Aldi Rama, 21-vjeçari që qëlloi dje për vdekje nënkomisarin Saimir Hoxha dje në Lezhë ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në spitalin e Traumës. I riu qëlloi veten me pistoletë në fyt në lagunën e Kune-Vainit gjatë operacionit të RENEA-s për arrestimin e tij, pas vrasjes së efektivit të policisë. Sot u zhvilluan homazhe të Pallati i Kongreseve në nderim të oficerit të vrarë, ndërkohë që policia ka zbardhur zyrtarisht të gjithë dinamikën e ngjarjes.

Policia e Shtetit përmes një njoftimi ka zbardhur të gjithë dinamikën, se si sipas saj ndodhi ngjarja hap pas hapi, ndërkohë që Report Tv ka siguruar pamjet e ngjarjes së rëndë ku duket qartë se si pasi po ndiqeshin nga të rinjtë, 3 policët dalin nga makina dhe i ndalojnë. Vetëm pak sekonda më tej shikohet qartë se si nga mjeti tip “Volswagen”, në të cilën ndodhej Rama së bashku me 2 miq të tij qëllohet 2 herë polici Hoxha. 

Sipas njoftimit një grupi policor i përbërë nga 3 punonjës policie dhe kryesohej nga shefi i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Lezhë, me veshje civile dhe njëri prej tyre ishte me jelek fosforeshent me mbishkrimin Policia, kanë konstatuar një parcelë  me bimë  narkotike dhe kanë asgjësuar bimë narkotike.

Teksa po ktheheshin 500 metra nga parcela, punonjësit e policisë janë shkëmbyer me një automjet në vendin e quajtur Vain, Ishull Lezhë. Ky automjet, pasi është shkëmbyer me automjetin që  lëviznin punonjësit e policisë, pas disa minutash është kthyer dhe ka lëvizur në drejtim të qytetit të Lezhës, mbrapa automjetit të Policisë. Grupi i kontrollit ka vendosur që ta ndalojë automjetin dhe të ushtrojë kontroll.

Pasi kanë kontrolluar Armando Markun dhe Kristjan Sherrin, nënkomisar Saimir Hoxha i ka kërkuar dokumentin e identifikimit Aldi Ramës.  "Unë nuk jam për tu kontrolluar...”, ka qenë reagimi i 21-vjeçarit dhe ka nxjerrë armën e zjarrit pistoletë tip TT dhe e ka qëlluar me dy plumba oficerin e Policisë, i cili ndërroi jetë rrugës për në spital

Oficerët kanë reaguar me armët e shërbimit kundër automjetit në largim, me qëllim neutralizimin e tij. (Në vendngjarje janë sekuestruar 9 gëzhoja të kalibrit 9 milimetra, që përkojnë me armët e punonjësve të Policisë. Në automjetin e autorit janë konstatuar 4 dëmtime nga predhat me armë zjarri, me drejtim nga jashtë brenda).

Pas disa orë ndjekjeje të autorit, duke përdorur dronë, qentë e kërkimit, si dhe helikopterin, është bërë i mundur lokalizmi i vendit ku fshihej  autori i dyshuar i ngjarjes dhe konkretisht në afërsi të argjinaturës në Lagunën e Vainit.

21-vjeçari Aldi Rama që i mori jetën Nënkomisarit të Lezhës, Saimir Hoxha, jetonte në lagjen "Skenderbeg" të Lezhës, tek xhaxhai i tij pas divorcit të prindërve. Jashtë kamerës familjarët e tij, janë shprehur se ceremonia mortore mund të bëhet në Durrës ku jeton nëna e të riut.

Ndërkohë Report Tv ka zbardhur dëshminë e 2 shokëve të Aldi Ramës, Armando Marku dhe Kristian Sheri, të cilët janë shprehur para policisë se në vendin ku i gjetën efektivët, kishin shkuar për të pirë hashash. E gjithë ngjarja ka ndodhur vetëm 500 metra larg vendit ku nënkomisari Hoxha dhe kolegët e tij asgjësuan 110 rrënjë kanabis.

