TIRANË - Një 26-vjeçar, teknik për montimin dhe riparimin e kondicionerëve, humbi jetën pasi u qëllua me një plumb pistolete në kokë nga djemtë e pronarit të ndërtesës ku ai po punonte. Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e djeshme në rrugën "Muhamet Gjollesha" në Tiranë, ndërsa i riu, Indrit Çelaj me origjinë nga Mallakastra, ndërroi jetë sot në Spitalin e Traumës. Ngjarja ishte e vështirë për tu zbardhur. Dy vëllezërit Griseldo dhe Albano Kusi, 31 dhe 28 vjeç, pasi qëlluan punëtorin në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke e lënë fillimisht të plagosur rëndë, kërcënuan një tjetër punëtor që shoqëronte Indrit Çelën për riparimin e kondicionerit me të cilin kishin lidhje shoqërore, duke i kërkuar të pranojë para autoriteteve se është ai personi që plagosi 26-vjeçari. Por Lorenc Veliaj, 27 vjeç u largua nga vendi i ngjarjes, për shkak se rezulton të ishte në kërkim policor për vepra të tjera penale.

Pas punës hetimore të policisë, Lorenc Veliaj u arrestua mbrëmjen e djeshme, shumë orë pas krimit, ku me dëshminë e tij ka zbardhur gjithçka ndodhi. Ai deklaroi se ishin vëllezërit Griseldo dhe Albano Kusi që në bashkëpunim me njëri-tjetrin qëlluan me armë punëtorin, pas një debati se po pikonte ujë kondicioneri. Ai tha se vëllezërit, i kërkuan që të pranonte se ishte ai personi që plagosi me armë Indrit Çelën, që sot ndërroi jetë. Por Veliaj ka rrëfyer gjithçka para hetuesve. Në këto kushte, Veliaj u vu në pranga si person në kërkim për veprat e tjera që rëndonin ndaj tij: “Kundërshtim me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Shkatërrimi i pronës”, për të cilat Gjykata e Tiranës i kishte vendosur masën e sigurisë "arrest me burg". Teksa vëllezërit bashkëpunëtorë në vrasje janë vënë në kërkim për krimin e rëndë dhe për armëmbajtje pa leje, Policia e Tiranës ka vënë në pranga 4 persona, mes të cilëve edhe pronarin e vilës që po rikonstruktohej, Bujar Kusin, 54 vjeç.

Tre të arrestuarit e tjerë janë  Edmond Sula, 43 vjeç, i cili akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje” në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve luftarake dhe e municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit", Ferdinand Bakalli 41 vjeç dhe Luan Çaka 36 vjeç të cilët akuzohen për “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Ata  dyshohet se kanë qenë prezent ne momentin që ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë njoftuar policinë.

Ngjarja ndodhi të enjten (22 gusht) rreth orës 11:00 në katin e parë të godinës trekatëshe, pas konfliktit të çastit me teknikun e kondicionerëve, i cili po kryente kondicionimin e vilës në zonën e "Myslym Shyrit", pikërisht në këtë ambient që do të bëhej lokal.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:40
Dy të 'fortë' ia morën jetën në kulmin e saj, babai i Celajt zbulon detajin që e bën më tragjike këtë histori

Indrit Çelaj u vra nga dy vëllezërit, pasi kondicioneri që ai kishte montuar pikonte! Vdiq në moshën 26-vjeçare, në kulmin e rinisë, teksa ishte duke punuar dhe fituar lekët me "djersë". Babai i Çelajt ka dhënë një detaj që e bën akoma më tronditëse këtë ngjarje. Në shtator 26-vjeçari do të fejohej, por dy të "fortë", vëllezërit Kusi,  ia morën jetën për motivin në absurd.

"Në fillim të shtatorit do bënim bufenë. Kur vajta në spital vetëm kam mbajtur veten . Sikur  të kisha fuqi nuk dija se ca mund të bëja. Ku do kërkoj drejtësi, kush ma zgjidh mua..." ka thënë ndër të tjera babai i Indrit Çelaj.

Ora 16:39
Vranë teknikun e kondicionerit/ Familja Kusi nga 2017 në hetim për 'pastrim parash'! Një pjesë e punimeve të vilës pa leje

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja tronditëse në kryeqytet, kur dy fëmijët e pronarit Bujar Kusi, kanë vrarë punonjësin e kondicionerit, sepse ky i fundit pikonte. Që prej 2017, burime zyrtare bëjnë me dije se familja Kusi është nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për "Pastrim Parash". Një grup i madh personash nga ky fis vijojnë të jenë në hetim, duke qenë se akuzohet për një "grup të strukturuar kriminal", për disa ngjarje të ndodhur në kryeqytet. 

Ndërkohë, ka mjaftuar kjo ngjarje, për të mësuar se një pjesë e punimeve në këtë ndërtesë, ku do të bëhej një lokal në pronësi të Bujar Kusit, ishin pa leje. Një grup me punonjës të IKMT-së kanë mbërritur në godinë, për të bërë verifikimin e ndërtesës. Lidhur me këtë ngjarje po hetohet një punonjës i Bashkisë sepse duhet të kishte pezulluar punimet, sepse ai i kishte tejkaluar lejen që i kishte dhënë Bashkia. Ndërkohë, ndërtesa ishte e gjitha me leje.

