Dy ish prokurorë, Gentjan Osmani dhe Ferdinand Elezi dhe një ish gjyqtar, Izet Kadana, të nxjerrë jashtë sistemit të Drejtësisë, gjatë procesit të Vettingut, me vendim të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, kanë fituar të drejtën për të kërkuar rihapjen e çështjes. Shkarkimi i tyre është konsideruar në shkelje të neneve të Konventës Europiane të të Drejtat e Njeriut, nga Gjykata e Strasburgut e cila publikoi sot vendimet për të tre raste.

Ish prokurori i Krimeve të Rënda dhe anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gentjan Osmani, u shkarkua më 31 korrik të vitit 2019, nga Kolegji I Posaçëm i Ankimit, pasi rezultoi se nuk justifikonte dot shpenzimet dhe kursimet e tij përgjatë dy viteve.

Ngjashëm dhe ish drejtuesi I Prokurorisë së Durrësit Ferdinand Elezi, u shkarkua, po nga KPA, për mos deklarimin e një pasurie të shitur, dhe mosjustifikimin e një diferencë në shpenzimet e tij dhe familjes. 

Për të dy, Gjykata europiane e të Drejtave të Njeriut, konsideroi se shkarkimi “nuk ishte në përpjesëtim me qëllimet legjitime të ndjekura” e për pasojë në shkelje të Nenit 8 të Konventës e cila parashikon se “kushdo ka të drejtë për respektimin e jetës së tij private dhe familjare, shtëpisë dhe korrespondencës së tij”. Madje në rastin e Osmanit, vinte në dukje se për të njejtën situatë, bashkëshortja e tij e kishte kaluar Vettingun.

Ish kryetari i Gjykatës së Pukës, Izet Kadana, ishte shkarkuar në 22 Janar të vitit 2020 pasi sipas KP-së, kishte cenuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë me ndërhyrjen e tij për punësimin e bashkëshortes, si dhe komunikimet me vëllain dhe nipin e akuzuar për pjesëmarrje në krim të organizuar.

Por në përballjen në Strasburg, në favor të tij, është shfaqur, edhe një here, prania në trupën gjykuese të Luan Dacit, ish anëtar i Kolegjit të Posaçëm, i shkarkuar pasi u dënua nga Gjykata e Posaçme me akuzën e falsifikimit të dokumenteve për të fituar postin e anëtarit të KPA. Kadana ishte ankuar për shkelje të Nenit 6 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut e cila parashikon “të drejtën për një gjykim të drejtë nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e krijuar me ligj”.

Prania e Luan Dacit në trupën vendimarrëse të KPA, ishte konsideruar si shkak për rihapjen e çështjes dhe për ish gjyqtarin Besnik Cani, i cili zgjodhi të mos e ushtronte këtë të drejtë.

Në maj të këtij viti, edhe ish gjyqtari i Apelit Ervin Metalla, doli fitues në përballjen në Strasburg. Deri më tani e vetmja që ka ushtruar të drejtën për të rihapur çështjen, është ish prokurorja Antoneta Sevdari, e cila është rikthyer në sistem. 

Aktualisht, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, ka pushuar së ekzistuari dhe funksionet e tij do t’i kryejë Gjykata e Kushtetuese, e cila do të duhet të rihapë çështjet nëse dy ish prokurorët Osman dhe Elezi, si dhe ish gjyqtari Kadana do ta kërkojnë këtë, në bazë të vendimit të sotëm të GJEDNJ-së.

Foto nga vendimi për Ferdinand Elezin

 

Foto nga vendimi për Izet Kadana

 

Foto nga vendimi për Gentjan Osmanin