Ngjarja e rëndë u shënua mëngjesin e së martës (28 shtator) në zonën e Ishull Lezhë, ku Aldi Rama hapi zjarr ndaj efektivëve të policisë, e ku mbeti i vdekur në krye të detyrës nënkomisari Saimir Hoxha, babai i dy fëmijëve. Aldi Rama, i rritur nga gjyshërit, pasi prindërit i kishte të divorcuar, ishte me precedent të mëparshëm penal. Në moshën 18-vjeçare kishte përfunduar në burg, pasi ishte akuzuar për vjedhje dhe posedim kanabisi, ndërkohë që ishte kallëzuar edhe nga e dashura e tij për dhunë fizike. Edhe në vitin 2020 ai është ndaluar sërish për mbajtje pa leje e armëve të ftohta.

Saimir Hoxha, 44 vjeç baba i dy fëmijëve, vëllai i kryegjyqtares së Pukës, mori një plumb vdekjeprurës në krah të majtë të zemrës dhe megjithëse u dërgua në spital nuk mundi të mbijetoi. 

 

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:25
U rrit nga gjyshërit në Lezhë, 'pllakos heshtja' në lagjen ku u rrit Aldi Rama (VIDEO)

Report Tv ka shkuar në lagjen ku jetonte 21-vjeçari, Aldi Rama, i cili vrau nënkomisarin, Saimir Hoxha dhe më pas veten. Aldi Rama i braktisur prej prindërve, që ishin divorcuar, jetonte në lagjen "Skëndërbeg" të qytetit të Lezhës. Heshtja ka pllakosur lagjen "Skëndërbeg",ndërsa 21-vjeçari nuk do të përcillet në banesën e fundit nga dera e shtëpisë ku u rrit. Ceremonia e varrimit pritet të zhvillohet në qytetin e Durrësit, aty ky jeton nëna e Aldi Ramës.

Ora 18:23
Para se të vritej, FOTO të nënkomisarit Saimir Hoxha gjatë asgjësimit të kanabisit në parcelë! Nuk mbante veshur uniformën e policisë

1632932663_saimirhoxha.jpeg

Report Tv ka siguruar fotot gjatë asgjësimit të parcelës me kanabis në Ishull-Lezhë para se nënkomisari Saimir Hoxha të vritej nga 21 vjeçari Aldi Rama. Disa nga këto bimë janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale, me qëllim kryerjen e ekspertimeve të nevojshme. Ajo që vihet re në foto është se nënkomisari nuk mbante veshur uniformën e policisë.

 

Ora 15:30
Përfundon autopsia për Aldi Ramën, plumbi e ka kapur në kokë nga krahu i djathtë! Në ambientet e morgut asnjë familjar

Ekspertiza mjeko ligjore ndaj Aldi Ramës ka përfunduar që prej mesditës. Sipas të dhënave për gazetarin e Report Tv Sokol Dema mësohet se ajo ka zgjatur prej gati dy orësh. Ndërkohë janë duke vijuar procedurat pëe plotësimin e formularit, ku mjkësia ligjore do të dalë në përfundim zyrtar.

Ndërkohë burime nga morgu bëjnë me dije se sipas ekspertizës, të riut i ka shkaktuar plagë një plumb qe ka marrë në kokë nga krahu i tij i djathtë. Plumbi ka përshkruar kokën e të riut, ku mjekët e Traumës nuk kanë kryer operacion për nxjerrjen e tij, pasi nuk ka pasur predhë brenda.

Por plaga e madhe dhe humbja e gjakut i shkatoi edhe vdekjen 21  vjeçarit rreth orës 05:35. Ndërkohë në morgun e Tiranës vijon të jetë trupi i pajetë i të riut, ndërsa pranë tij nuk është paraqitur asnjë prej familjarëve për ta tërhequr.

Ora 14:59
VIDEO e vrasjes/ Report Tv siguron pamjet e ekzekutimit të policit në Lezhë nga 21-vjeçari Aldi Rama, si ra në tokë nënkomisari dhe momenti i shkëmbimit të zjarrit

 

Report Tv ka siguruar pamjet e ngjarjes së rëndë të ditës së djeshme ku u vra nënkomisari i Policisë së Lezhës, Saimir Hoxha.

