Në ditën e gjashtë të protestës, banorët e Rrjollit zbritën në kantierin e ndërtimit, aty ku mjetet e rënda të GENER 2 punojnë pa pushim në bregdet për të ngritur resortin “Blu Borgo”, leja e të cilit u firmos 3 javë më parë nga ish-zv/kryeministrja Belinda Balluku.
Janë të vendosur për të mbrojtur pronat e tyre, që pretendojnë se ua ka grabitur përmes dokumenteve të falsifikuara, Fatmir Shpellzaj, ish-drejtor kadastre dhe eksponent i Partisë së Lirisë. Po sipas banorëve, tokat e tyre të grabitura, Shpellza ia ka shitur biznesmenit Bashkim Ulaj për ndërtimin e resortit me 5 yje.
“Sot është dita e gjashtë, dje kemi bërë një protestë që është e paparë. Sot po mblidhet populli. Ca kemi mbetur këtu jemi, çfarë do të vijë do të shihet javës tjetër. Kjo do të jetë protestë që nuk do të mbyllet. I bëjmë thirrje shtetit të vër këto letra në dukje. Të hënën do të bllokojmë Prokurorinë e Shkodrës. Na del një kriminel, Fatmir Shpellzaj dhe merr 1400 dynym tokë dhe nxjerr 80 shtëpi në rrugë të madhe”, tha një banor.
Banorët kërkojnë ekspertim të dokumenteve dhe veprimeve në Kadastër, pasi tyre të dyja palët kanë certifikatë pronësie.
“Nëse ka dikush gjak shqiptari, vjen këtu me na dalë zot. Nuk kemi me u vra me policët, por me na dalë zot me mbrojt tokën tonë. Kujtojnë se vetëm Rrjolli, nesër do ta ketë radhën tjetri. Protestat nuk do i ndalojmë. Qeveria shqiptare ta kuptojë se këtë tokë shqiptare nuk e gëzon dikush përveç pronarit të ligjshëm. Sot vjen një person që i duket vetja i fortë me pushtet. I them tërhiqu nga kjo që ke nis, bëjmë një marrëveshje, firmosim për kontratën dhe t’i të vazhdosh punën”, tha një banor tjetër.
Është pikërisht ky vendi, buzë detit Adriatik, ndërmjet Ranës së Hedhun dhe Velipojës që është kthyer në shesh beteje të përditshme. Kështu ndodhi dhe këtë të shtunë, banorët u sulën për te ndalur punën në kantier, ndërsa policia u bë kordon për të mbrojtur mjetet dhe punëtorët e Bashkim Ulaj.
Numri i policëve është më i lartë se numri i protestuesve, që nuk bëhen as 40 vetë. Pas përleshjes fizike, policia ia doli të mbushë plot dy furgonë me 15 protestues dhe t’i dërgojë në komisariat. Teksa ndodhte përplasje e dhunshme, fabromat dhe skrepat nuk e ndalën për asnjë sekond punën.
Për herë të parë në mbrojtje të banorëve të Rrjollit ka dalë Partia Demokratike, dega e Shkodrës, e cila akuzon Qeverinë dhe Bashkinë per krim mjedisor por nuk ia përmend emrin biznesmenin Bashkim Ulaj, të lidhur me familjen Berisha.
"Hapësira e fshatit Baks Rrjoll u nxor qëllimisht nga Zona e Peizazhit të Mbrojtur Bunë-Velipojë në vitin 2019 e si tillë më pas ishte më lehtë të binte pre e abuzimit me ndërtimet dhe krimin mjedisor që po ndodh", tha PD me një deklaratë.
Nga ana tjetër, policia e Shkodrës nuk ka dhënë asnjë komunikatë zyrtare edhe pse prej 6 ditësh dërgon me dhjetëra efektive në Rrjoll. Protestuesit mbahen të komisariat, për 3-4 orë e më pas lirohen pa asnjë shpjegim mbi arsyet e shoqërimit.
