Policia gjermane arrestoi të enjten tre aktivistë të klimës me dyshimin se kishin hyrë në aeroport për të hedhur bojë rozë mbi aeroplanin privat të kancelarit gjerman Friedrich Merz. Policia dhe grupi i aktivistëve Resistance Collective konfirmuan incidentin në aeroportin ku Merz, i cili është një pilot amator, mban aeroplanin e tij.
"Plani ishte të lyenim aeroplanin me ngjyrë rozë për ta nxjerrë efektivisht jashtë shërbimit," tha grupi protestues në një deklaratë dërguar AFP.
Aktivistët mbanin një pankartë që shkruante "Lëvizshmëri për të gjithë, jo vetëm për të pasurit!" dhe gjithashtu kishin planifikuar të linin pas një biçikletë si një mjet transporti më miqësor me klimën për Merz, tha grupi.
Policia tha se e pengoi planin pasi ndaluan makinën e njërit prej aktivistëve pranë eeroportit Arnsberg-Menden në rajonin e lindjes së Merz, Sauerland, rreth 40 kilometra në lindje të Dortmundit. Shoferi tha se po kërkonte aeroportin dhe regjistrat e policisë treguan se personi më parë kishte qenë "i përfshirë në krime me motive politike", sipas një deklarate të policisë. Tre aktivistë të tjerë u arrestuan më pas për hyrje të paligjshme brenda zonës së kufizuar të aeroportit, pasi policia nisi një kontroll pasues.
Policia konfirmoi se aeroplani personal i Merz ishte në aeroport.
"Katastrofa klimatike po përkeqësohet – uria, nxehtësia dhe fatkeqësitë natyrore po marrin jetë, megjithatë Friedrich Merz fluturon me aeroplanin e tij privat," tha aktivistja Anja Windl. "Kancelari duhet të jepte shembull për ne të tjerët."
Tre aktivistët u kapën në pistën e vogël të aeroportit dhe po mbahen në paraburgim.
Komente