Në pamjet duket qartë se si pasi po ndiqeshin nga të rinjtë, 3 policët dalin nga makina dhe ndalojnë 3 të rinjtë. Vetëm pak sekonda më tej shikohet qartë se si nga mjetit tip “Volswagen”, në të cilën ndodhej Rama së bashku me 2 miq të tij qëllohet 2 herë.

Efektivi bie në tokë ndërkohë që Aldi Rama largohet me me shpejtësi nga vendngjarja, duke rrezikuar të shtypë edhe policët e tjerë të pranishëm

 

Ora 14:32
I biri vrau nënkomisarin dhe më pas veten, babai i Aldi Ramës: Nuk jemi terroristë, por të varfër! Djali ka qenë i vetmuar, pa prindërit afër dhe me shoqëri të keqe

Babai i Aldi Ramës, Rufat Rama

Rufat Rama, babai i Aldi Ramës, i riu që vrau nënkomisarin Saimir Hoxha një ditë më parë, ka bërë përgjegjës për ngjarjen shtetin, që sipas tij me papunësinë po i vret të rinjtë. Në një lidhje telefonike për “Shqipëria Live”, ai ka treguar se vetë ishte në Greqi, ndërsa i biri jetonte me gjyshërit, në gjendje shumë të vështirë ekonomike. Sipas tij, Aldi ishte i vetmuar dhe rrinte me shoqëri të keqe.  

"Kohët e fundit u shkëput nga çdo familjar. Aldi jetonte me pensionin e gjyshit. Nuk i kërkoja kurrë lekë fëmijëve, më duket se i keqtrajtoj. I mësoja si ta mbajë lekun. I ka dërguar vëllai sa ka pasur mundësi, e ka dashur shumë. Vëllai është në gjendje shumë të keqe sot. Jeton në Greqi. Kishte mbi 10 ditë që nuk komunikonte me të. Ka mundësi të nisem nesër në mëngjes nga ora 8:00, por nuk e kemi vendosur. Kur më ka rënë brenda për herë të parë, thashë shyqyr zotit që nuk u bë gjë më e madhe se ishte fëmijë dhe bëra të pamundurën që të dalë djali.

Ndërsa për Aldin kur dëgjova se ka rënë për herë të dytë brenda për 5 cigare hashash, ishin fëmijë, jo grup kriminal. Ka shumë të rinj që e bëjnë këtë nga papunësia. Pse nuk përfundon në krim një bos? Po na vrasin rininë, po vrasin fëmijën tanë. Fajin e ka shteti. Nuk mundet të mbyllet një fëmijë në shtëpi pa bukë.

Nuk kam asgjë cfarë të them, jam gjysmë njeriu, nuk ngrihem dot në këmbë. Nuk di çfarë të them. Drejtësi deshëm, duhet të shiheshin këto gjëra të djalit tim. Unë falënderoj RENEA-n që ka vepruar me gjakftohtësi sepse djali vrau një efektiv. I falënderoj shumë se si u sollën. Gjyshërit e dinë që është në burg, nuk e dinë që nuk jeton më. Aldi ka qenë fëmijë shumë i mirë, vuante nga padrejtësia.

Nuk mund të flas me gjyshërit, nuk mund t’i dal para syve, do më mbysin, do më vrasin për Aldin. Nuk kanë televizor, të shkojnë këta gazetarët të shohin ku jetojnë. Jetonte në një dhomë me prindërit e mi. Nëna ime 90 vjeçe gatuante një pjatë gjellë për Aldin. Po u tregova gjyshërve, mbaruan të dy… Ata e rritën Aldin, ka qenë i dashur, nuk ka qenë kriminel. Ne jemi nga një familje e varfër, jo terroriste. Fëmija ka qenë i dashur, i vetmuar, pa prindërit afër, ka qenë me shoqëri shumë të keqe. Mamaja e Aldit është interesuar por çfarë do të bëjë…

Shikoni a ka Aldi makinë… Nuk ka pasur ndonjëherë makinë. I thashë ma merr djalin këtej, më tha nuk lejohej të largohej nga Shqipëria. Unë sot vuaj për këtë gjë. Por të dyja ngjarjet, u vra një baba e një fëmijë… E shikoni çfarë bëhet? I kam thënë djalit të vogël do të vij të të marr, por mos rri me atë shoqëri atje. Mendoja do shkel ligjin që të punonte, sot do ishte dhe polici dhe djali im gjallë. Kam 3 vjet e gjysmë që nuk shkel në Shqipëri, nuk ia njoh shokët.

