Lojërat Olimpike Dimërore 'Milano Cortina 2026' kanë nisur nga aktiviteti, ndërsa Shqipëria do përfaqësohet në këtë event nga katër skiatorë. Mes tyre është edhe 18-vjeçarja Semire Dauti.
E lindur më 13 prill 2007 në Itali, Dauti do debutojë në një event madhor me fanellën kuqezi të origjinës. Së bashku me Lara Colturin, Denni Xhepën dhe Lisa Brungën, skiatorët kërkojnë të bëjnë historinë dhe t'i sjellin vendit tonë të parën medalje në Olimpiadën Dimërore.
Semire Dauti është rritur dhe stërvitur në Itali, teksa do jetë në pistë më 15 dhe 18 shkurt në disiplinat e Slalomit dhe Slalomit Gjigant. Arritja më e madhe e saj deri në këtë pikë të hershme të karrierës ka qenë vendi i tretë në Kampionatin Italian të Skive.
"Në moshën 18-vjeçare, për mua është një emocion i madh të marr pjesë në Lojërat Olimpike dhe do përpiqem të jap gjithçka nga vetja. Motoja? Të besosh gjithnjë dhe të japësh maksimumin.
Skitë kanë qenë një pjesë themelore e jetës sime, kështu që përfaqësojnë gjithçka. Deri tani momenti më i rëndësishëm në karrierën time është vendi i tretë në kampionatin italian të skive. Do jap më të mirën time për Shqipërinë në dy garat e mia, në Slalom dhe Slalom Gjigant", tregonte pak ditë më parë Semire Dauti.
Më 15 shkurt Semire Dauti do jetë në pistë bashkë me Lara Colturin në disiplinën e Slalomit Gjigant, me garën që nis lëshimin e parë në orën 10:00 të mëngjesit. Ndërkohë më 18 shkurt tre vajzat e skuadrës shqiptare, Lara Colturi, Lisa Brunga dhe Semire Dauti do të marrin pjesë në disiplinën Slalomit në orën 10:00 në Cortina D’Ampezzo.
Në Lojërat Olimpike Dimërore 'Milano Cortina 2026' (6-22 shkurt) Shqipëria përfaqësohet nga 4 skiatorët: Lara Colturi, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti.

Semire Dauti, Lara Colturi dhe Lisa Brunga
Komente











