Në projektin kushtetues të konceptuar në Italinë e çliruar nga fashizmi, mes qershorit 1946 dhe dhjetorit 1947, ashtu si në analizat interpretuese, në praktikën politike dhe të jurisprudencës që sollën në dekadat e mëpasshme një realitet të gjallë, të hapur ndaj çdo prove dhe kontrolli, figura e kreut të shtetit është identifikuar si ajo e një presidenti “jo ekzekutiv”.
Pra një president që nuk gëzon të drejta qeverisjeje, por të cilit i janë veshur funksione të qarta të sanksionuara në Kushtetutë, ndër të cilat është sigurisht edhe ajo e përfaqësimit të vendit në jetën ndërkombëtare. E drejta për ta përfaqësuar atë së bashku e në mirëkuptim me qeverinë, duke njohur autoritetin dhe vendimin e Ekzekutivit, edhe në fushën e politikës së jashtme si dhe të politikës së mbrojtjes dhe sigurisë.
Pra, pa asnjë ngatërrim dhe mbivendosje pushtetesh dhe përgjegjësish (përtej ndonjë episodi fërkimi dhe mospërputhjeje të vërejtur në dekadat e shkuara), presidenti i Republikës është sidoqoftë pjesëmarrës dhe bashkëprotagonist i një rrjeti të ngjeshur marrëdhëniesh, duke nisur nga ato me krerët e misioneve diplomatike të huaja kredencialet e të cilave ai pranon deri tek ato me krerët e shteteve që pret në Itali dhe nga të cilët pritet gjatë vizitave të shtetit apo informale në vendet përkatëse.
Realizohet në këtë mënyrë – dhe është realizuar gjatë shtatëvjeçarit tim – një numër i madh takimesh me rëndësi ndërkombëtare: kam pasur në Itali 112 takime me krerët e shteteve dhe shumë të tjera me personalitete qeverish dhe përfaqësish të huaja, dhe kam kryer 75 udhëtime jashtë vendit, edhe me ftesë të organizatave ndërkombëtare, nga Okb-ja në Nato, në Parlamentin evropian. Mundësi të veçanta takimi janë ofruar nga nismat për përvjetorin e 150° të Bashkimit të Italisë, të cilat kulmuan në kremtimin e madh në Romë më 2 qershor 2011; ndërsa kanë pasur një domethënie të veçantë takimet vjetore “Të bashkuar për Evropën” të 8 presidentëve evropianë, sipas një tradite të përuruar nga paraardhësi im Carlo Azeglio Ciampi dhe nga homologët e tij të kohës (presidentë “jo ekzekutivë”).
Përmenda këtë kornizë institucionale dhe këtë përvojë vetjake për të sqaruar sesi vlerësimet dhe pikëvështrimet e shprehura dora dorës në faqet që vijojnë janë fryt i tërësisë së shkëmbimeve të opinioneve, debateve publike dhe të rezervuara, që kanë qenë thelbi i veprimtarisë sime institucionale në vitet 2006 e 2013, dhe thellimeve që kanë paraprirë dhe ndjekur çdo takim.
Do të doja të shtoja dhe theksoja se kjo veprimtari ka qenë mundësi për t’u njohur me shumë aktorë të jetës ndërkombëtare dhe për të zhvilluar me ta marrëdhënie vetjake domethënëse. Mund të ngjallë interes ndoshta nëse përmend disa shembuj dhe kujtoj disa ngjarje me rëndësi të veçantë njerëzore dhe emotive. Mendoj, për shembull, se si u hap dhe si u përmbyll shtatëvjeçari im i parë.
U hap – më 21 maj 2006, pak ditë pas vendosjes sime në Kuirinale (Quirinale) – me një vizitë në Ventotene, për të marrë pjesë në një përkujtimore nderimi për përvjetorin e 20° nga ndarja nga jeta e Altiero Spinelli-t. Ishte vlerësimi për të cilin i detyrohesha njeriut nga i cili kisha nxjerrë një mësim përcaktues ideal dhe “metode”. E kam fjalën për një periudhë të largët të historisë sime politike dhe kulturore, për atë që (duke nisur nga fundi i viteve Shtatëdhjetë) qe faza e “praktikës europeiste” për komunistët italianë: faza e kalimit të Partisë komuniste italiane nga një pozitë negative dhe mosbesimi drejt Komunitetit evropian që po lindte në të qenit më të vetëdijshëm për nevojën e të mos qëndruarit larg procesit të integrimit të ndërmarrë në Italinë e De Gasperi-t së bashku me 5 vende të tjera “themeluese”.
Në këtë ndryshim e rritje, që personalitete si Giorgio Amendola dhe Nilde Iotti e jetuan duke u bërë pjesë në vitin 1969 e Asamblesë së Strasburgut, unë mora pjesë me bindje të plotë, duke nxjerrë më pas një frymëzim përcaktues nga marrëdhënia e drejtpërdrejtë me Altiero Spinelli-n (i zgjedhur në vitin 1976 si kandidat e pavarur në listat e Pki-së) dhe nga përthellimi i përvojës dhe i mendimit të tij (e kam dëshmuar këtë gjë në vitin 2007 në përmbledhjen e shkrimeve Altiero Spinelli dhe Evropa).
