe pasi morën trajtim mjekësor, u paraqitën në komisariat ku bënë denoncimin.
Po ashtu, dy kushërinjtë e dëmtuar u paraqitën në Komisariatin e Policisë së Lezhës ku pretenduan se babë e bir, Gëzim e Kevin Ndoka, ishin të armatosur dhe se i qëlluan me sende të forta në kokë, përfshirë me qytën e pistoletës, sapo hynë në lokal.
Ndërkohë Policia po vijon hetimet për zbardhjen e dinamikës së plotë të ngjarjes dhe arrestimin e të nipit të ish-deputetit Ndoka.
Njoftimi i Policisë:
Specialistët e Sektorit të Mbështetjes Operacionale, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të hetimeve dhe veprimeve operacionale, për sqarimin e rrethanave të konfliktit të ndodhur ndërmjet 4 shtetasve, në ambientet e një lokali, në Lezhë, më datë 12.01.2026, si dhe për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të përfshirë, kapën shtetasin e shpallur në kërkim, G. N., 53 vjeç. Për këtë shtetas, prokurori vendosi procedim penal në gjendje të lirë. Vijojnë kërkimet për kapjen e djalit të 53-vjeçarit, shtetasit K. N..
Komente










