Uang Lei: Historia 44-vjeçare
e radios "shqiptare" në Kinë

Uang Lei: Historia 44-vjeçare<br />e radios
TIRANE - Gazetarja kineze Uang Lei punon në redaksinë e gjuhës shqipe në Radion e Jashtme të Kinës. Për herë të parë për “Shqiptarja.com” ajo rrëfen një histori e panjohur, si u themelua radioja 44-vjeçare që flet ende shqip në Kinë.

Në rrëfimin e saj zbulojmë se cilat janë arsyet që transmetimi në gjuhën shqipe i radios nuk u ndërpre as kur Shqipëria i prishi marrëdhëniet me Kinën në vitin 1978. Uang Lei për 10 vjet ka qenë shefe e kësaj redaksie dhe në Kinë vlerësohet si një nga njohëset dhe përkthyeset më të mira të gjuhës shqipe.

Ajo vjen për herë të tretë në Shqipëri, me dëshirën për të qenë më afër me folësit e gjuhës shqipe, të cilën e përdor prej 17 vitesh në redaksinë e Radios e Jashtme Kineze.

Uang Lei është 38-vjeçe, e martuar dhe ka një djalë 4-vjeç. Kur erdhi për herë të parë këtu në Shqipëri mësoi se ditëlindja e saj, 17 nëntori, përkonte me ditën e çlirimit të kryeqytetit të Shqipërisë dhe kjo e ka gëzuar shumë. Lidhjet e saj me gjuhën dhe historinë e Shqipërisë janë të forta.

Prej 17 vjetësh Uang Lei përkthen me zell gjuhën shqipe në gjuhën e kombit të saj. Shkak i kësaj interviste u bë dita e 44-vjetorit të çeljes së redaksisë në gjuhën shqipe në Radion e Jashtme të Kinës. Me këtë intervistë ekskluzive për “Shqiptarja.com”, të parën që jep për shtypin në Shqipëri, Uang Lei rrëfen gjithë historikun e Redaksisë Shqipe në Radion Kinës.

“Radio e Jashtme e Kinës ka një histori 72-vjeçare, ndërsa emisionet në gjuhën shqipe i hapi më 6 qershor të vitit1969”, thotë ajo. Uang Lei e quan një koincidencë e bukur që po jep këtë intervistë “për një gazetë që ka drejtore, gazetaren e shquar shqiptare, Anila Bashën”.

Kështu shprehet ajo në ditën jubilare të 44-vjetorit të krijimit të Redaksisë së Shqipes. Zonja Lei ndihet krenare që gjatë 44 vjetëve, redaksia nuk i ka ndërprerë asnjë ditë emisionet e saj në gjuhën shqipe

Sipas saj kjo ka ndodhur se “kanë pasur dhe kanë në epiqendër të tyre miqësinë mes dy popujve tanë”.  Dhe detaji që na rrëfen  zonja Lei nuk lë më vend për dyshime: “Të gjitha gazetaret kineze që punojnë në redaksinë shqip, kanë nga një emër shqiptar”. Vetë Uang Lei e ka emrin Shpresa.
 
 Zonja Uang Lei, ku e keni mësuar kaq mirë gjuhën shqipe?
-Në Pekin me mësues kinezë, që e zotërojnë shumë mirë gjuhën shqipe, por edhe me mësues shqiptarë. Kujtoj me respekt mësuesin Ryzhdi Stringa, që jeton në Kinë..Në mos gabohem është nga Elbasani.
 
Sa herë keni ardhur në Shqipëri?
-Kjo është hera e tretë. Për herë të parë kam ardhur me rastin e 35 vjetorit të redaksisë, takime me dëgjuesit shqiptarë.
 
Si lindi ideja për hapjen e Redaksisë Shqipe në Radion e Jashtme Kineze, zonja Uang Lei?
 -Motivi bazë ishte miqësia miqësia midis Kinës dhe Shqipërisë, por sigurisht pati një iniciator për të ndërmarrë këtë veprim. Ajo u hap me udhëzimin dhe kujdesin e drejtpërdrejtë të ish-kryeministrit kinez Çu En Lai.
 
E kujtoni se kush ishin themeluesit e kësaj redaksie?
-Historikun e kësaj redaksie e dimë saktë, jo vetëm stafi i gazetarëve që punon këtu, por është i fiksuar edhe në kujtesën e dëgjuesve tanë të shumtë në Kinë dhe në Shqipëri. Themeluesit e redaksisë, që ishin studentët e parë kinezë që studiuan në Shqipëri në vitet ‘60 të shekullit të kaluar, ishin frymëzuar dhe janë bindur gjithmonë për miqësinë midis popujve kinez dhe shqiptar.

Qysh nga 6 qershori i vitit 1969, atë ditë të shënuar, redaksia e gjuhës shqipe me të gjithë stafin e saj të zellshëm, duke përfshirë edhe specialistët të respektuar shqiptarë, ka motorizuar dhe ka punuar deri më sot dhe vazhdon të funksionojë në mënyrë të palodhur, ditë e natë dhe pa asnjë ditë të ndërprerë.
 
E kanë vizituar Kinën dëgjues nga Shqipëria?
 -Sigurisht. Në vjeshtën e vitit 2008, Dukagjini vizitoi Kinën. Me të zbritur nga aeroplani, ai erdhi menjëherë në radion tonë. Ai e konsideron radion kineze si shtëpi. Kolegët e mi e ndihmuan të skiconte planin e vizitave në Pekin dhe e shoqëruan të vizitonte Murin e Madh Kinez dhe tregun e mëndafshit.
 
Sa ka qenë e informuar redaksia e gjuhës shqipe në Kinë për marrëdhëniet mes dy vendeve tona?
 -Vitet e fundit, Shqipëria dhe Kina kanë pasur më shumë shkëmbime ekonomike e kulturore. Në vitin 2012, Kina u bë partneri i tretë tregtar i Shqipërisë. Gjithnjë e më shumë tregtarë shqiptarë bëjnë biznes në Kinë dhe shumë studentë shqiptarë preferojnë studime në Kinë.

Në të njëjtën kohë, edhe tregut shqiptar i kushtojnë më shumë vëmendje investitorët kinezë dhe panoramat natyrore shqiptare kanë tërhequr gjithnjë e më shumë turistë kinezë. Që nga viti 2009, Universiteti i Tiranës filloi kursin e gjuhës kineze dhe numri i studentëve që ndoqën këtë kurs në një vit shkollor u shtua nga mbi 10 veta në fillim në afro 100 veta këtë vit.

Pak kohë më parë, më 22 maj, u nënshkrua marrëveshja për ngritjen e Institutit “Konfuci” në Universitetin e Tiranës. Të gjitha këto tregojnë marrëdhëniet e bashkëpunimit gjithnjë e më të ngushtë midis dy vendeve. Kjo tendencë e bashkëpunimit pasqyrohet gjithashtu në Redaksinë e Shqipes dhe nga emisionet e gjuhës shqipe.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 07.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Nxirrnin gurë dekorativë nga mali i Tomorrit, 3 të arrestuar dhe 5 në kërkim

Nxirrnin gurë dekorativë nga mali i Tomorrit, 3 të arrestuar dhe 5 në kërkim