Familjes së Saimir Hoxhës nuk di çfarë t’i them atyre fëmijëve, asaj nëne, prindërve, ju lutem shumë ngushëllime… Nuk di cfarë t’i them familjes që ka humbur djalin… Ngushëllime, nuk di gjë tjetër", ka thënë ai.

Ora 12:10
'Unë nuk jam për t'u kontrolluar', si 21-vjeçari qëlloi me 2 plumba për vdekje nënkomisarin! Policia jep zyrtarisht dinamikën e ngjarjes, ja çfarë ndodhi dje

"Unë nuk jam për t'u kontrolluar". Menjëherë pas kësaj fjalie drejtuar nënkomisarit Saimir Hoxha, 21-vjeçari Aldi Rama ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar mbi të 2 herë me pistoletë duke e lënë të vdekur. Policia ka bërë me dije të gjithë dinamikën e ngjarjes si më poshtë:

Njoftimi i plotë i policisë

Lezhë/Informacion përfundimtar në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 28 shtator 2021, ku mbeti i vrarë në krye të detyrës oficeri i Policisë Saimir Hoxha

Më  datë 28.09.2021, në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave për kontrollin e territorit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për ekzistencën e një miniparcele të kultivuar me bimë narkotike, nga strukturat e Komisariatit të Policisë Lezhë është formuar grupi i kontrollit, me qëllim kontrollin e zonës Kune Vain. Grupi i kontrollit përbehej nga tre punonjës policie dhe kryesohej nga shefi i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë. Punonjësit e Policisë kanë qenë me veshje civile dhe njëri prej tyre ishte me jelek fosforeshent me mbishkrimin Policia. Grupi i kontrollit ka konstatuar një  miniparcelë  me bimë  narkotike, ku janë  gjetur dhe asgjësuar me anë të djegies, 62 bimë narkotike, ku disa nga këto bimë janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale, me qëllim kryerjen e ekspertimeve të nevojshme, në interes të dokumentimit të plotë ligjor të kësaj vepre penale. Materialet procedurale lidhur me kultivimin e bimëve narkotike do të  referohen në  Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, më datë 29.09.2021.

Gjatë kthimit, në një distancë rreth 500 metra nga miniparcela ku u asgjësuan bimët narkotike, grupi i kontrollit është shkëmbyer me automjetin  tip “Volksëagen” me  targa AA984TL,  në vendin e quajtur Vain, Ishull Lezhë. Ky automjet, pasi është shkëmbyer me automjetin që  lëviznin punonjësit e policisë, pas disa minutash është kthyer dhe ka lëvizur në drejtim të qytetit të Lezhës, mbrapa automjetit të punonjësve të  Policisë.

Grupi i kontrollit ka vendosur që ta ndalojë automjetin dhe të ushtrojë kontroll, në vendin e quajtur “Postblloku i Zonës së Mbrojtur Kune Vain”. Pasi iu është dhënë shenjë ndalimi, me qëllim verifikimin e tyre, automjeti është ndaluar dhe punonjësit e Policisë, pasi janë prezantuar si punonjës të Policisë së Shtetit, u kanë kërkuar personave që ndodhshin në automjet dokumentet e identifikimit dhe kanë ushtruar kontroll fizik tek shtetasit Armando Marku dhe Kristjan Sherri, të cilët kanë paraqitur dokumentet e identifikimit dhe i janë bindur kontrollit fizik të Policisë. Në momentin që nënkomisar Saimir Hoxha i ka kërkuar dokumentin e identifikimit, shtetasit që ndodhej në sediljen e pasme të automjet, ai është shprehur se "Unë nuk jam për tu kontrolluar...”, dhe ka nxjerrë armën e zjarrit pistoletë tip TT dhe e ka qëlluar me dy plumba oficerin e Policisë, duke e plagosur rëndë atë. Gjatë transportit për në spital, oficeri i Policisë ka gjetur vdekjen. Autori i vrasjes së oficerit të Policisë ka mundur të kalojë në vendin e  shoferit dhe është larguar me automjetin me të cilin udhëtonin këta persona. Oficerët e grupit të kontrollit kanë reaguar me armët e shërbimit kundër automjetit në largim, me qëllim neutralizimin e tij. (Në vendngjarje janë sekuestruar 9 gëzhoja të kalibrit 9 milimetra, që përkojnë me armët e punonjësve të Policisë. Në automjetin e autorit janë konstatuar 4 dëmtime nga predhat me armë zjarri, me drejtim nga jashtë brenda). Në ndihmë të grupit të kontrollit, pas njoftimit të dhënë për ngjarjen, kanë shkuar forcat “Shqiponja” dhe drejtuesit e Drejtorisë Vendore dhe te Komisariatit të Policisë Lezhë.  Nga ndjekja që i është bërë automjetit, autori tashmë i identifikuar si Aldi Rama, ka braktisur automjetin dhe është larguar me vrap, duke iu fshehur ndjekjes së mëtejshme të forcave të Policisë.

