TIRANË- Floresha Rasha, një nga 5 të riatdhesuarit nga kampi ‘Al Hol’ në Siri i është nënshtruar një operacioni në spitalin e Traumës. Ndërhyrja është bërë në këmbë, pasi ajo kishte mbetur e plagosur gjatë qëndrimit në Siri. Nga sa Report Tv mëson nëpërmjet gazetares, Doris Sallaku, operacioni ka shkuar me sukses, ku pritet që të marrë disa seanca fizioterapie për rikuperimin e saj të plotë.

Më 26 tetor u përmbyll me sukses operacioni për kthimin e 4 fëmijëve, Amar Rasha, Emel Rasha dhe Hatixhe Rasha dhe nëna e tyre Floresha Rasha (e plagosur në Siri) dhe të Endri Dumanit. Në kamp vijon të jetë motra e Endrit, Eva, ku sipas burimeve ajo është fshehur sepse nuk ka dashur që të rikthehet. 

Psa kthimit nga kampi i ferrit "Al Hol" Rasha me fëmijët e saj si dhe Endri Dumani u zhvendosën për rehabilitim në shtëpinë e pushimit të ushtarakëve të Ministrisë së Mbrojtjes, në Konvaleshencë të Durrësit. Sipas burimeve, ka përfunduar faza e parë e trajtimit psikologjik që kishte të bënte me largimin e panikut nga gjendja e luftës që ata kishin përjetuar.