E reja greke 21 vjeçare e cila mbrëmjen e së martës së kaluar u përplas nga një makinë që drejtohej nga 26 vjeçari shqiptar, nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra. Lajmi u bë i ditur nga mediat greke. Ajo ka ndërruar jetë pak pas orës 08:00 të mëngjesit të sotëm në spitalin Papageorgiou. Pavarësisht një sërë operacioneve kryesisht në pjesën e kokës, 21 vjeçarja nuk arriti të mbijetonte pas plagëve të shkaktuara.
Aksidenti ndodhi në Selanik ku 26 vjeçari shqiptar ka qenë duke qarkulluar me shpejtësi ‘marramendëse’ dhe pasi e ka përplasur të renë greke është larguar nga vendngjarja. Viktima ishte studente e mjekësisë veterinare dhe sapo ishte kthyer nga vizita që kishte bërë në familjen e saj gjatë fundjavës.
Shqiptari në një deklaratë të tij të bërë të mërkurën, kërkoi falje mbi ngjarjen e ndodhur dhe largimin e tij nga vendngjarja e justifikoi me faktin që nuk kishte leje qëndrimi në Greqi. Ndërsa shtoi se një aksident i tillë nuk do kishte ndodhur nëse e reja greke nuk do kishte tentuar të kalonte rrugën aty ku nuk kishte vendkalim për këmbësorë.