Ora 12:12
Vrasje të kushëririt e dy plagosje/ Zbulohet e kaluara e dy vëllezërve që ekzekutuan të riun për një kondicioner

Dy vëllezrit që kryen krimindje në Tiranë, Griseldo Kusi dhe Albano Kusi (djemtë e Bujar Kusit) nuk janë emra të panjohur për drejtësinë shqiptare. Ty dy vëllezërit janë të përfshirë në ngjarje kriminale, vrasje, plagosje e tentativë vrasje.

Konkretisht Albano Kusi ka vrarë me armë zjarri Shkelqim Nozlli, ngjarje kjo e ndodhur në 16 tetor te vitit 2010 ndërkohë që trupi i viktimës u gjet dy ditë më vonë në Qafë-Krrabë.  Pas hetimeve rezultoi se zanafilla ishte një borxh i papaguar mes viktimës dhe Albano Kusit  edhe pazaret per blerjen e drogës.

Sipas vendimit te Gjykatës, motivi i ngjarjes ishte një borxh prej 650 eurosh që i kishte viktima. Sipas Kusit këto para viktima ia kishte kthyer e më pas ia kishte kërkuar sërish. Viktima Nozlli u kishte premtuar dy punonjësve të policisë shitjen e dy pistoletave nga 1 mijë euro secila. Sipas vendimit të mases së sigurise ditën e ngjarjes Nozlli ka takuar policët. Pasi u ka treguar njerën nga pistoletat ai u ka marrë atyre shumën e 1750 eurove. Më pas u ka thënë se do te takonte kushëririn e tij Kusin për të marrë pistoletën tjetër. Sipas hetimeve Nozlli ka Takuar Kusin dhe me anë të një taksie kanë udhëtuar drejt Qafë-Krrabës ku pas dy ditësh Nozlli u gjend i vdekur. Gjate deklarimeve në polici Kusi ka pranuar se ka qenë ai autor i vrasjes se Nozllit. Kusi pretendon se viktimën e kishte të afërt dhe se ky i kishte borxh shumën prej 650 eurosh.

Ditën e ngjarjes ata janë takuar së bashku dhe kanë shkuar në Krrabë pasi viktima i ka thene Kusit se atje do të gjente shumën e parave për t'ia kthyer. Gjatë rrugës Kusi pretendonte se viktima ia ka dhëne paratë. Me pas kur kanë arritur ne Kerrabë viktima i ka marre Albanos një pistoletë që ky i fundit e mbante pa leje për shkak të hasmërive që kishte fisi i tij dhe nën kercenimin e pistoletes viktima ka kërkuar ti marrë sërish parate e dhëna disa caste me pare. Në përleshje Albano Kusi pretendonte se arma ështe shkrehur pa dashje dhe Nozlli ka rënë përtokë i vdekur. Po ashtu Albano së bashku me disa persona të tjerë grabitën një Kazino në 2010.  Nga kjo grabitje ka mbetur i plagosur me armë zjarri punonjësi e sigurisë në këtë kazino Nexhat Muca 34 vjeç.

Ndërsa vëllai tjetër, Griseldo Kusi në vitin 2011 është arrestuar nga policia pasi ka tentuar të vrasë Maksut Hysën. Ngjarja ndodhi në fshatin Mnik të Tiranës, ku Griseldo Kusi ka tentuar të vrasë Maksut Hysin. Po ashtu në vitin 2012 Griseldo ishte bërë pjesë e një tjetër historie kriminale. Kjo ngjarje ka ndodhur në Janar të 2012 ku Griseldo Kusi ka tentuar të vrasë me armë zjarri Boiken Spahiun, ky i fundit arriti të shpëtojë me një plumb në shpatull. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:30 të natës, kur Spahiu po kthehej në shtëpi me makinën e tij tip “Benz” me targë TR 3582 S. Sapo ka kaluar semaforin në rrugën “Muhamet Gjollesha”.

Por pavarësisht këtyre krimeve të vëllezërve Kusi, drejtësia i ka lënë të lirë, duke shkaktuar kështu edhe krimin e radhës. Ndërkohë që ata janë përsëri në lir edhe pse në kërkim nga policia.

Ora 11:28
'Pikon'...Ky është kondicioneri që po rregullonte Indrit Çelaj, për të cilin vëllezërit Kusi i morën jetën (VIDEO)

Report Tv ka siguruar pamjet brenda vilës së Bujar Kusit në të cilën nisi konflikti që më pas i kushtoi jetën Indrit Çelajt. Ndërtesa tre katëshe po përshtatej që të bëhej lokal, ndërsa Çelaj po punonte për të rregulluar kondicionerin. Pikërisht puna e tij mesa duket nuk u ka pëlqyer djemve të Bujar Kusit të cilët pas një debati, kanë plagosur rëndë me plumb në kokë Indrit Çelajn. Report Tv ka mundur të sigurojë edhe pamjet e këtij kondicioneri që sipas pretendimeve të autorëve të vrasjes pikonte ujë. Djemtë e pronarit të ndërtesës janë ankuar dhe kanë nisur debatin pasi janë shprehur se kondicioneri pikon.