Ditën e sotme është përkujtuar në varrezat e dëshmoreve të Atdheut në Fier, polici Llambi Bardhi, i cili u vra në krye të detyrës më 29 korrik 2005.
Përkujtimorja është zhvilluar paraditen e sotme, ku merrnin pjesë drejtues të rëndësishëm të uniformave të Policisë së Shtetit, si dhe kolegë e familjarë të tjerë.
Në kujtim të dëshmorit të Atdheut Llambi Bardhi nga Libofsha janë vendosur kurora dhe tufa me lule. Ish polici i efektivit të komisariatit të Fierit prehet në varrezat e dëshmorëve pasi në 29 korrik 2005 u vra teksa po ushtronte detyrën e tij.
Kujtojmë se autori i vrasjes së policit Llambi Bardhi në krye të detyrës ka qenë një bashkëfshatar i viktimës, i cili në atë kohë është dënuar me 25 vjet burg. Autori quhet Petraq Gega, i cili prej vitesh kishte një konflikt me një fqinj të tij. Ka qenë kjo arsyeja që polici Llambi ka kryer detyrën, duke i sekuestruar armën e gjahut që Gega mbante në shtëpi pa leje, por, për fat të keq, ky i fundit pikërisht me këtë armë ka qëlluar mbi policin, duke i shkaktuar dhe vdekjen gjatë vitit 2005. Kontrolli në banesë ka ardhur pikërisht pas denoncimit të një prej banorëve të Libofshës për kërcënim në lidhje me çështjen e pronësisë. Por, gjatë këtij procesi, Gega ka qëlluar Bardhin për vdekje.