Menjëherë, nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë,  të Komisariatit të Policisë Lezhë, Kurbin dhe Mirditë janë marrë masa për kufizimin e zonës dhe ngritjen e pikave të kontrollit.

Në ndihmë të tyre janë dërguar me urgjencë forcat special Renea, Reparti i FNSH Shkodër dhe Reparti i FNSH Tiranë. Në drejtimin e  këtyre forcave kanë qenë drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit.

Pas disa orë ndjekjeje të autorit, duke përdorur dronë, qentë e kërkimit, si dhe helikopterin, është bërë i mundur lokalizmi i vendit ku fshihej  autori i dyshuar i ngjarjes dhe konkretisht në afërsi të argjinaturës në Lagunën e Vainit.

Forcat special Renea dhe FNSH kanë bërë rrethimin në një perimetër të gjerë të vendit, ku fshihej autori  i dyshuar i ngjarjes dhe i kanë bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për rreth 45 minuta që autori të vetëdorëzohej. Shtetasi Aldi Rama nuk i është përgjigjur thirrjes për vetëdorëzim, por ëhstë vetëplagosur në kokë me armën  tip TT, e cila u sekuestrua  në cilësinë e provës materiale. Po kështu, në afërsi të vendit ku u gjet i vetëplagosur autori, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë  provës materiale një gëzhojë  model 54 e kalibrit 7.62 milimetra  si ato  që përdorin pistoletat TT.  Autori i vetëplagosur është transportuar me barelë menjëherë deri në vendin e quajtur  “Postblloku i Zonës së Mbrojtur Kune Vain”, pasi ishte e pamundur futja e autoambulancës në vendngjarje, për shkak të terrenit. Më pas është dërguar në Spitalin Rajonal Lezhë me autoambulancë dhe më vonë nga autoritetet spitalore është dërguar për ndihmë mjekësore më të specializuar mjekësore në Spitalin e Traumës Tiranë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore si këqyrja e vendit të ngjarjes, këqyrja e automjetit të braktisur, këqyrja e vendit ku është vetëplagosur autori Aldi Rama, pyetja me cilësinë e presonit që kanë dijeni për rrethanat e hetimit të punonjësve të policisë, si dhe të dëshmitareve të tjerë okularë, sekuestrimi i pamjeve filmike të përfituara nga kamerat e sigurisë në të gjithë aksin rrugor dhe në zonën përreth vendit të ngjarjes. (Ky veprim hetimor vijon edhe gjatë ditës së sotme), sekuestrimi në të gjitha vendet i provave materiale, përgatitja e vendimeve të ekspertimit  në lidhje me provat  dhe dërgimi i tyre në Institutin e Policisë Shkencore, etj. (Në ndihmë të strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë është dërguar një grup ekspertësh të Institutit të Policisë Shkencore Tiranë).

