UASHINGTON, 21 gusht /ATSH-AFP/ - SHBA-ja dhe aleatët e saj kërkuan sot një përgjigje për Shtetin Islamik pas tronditjes së shkaktuar nga vrasja e një gazetari amerikan dhe dështimit të një operacioni për lirimin e pengjeve në Siri.
Duke folur që prej vendit ku ndodhet me pushime, Barack Obama shprehu ngushëllimet e tij për gazetarin, James Foley, rrëmbyer në nëntor të vitit 2012 në veri të Sirisë.
Ai u kërkoi qeverive dhe popujve të Lindjes së Mesme të luftojnë kundër Shtetit Islamik që ka pushtuar shumë pjesë të territorit sirian dhe ka progresuar me shpejtësi në Irak, për të parandaluar këtë "tumor" me qëllim që ai të mos përhapet.
Duke konfirmuar se Shteti Islamik nuk ka vend në shekullin e XXI, presidenti amerikan e cilësoi luftën kundër xhihadistëve ultra-radikalë si prioritet, por gjithashtu shtroi dhe çështje mbi strategjinë në Irak.
Që nga ishulli Martha's Vineyard, ku ndodhet me pushime, presidenti amerikan konfirmoi me forcë se vrasja e gazetarit amerikan, James Foley nga Shteti Islamik vetëm riforcon vendosmërinë e SHBA-së për të luftuar kundër kësaj lloj ideologjie anarkiste.
SHBA, që ka kryer më shumë se 80 goditje ajrore në veri të Irakut që prej 8 gushtit, shprehet e kënaqur për rezultatet inkurajuese të arritura në bashkëpunim me forcat kurde, si rimarrja e digës së Mosulit./
/ec/