Sekuestrimi i mbi 1 milion tabletave ilaçe dhe 300 mijë eurove CASH në aeroportin e Rinasit të hënën, kur u arrestuan 5 shqiptarë të Kosovës, erdhi pas informacioneve të siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, e cila sinjalizoi se nga Stambolli do të mbërrinin mallra kontrabandë. Ky informacion vuri në lëvizje policinë e shtetit, e cila prangosi 5 të akuzuarit, për të cilët Report Tv mëson se janë të njohur me njëri-tjetrin, dy vëllezër Bekim e Ferat Zenuni, si dhe kushërinjtë e tyre, Ardian Ismajli, Andi Grabanica dhe Altin Maqastena.
Dyshimet e policisë janë se tabletat që ishin blerë në Jordani, po hynin në territorin e Shqipërisë dhe me destinacion final Kosovën, nuk kishin qëllimin e tyre parësor të shërbenin si ilaçe. Deklarimet e të arrestuarve nuk janë bindëse dhe roli i tyre është i paqartë, ndërsa dyshohet se gjithë kjo sasi ilaçesh qëllim fundor kishte përgatitjen e lëndëve narkotike.
Në 14 valixhe u gjet i njëjti ilaç i emërtuar “Unifed”, i cili sipas përshkrimit mjekësor përdoret për të lehtësuar simptomat e ftohjes dhe alergjive, por grupi hetimor nuk është i bindur.
Në dosjen e vendimit të masës së sigurisë ku u lanë në burg të gjithë kosovarët, të siguruar nga Report, Tv thuhet se asnjë prej të arrestuarve nuk është farmacist në profesion dhe nuk janë të licencuar në fushën e tregtimit të import-eksportit të barnave në vendin tonë.
Njëri prej të prangosurve, Bekim Zenuni thotë se barnat ia ka dhënë një jordanez me emrin Mohamed dhe sipas tij në Kosovë do i merrte dikush tjetër, pa dhënë emra dhe detaje, njëjtë si vëllai dhe kushërinjtë e tjerë. Edhe 300 mijë eurot u gjetën në çantën e Zenunit, të cilat ai i justifikon se ia ka marrë borxh një mikut të tij turk, për biznes, por nuk ka mundur t’i deklaroj në doganë pasi policia e shoqëroi sapo zbriti nga avioni.
Të tjerët pretenduan se nuk kishin dijeni se Zenuni kishte para në çantë. Hetuesit kanë sekuestruar 6 celularë, të cilët po ekzaminohen me qëllim zbardhjen e personave të tjerë që janë të përfshirë në këtë rrjet. Për momentin, të gjithë janë në akuzë për kontrabandë me mallra të licencuar, përveç Bekim Zenunit, i cili akuzohet edhe për pastrim të produkteve penale dhe mosdeklarim të të hollave në kufi.