MALIQ- E raportuar fillimisht si ngjarje aksidentale, Policia e Korçës ka zbardhur ngjarjen e rëndë të ndodhur pasditen e së premtes në Maliq. Në pranga ka përfunduar Shefki Bylykbashi, 77 vjeç, i cili me sende të forta ka qëlluar të birin në kokë, Hamdi Bylykbashi, 50 vjeç dhe ka ndërruar jetë rrugës për në spital.

Ngjarja është zbardhur pasi policia ka mbërritur në spital. Familjarët fillimisht u kanë deklaruar hetuesve se 50-vjeçari ka qenë në gjendje të dehur dhe është rrëzuar e si pasojë ka dëmtuar edhe kokën. Pas hetimeve u siguruan provat, përmes së cilave rezultoi se 50-vjeçari ka qenë në gjendje të dehur dhe është konfliktuar në shtëpi me babanë, Shefkiun, të cilin ka dashur t'ia hedhë në pusin e ujit në oborr.

Më pas 77-vjeçari, e ka goditur disa herë në kokë me çekiç që përdoret për të thyer gurë dhe si pasojë e dëmtimit të rëndë, 50-vjeçari ka humbur jetën gjatë rrugës për në spitali. Pas hetimeve paraprake, policia ka arrestuar 77-vjeçarin nën akuzën e vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare.

“ Hamdiu erdhi në shtëpi rreth orës 16:30 dhe aty jemi zënë. Gjatë zënkës ka tentuar të më hedh në pus. Kam marrë një çekiç që ishte aty pranë dhe për vetëmbrojtje e kam qëlluar në kokë. Nuk kam dashur ta vras, doja vetëm ta neutralizoja”, mësohet të ketë thënë autori.

Kryeplaku i fshatit Adriatik Lilo ka treguar se viktima ishte divorcuar 2 herë dhe prej kësaj kohe kishte nisur pijen, e ndërsa autori, tregon se kishte pasur probleme të shëndetit mendor, pasi kishte shfaqur shenja depresive.

 “Ishte shumë familje e rregull, shumë familje e mirë. Askush s’i shkonte mendja, djali ka pasur 2 divorce, kishte nja 1 vite e gjysmë 2 që ishte kthyer nga Gjermania, pija e kishte rënduar, ndoshta ndarja nga familja. Njoftoj ambulancën, por ai ndërroi jetë, kur erdhi ambulanca ka qenë i gjallë. I ati ka kaluar në depresion, nuk ka qenë mirë. Viktima ishte djalë i vetëm, dhe 5 motra. Më thanë që ishte me gjak, shumë i dëmtuar”, tha Lilo.

77-vjeçari Shefki Bylykbashi është nën akuzën e vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare.

1676711688_ShefkiBylykbashi.jpg

Viktima Hamdi Bylykbashi dhe autori Shefki Bylykbashi

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:19
Babai vret të birin në Maliq për vetëmbrojtje, del foto e autorit dhe viktimës

1676711688_ShefkiBylykbashi.jpg

Viktima dhe autori

Report Tv ka siguruar foton e autorit dhe viktimës, babë e bir në Korçë. Në foto është  Shefki Bylykbashi, 77 vjeç, i cili me sende të forta ka qëlluar të birin në kokë, Hamdi Bylykbashi, 50 vjeç. Ngjarja ka ndodhur për vetëmbrojtje, për shkak se 50-vjeçari ka tentuar ta hedhë në pus dhe 77-vjeç e ka goditur në kokë me çekiç.