Botuesi pranë familjes Berisha dhe vëllezërit e tij kanë marrë statusin e veçantë të investitorit strategjik për fshatin turistin që do të ndërtohet në kufi mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks-Rrjoll në Shkodër.
Partia Demokratike ka dalë për herë të parë në mbrojtje të banorëve të Rrjollit të cilët po protestojnë kundër ndërtimit të resortit luksoz të Bashkim Ulajt. Dega e PD në Shkodrës, akuzon Qeverinë dhe Bashkinë për krim mjedisor por nuk ia përmend emrin e botuesit dhe ndërtuesit Bashkim Ulaj, të lidhur me familjen Berisha.
Deklarata e plotë e PD në Shkodër
Partia Demokratike dega Shkodër dënon krimin mjedisor dhe ndërtimin abuziv që po ndodh në zonën e Baks Rrjollit pjesë e Njësisë Adiministrative Velipojë dhe e Bashkisë Shkodër. Ky krim vjen si pasojë e abuzimeve në zhvillimet ndërtimore për interesa të ngushta të aktorëve të përfshirë dhe të mbështetur nga pushteti.
Hapësira e fshatit Baks Rrjoll u nxor qëllimisht nga Zona e Peizazhit të Mbrojtur Bunë-Velipojë në vitin 2019 e si tillë më pas ishte më lehtë të binte pre e abuzimit me ndërtimet dhe krimin mjedisor që po ndodh.
Në vitin 2024 po ashtu flasim për tentativën e dytë ligjore që shkon në drejtim të abuzimit me zonat që janë në presion të zhvillimeve ndërtimore ku me amendimin e ligjit për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit, Këshilli Kombëtar i Territorit fiton kompetencën e dhënies së lejeve të ndërtimit në edhe në zona të mbrojtura.
Ky është rasti konkret i cili vjen si pasojë e kapjes së pushtetit nga interesa të ngushta të zhvillimit të territorit me një dëm kolosal mjedisor dhe kundër çdo parimi të zhvillimit të qëndrueshëm e në kundërshti të plotë me komunitetin.
Kjo qeverisje sa herë tenton të zbatojë projekte apo zhvillime propagandistike hyn në konflikt me komunitetin, Konflikt me banorët në Theth, Konflikt me banorët në Rrjoll, konflikt bizneset tek hyrja e qytetit. Kjo qeverisje kërkon ta përdorë popullatën si instrument për të mbajtur pushtetin por nuk punon për komunitetin me qellim rritjen e standardit të jetesës dhe të mirëqenies.
Nga ana tjetër kemi Bashkinë e cila fshihet mbas gishtit e cila duhet të jetë mbrojtësja e interesave të territorit të bashkisë e cila lë në mëshirë të fatit banorët e saj dhe nuk ka forcën të shprehë kundershtinë e projektit sepse funksionon si zgjatim i pushtetit të qendrës.
Kjo Bashki as nuk kryen detyrimin ligjor për marrjen e tarifës apo 3% të e investimit për qëllime të strehimit social në kuadër të projekteve ndërtimore.
Një bashki që është e detyruar të heshtë për krimin mjedisor një bashki e paaftë për të zbatuar instrumentet ligjor që i përkasin.
Partia Demokratike do të qëndrojë gjithmonë në krah të interesit publik në krah të komuniteteve e në krah të zhvillimit të qëndrueshëm.
Komente













Përse nuk bëhet më parë verifikim ligjor në se ka shkelje në ligj për grabitje prone dhe pastaj të sqarohet komuniteti.... Këto konflikte që po përdoret dhuna me siguri do të përfundojë në vrasje prandaj Bashkia duhet ti dali të keqes përpara se të ndodhi në të kundërt del që bashkia është e kompromentuar nga ujku Ulaj që ka gllabëruar Shqipërinë.... Dihet që po ke thënë Ulaj ke thënë SALI NON GRATA.
Përgjigju