Në përfundim  të kryerjes së veprimeve procedurale janë arrestuar në flagrancë shtetasit:

1. Aldi Rama, 21 vjeç, banues në Lezhë, lagja “Skenderbeg”, për veprën penale “Vrasjes e punonjësve të Policisë së Shtetit”, parashikuar nga neni 79/b i Kodit Penal dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municonit”, parashikuar nga neni 278 i kodit Penal, i dënuar më parë  me vendimin Nr.53-2019-708, datë 04.03.2019, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, me 3 vite e 4 muaj burgim, për  veprat penale “Vjedhja” dhe “Prodhimi dhe shitja e  lë ndë ve narkotike”, (arrestuar më  datë  29.07.2018 dhe liruar me kusht më  datë 04.03.2019). Gjithashtu ky shtetas rezulton të jetë arrestuar më  datë 20.10.2020, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lë ndë ve narkotike”, pasi i është gjetur një sasi lënde narkotike  canabiss sativa, ku me vendimin 261, datë 22.10.2020, të Gjykatës së Rrethit Lezhë, është caktuar masa e sigurimit personal “Arrest me burg”. Me vendimin nr.375, datë 06.05.2021, Gjykata e Rrethit Lezhë, ka vendosur shuarjes së masës së sigurimit arrest me burg dhe ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi. (Ky shtetas ka gjetur vdekjen në spitalin e Traumës Tiranë në orën 05.35 minuta të mëngjesit të sotëm. Nga grupi hetimor edhe aktualisht vazhdojnë veprimet hetimore për kryerjen e autopsisë  dhe përcaktimin e shkakut të vdekjes së këtij personi.)

2.            Armando Marku , 26 vjeç, i arrestuar  për veprat penale “Moskallëzim krimi” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal dhe “Përkrahje e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302 i Kodit Penal. Ky shtetas  ka qene i dënuar më parë për veprë ne penale “Vedhja”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.

3.            Kristjan Sherri, 25 vjeç,  i arrestuar  për veprat penale “Moskallëzim krimi” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal dhe “Përkrahje e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302 i Kodit Penal.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorit vazhdon hetimin për të verifikuar lidhjen e autorëve të arrestuar me miniparcelën e asgjësuar nga ana e policisë. (Rezultatet e hetimit mbi këtë çështje do ti bëhen të ditura opinionit publik në një njoftim të posaçëm në ditët në vijim.)

Ora 12:02
Qëlloi për vdekje policin dhe më pas vrau veten, prindërit braktisin në morg Aldi Ramën

1632909060_KOLGJINIRUFAN.jpg

Prindrit e Aldi Ramës, Rufat Rama dhe Valbona Kolgjini

21-vjeçari Aldi Rama është braktisur nga familja e tij edhe pas vdekjes. Trupi i të riut ndodhet në morgun e Spitalit të Traumës, ku ndërroi jetë pasi qëlloi veten me armë ditën e djeshme, ndërsa as e ëma e as i ati nuk kanë shkuar për të parë trupin e të birit. Aktualisht trupi i të riut  është duke iu nënshtruar ekzaminimeve, ndërsa e vetmja që është paraqitur në morg ka qenë tezja e Aldi Ramës, por që nuk ka pranuar të flasë për mediat. Aldi Rama pritet të varroset pasditen e sotme në Durrës, ku jeton e ëma e tij, Valbona Kolgjini, së bashku me të vëllanë, 2 vite më të madh. Valbona Kolgjini dhe Rufat Rama, babai i 21-vjeçarit, janë divorcuar prej disa vitesh, ndërsa Aldi Rama u rrit nga gjyshërit.

Ora 10:54
Vrasja e nënkomisarit, dalin detaje! Ngjarja 500 metra larg parcelës ku efektivët asgjësuan 110 rrënjë kanabis! Dëshmia e 2 shokëve të Aldi Ramës: Shkuam për të pirë hashash

 

Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me vrasjen e nënkomisarit Saimir Hoxha, ngjarje  e ndodhur mëngjesin e djeshëm në zonën e Ishull Lezhë. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se autori Aldi Rama ka pasur me vete dy krëhëra pistolete, njërin prej të cilëve e kishte hedhur në vendngjarje pasi qëlloi 44-vjeçarin Hoxha. Krëhëri tjetër u gjet në vendin ku 21-vjeçari Rama qëlloi veten.

