Elon Musk ka reaguar sërish lidhur me publikimin e faqeve të reja në dosjen 'Epstein', në të cilat del dhe emri i tij.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, shefi i Tesla-s shprehet se askush nuk ka luftuar më shumë se ai për publikimin e plotë të dosjeve të Epstein dhe ndjekjen penale të atyre që abuzuan me fëmijët.

"Askush nuk ka luftuar më shumë se unë për publikimin e plotë të dosjeve të Epstein dhe ndjekjen penale të atyre që abuzuan me fëmijët, duke e ditur shumë mirë se media trashëgimtare, propagandistët e së majtës ekstreme dhe ata që janë në të vërtetë fajtorë, nuk do të pranonin asgjë, nuk do të mohonin gjithçka dhe do të bënin kundërakuza kundër meje.", theksoi ai.

Musk shtoi se e dinin se emri i tij do të njollosej, pavarësisht se nuk ka qenë i pranishëm në festat e Jeffrey Epstein, apo të kishte shkelur në ishullin e tij.

“E dija që do të më njollosnin pa pushim, pavarësisht se nuk kisha marrë pjesë kurrë në festat e tij, nuk kisha qenë në aeroplanin e tij "Lolita Express", nuk kisha shkelur në ishullin e tij të frikshëm dhe nuk kisha bërë asgjë të gabuar. Të fortët duhet të mbrojnë ata që nuk mund të mbrojnë veten, veçanërisht fëmijët e cenueshëm. Do të pranoj çdo dhimbje në të ardhmen për të bërë më shumë për të mbrojtur fëmijët dhe për t'u dhënë atyre një shans për t'u rritur dhe për të pasur jetë të lumtura.”, tha Musk.

 

Dokumentet e publikuara tregojnë se më 13 dhjetor 2013, Musk i kishte dërguar një email Epsteinit, duke e informuar se do të ndodhej në Ishujt Britanikë dhe në Shën Barthélemy gjatë festave dhe duke e pyetur nëse kishte një kohë të përshtatshme për ta vizituar. Epstein iu përgjigj se fillimi i vitit të ri do të ishte i përshtatshëm, duke shtuar se “gjithmonë ka vend për ty”.

Nga korrespondenca nuk rezulton qartë nëse Musk ka vizituar ndonjëherë ishujt e Epstein. Megjithatë, emailet zbulojnë një nivel komunikimi mes tyre që nuk ishte bërë publik më parë, në kontrast me përpjekjet e mëvonshme të Musk për t’u distancuar nga Epstein.