TIRANË-Ylli i 'Dëshmorit të atdheut' Saimir Hoxha është i 225-i që i shtohet Murit të Kujtesës së Policisë së Shtetit në Ministrinë e brendshme. Në ceremoninë e nderimit të Saimit Hoxhës, ishte të pranishëm familjarët e nënkomisarit të ndjerë të Lezhës, kryeministrin Edi Rama, ministri i Brendshëm dhe drejtues të lartë të policisë së Shtetit.

Mes shiut, Rama e cilësoi vrasjen e Hoxhës si një ngjarje të trishtë, por gjithashtu shprehet i lehtësuar që fëmijët e tij nuk do të braktisen nga shteti deri sa ata të shkojnë në moshë madhore, edhe pse mungesën e të atit nuk mund ta zëvendësojë dot askush.

"Sot ne jemi këtu për të mbajtur ceremoninë e vendosjes së yllit në murin e kujtesës së Policisë së Shtetit pranë yjeve të gjithë dëshmorëve të trupave tona të rendit e sigurisë në harkun e këtyre viteve. Është një kohë e gjatë qysh se është vendosur ylli i mëparshëm dhe në një kuptim është lehtësim, që në gjithë morinë e atyre yjeve në atë mur, në këto vite, numri i rasteve tragjike është më pak se gishtat e një dore. Nga ana tjetër statistikat  s’kanë rëndësi, sepse një jetë e vetme vlen sa gjithë jetët kur ajo humbet. Nuk dua të zgjatem se besoj që ky shi që po bie rrëmbyeshëm i thotë më mirë se sa të gjitha fjalët dhe ndjenjat tona. Dua të them se sidoqoftë ndjej një lehtësim kur mendoj se fëmijët e dëshmorit nuk do të jenë vetëm. Ne do të përkujdesemi për ta siç kemi nisur për familjet e tij deri kur të arrijnë moshën e pjekurisë dhe të dalin me këmbët e tyre në jetë. 170% e pagës për fëmijët nuk thotë asgjë në raport me humbjet, natyrisht që as ato 50 mijë lekë nuk thonë asgjë, por sidoqoftë është një lehtësim të mendosh se fëmijët do të jenë të shoqëruar përdore jo vetëm nga nëna, gjyshërit, por dhe nga shteti, nuk do i mungojë asgjë njësoj sikur babai të ishte në jetë, përveç mungesës së tij që askush nuk e zëvendëson dot. Lavdi dëshmorëve të atdheut që sot iu bashkohet dhe ylli i Saimirit", tha Rama.

Saimir Hoxha u vra dy ditë më parë në Kune Vain të Lezhës pasi kishte shkuar në një operacion anti-kanabis në zonë ku u asgjësuan 62 rrënjë kanabis. Ai u vra nga 21-vjeçari Aldi Rama, i cili nuk pranoi të kontrollohet nga policia dhe shtiu në drejtim të tij, ku plumbi e kapi në zemër. Pas 6 orë kërkimesh nga policia, 21 vjeçari u gjet i vetëplagosur në një argjinaturë në Vain të Lezhës, ndërsa humbi jetën disa orë më vonë te spitali i Traumës në Tiranë.

Aldi Rama, i rritur nga gjyshërit, pasi prindërit i kishte të divorcuar, ishte me precedent të mëparshëm penal. Në moshën 18-vjeçare kishte përfunduar në burg, pasi ishte akuzuar për vjedhje dhe posedim kanabisi, ndërkohë që ishte kallëzuar edhe nga e dashura e tij për dhunë fizike. Edhe në vitin 2020 ai është ndaluar sërish për mbajtje pa leje e armëve të ftohta.

Foto nga ceremonia dhe efektivi i vrarë Saimir Hoxha