Sipas grupit hetimor, fillimisht Rama ka qëlluar ndaj efektivit nga sendilja e pasme e mjetit, plumb i cili e ka kapur në qafë. Më pas ka dalë nga makina për tu ulur në vendin e shoferit dhe aty e ka qëlluar me një plumb në bark duke i përshkruar pranë zemrës. Në vendngjarje u gjetën 8 gëzhoja të qitura nga pistoleta TT e autorit dhe 7 të tjera të qitura nga dy efektivët e tjerë, kolegë të Saimir Hoxhës. E gjithë ngjarja ka ndodhur 500 metra nga parcela ku efektivët kishin asgjësuar 110 rrënjë kanabis. Mostrat e lëndës narkotike u gjetën në makinën e policisë.

Ndërkohë në dëshminë e tyre para policisë, Armando Mrku dhe Kristian Sheri, shokët e Aldi Ramës të cilët ishin në makinë me të kur ndodhi ngjarja, kanë rrëfyer se në vendin ku i gjeti policia, ata kishin shkuar për të pirë hashash dhe se kur efektivët ishin afruar për kontroll, ata kishin konsumuar një cigare. Ata kanë deklaruar po ashtu se nuk ishin në dijeni se Aldi Rama kishte pistoletë me vete dhe po ashtu nuk e dinin se ishte me masë sigurimi "arrest shtëpie" për armëmbajtje pa leje, pasi e takonin shpesh jashtë ambienteve të shtëpisë. Armando Mrku dhe Kristian Sheri pritet të dalin ditën e nesërme para gjykatës. Ndërkohë në vendngjarje është gjetur edhe një filtër cigareje e mbaruar, e cila pas analizimit, ka rezultuar të jetë jo cigare e thjesht, por hashah.

Nënkomisari Saimir Hoxha dhe kolegët e tij kishin shkuar për të asgjësuar një parcelë me kanabis, pas informacioneve se në  lagunën e Kune-Vainit  ishin mbjellë bimë të lëndës narkotike.

Ora 10:22
I shtrirë dhe i gjakosur në tokë, publikohet fotoja e Aldi Ramës pasi qëlloi veten pas 6 orë arrati nga RENEA

Report Tv ka siguruar foton e parë të bërë nga policia menjëherë pasi e gjetën 21-vjeçarin Aldi Rama të shtrirë në tokë në gjendje të rëndë. Siç shihet dhe nga fotoja i riu është i shtrirë në tokë dhe qëndron i palëvizur, kur është gjetur nga punonjësit e policisë, pasi më parë kishte qëlluar veten.

21-vjeçari u dërgua në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës në Tiranë, ku më pas humbi jetën mëngjesin e sotëm.

Ora 08:47
E shkuara kriminale e Aldi Ramës/ Goditi dhe rrahu të dashurën, shokët ndërhyn për ta ndarë, detyroi dhe të konsumonte kanabis

21-vjeçari Aldi Rama, i cili vrau me armë zjarri në krye të detyrës policin Saimir Hoxha dhe më pas qëlloi veten, ka qenë një person me të shkuar kriminale. I riu ishte kallëzuar penalisht nga e e dashura, pasi ai e kishte dhunuar fizikisht.

Në një kallëzim bërë nga ish-e dashura e tij, ajo deklaronte se Aldi Rama ai kishte marrë telefonin dhe i kërkonte 50 euro që t’ja kthente. Ajo ka shkruar dhe e ka takuar të pandehurin në një parking i ka dhënë 50 euro, por 21-vjeçari nuk i ka kthyer telefonin, por i ka gjuajtur me shpulla e më pas ka marrë një taksi e bashkë me dy shokët e tij kanë shkuar në një banesë të pabanuar në Balldre të Lezhës.

Sipas policisë ato kanë kryer marrëdhënie seksuale më dëshirë, kanë pirë hashash. I pandehuri më pas ka goditur me shuplakë dhe grushte disa herë, deri sa kanë ndërhyrë shokët e tij. Më tej e reja ka deklaruar se i pandehuri e ka nxitur dhe detyruar që të konsumonte hashash, e ka kërcënuar dhe shantazhuar më pas ndërmjet fotove. Ai ka pranuar se e ka qëlluar të dashurën, për arsye se nuk i pëlqente çfarë kishte parë në telefonin e saj. Por çështja për këtë u pushuar nga gjykata dhe ai u dënua 3 muaj vetëm për vjedhje.