Pranë tregut të fruta-perimeve në Durrës, drejtuesi i një Benzi, që ishte në ndjekje nga policia, është përfshirë në aksident rrugor. Shoferi po ndiqej nga forcat “Shqiponja” siç shihet në pamjet e siguruara nga Report TV, dhe ka devijuar korsinë, duke u përplasur me 5 automjete.

Pas përplasjes, Regi Xhanari ka braktisur automjetin dhe është larguar me vrap nga vendngjarja.

Uniformat blu ngritën pika kontrolli dhe nisën kërkimet në disa zona të qytetit për lokalizimin e tij. Mësohet se ai ka qenë në ndjekje për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Mashtrimi”. 

"Rreth orës 12:45, në lagjen nr. 14, Durrës, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, gjatë patrullimit, i kanë bërë shenjë ndalimi drejtuesit të një automjeti që po lëvizte me shpejtësi, por ai nuk i është bindur urdhrit të Policisë dhe ka vijuar lëvizjen. Gjatë largimit, drejtuesi i automjetit, shtetasi R. Xh., ka përplasur 5 automjete të parkuara, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Më pas, ai ka braktisur automjetin dhe është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes.

Shërbimet e Policisë janë vënë menjëherë në ndjekje të tij dhe po kryejnë kontrolle intensive në zonë për lokalizimin dhe kapjen. Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se shtetasi R. Xh. ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Mashtrimi”, njofton policia. 

Nga aksidenti nuk raportohen persona të lënduar, ndërsa ka dëme dëme të shumta materiale.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:28
‘Shqiponjat’ pas ‘Benz’-it në Durrës, momenti kur përplas makinën tjetër gjatë arratisë

 

Report Tv ka siguruar pamjet nga momenti kur “Shqiponjat” po ndiqnin një drejtues mjeti në Durrës, për shkaqe ende të panjohura.

Në video, shihet drejtuesi i ‘Benz’-it që përpiqet të devijojë mes trafikut dhe përplas një automjet tjetër duke i thyer pasqyrën e majtë.