Pra me emocion të thellë, në dritën e kthjellët të mëngjesit të atij 21 maji 2006 fola në Ventotene për idetë dhe betejat e Spinelli-t: “Bëhet fjalë për trashëgiminë më të pasur mbi të cilën mund të mbështeten, për tu formuar moralisht dhe për të punuar duke parë drejt së ardhmes, brezat tanë më të rinj”. E mendoj ende sot, dhe jam më i bindur se kurrë, duke konstatuar sesi nga të dobësuarit, në shumë shtresa qytetarësh dhe zgjedhësish, e njohjes dhe të kuptuarit të projektit evropian do të vinte përhapja e mosbesimit në politikë, në demokraci dhe në të ardhmen e përbashkët.
Shtatëvjeçari u përmbyll më 24 mars 2013, me pelegrinazhin në San’Anna di Stazzema – vendi ku ka ndodhur një prej masakrave më të mëdha naziste drejt fundit të luftës së dytë botërore – që kryem së bashku unë, si president i Republikës së Italisë, dhe Joachim Gauck, si president i Republikës federale gjermane. Në nderimin e përbashkët në kujtim të viktimave – të pambrojtur të cilësdo moshë, fëmijë, familje të tjera -, teksa përqafoheshim mes nesh, presidentë dhe popullsi e atij fshati të vogël, të mbijetuar nga masakra, trashëgimtarë të viktimave, njerëz të thjeshtë dhe punëtorë, ndiem fuqishëm frymën, kuptimin më të lartë të bashkimit evropian.
Të liheshin pas nacionalizmat vrasës agresivë: ishte ky objektivi me të cilin u identifikua Altiero Spinelli, duke përfytyruar, nga ishulli ku ish burgosur, projektin e një Evrope të re. Pajtimi, riafrimi mes kombeve dhe popujve urrejtja e ndërsjellë e të cilëve, për plot dy herë në Nëntëqindën, e kish tërhequr Evropën në humnerën e luftërave botërore gjithnjë e më shkatërruese: pra paqja dhe bashkëpunimi, sidomos mes Francës dhe Gjermanisë, si matricë thelbësore politike e një procesi të integrimit evropian, që nuk lindi si diçka thjesht ekonomike. Që nuk lindi e aq më pak mund të qëndrojë sot i mbyllur në këtë koncept, në këtë përmasë.
Ja se çfarë ndiem unë dhe kolegu dhe miku Gauck, në kodrat e Sant’Anna di Stazzema. Prandaj ajo ditë m’u shfaq si një pikëmbërritje ideale për shtatë vjetët gjatë të cilëve angazhimi im, si ndërkombëtar ashtu dhe kombëtar, u shënjua nga bindje dhe nga zgjedhje europeiste.
Do të doja të thosha edhe se në atë nderim të presidentit gjerman për viktimat e gjora të makinës së luftës dhe të shtypjes së sjellë nga nazizmi në çdo cep të Evropës unë rigjeta imazhin e pashembullt, të paharrueshëm të kancelarit Willy Brandt – në atë kohë kundërshtar i nazizmit dhe mërgimtar – që u gjunjëzua përpara monumentit të viktimave të getos së Varshavës.
Përvoja dhe idetë e Brandt-it përfaqësuan për mua një pikë të lartë referimi, gjithnjë e më tërheqëse që kur u takova me të për herë të parë e deri kur diskutuam së bashku për të majtën italiane në marrëdhëniet e saj me socialdemokracinë evropiane në atë ditë – më 9 nëntor 1989 – që për një koincidencë të veçantë, me një përshpejtim të paparishikueshëm të historisë, do ishte edhe dita e rënies së murit të Berlinit. E kujtova këtë çast të magjishëm, këtë takim timin me Willy Brandt-in, teksa u takova sërish me të në 1 marsin e shkuar në Universitetin Humboldt në Berlin ku Egon Bahr - një prej bashkëpunëtorëve më të shquar dhe besnikë të besimit europeist të kancelarit të Ostpolitik-ës - më kish ftuar të përuroja me një leksion mbi Evropën një prej Willy Brandt Lectures vjetore. Ishim përshëndetur herën e fundit, të mallëngjyer, në ceremoninë mortore për Willy Brandt-in, në tetor të vitit 1992, në godinën e Rajshtagut të vjetër, në Berlin.
Uroj që lexuesi të mirëkuptojë këtë përsiatje timen në të shkuarën duke nisur nga histori që u takojnë viteve e deri dhe muajve të shkuar. Është fakt që në atë të shkuar gjenden premisa aspak dytësore të mënyrës sesi kam mundur të përmbush përgjegjësitë e mia si president në rrafshin ndërkombëtar. Ato i kam përmbushur natyrisht në përputhje të ngushtë e të vetme ndaj një tradite dhe vizioni unitar të interesit dhe rolit të Italisë në aspektin e pozicionit të saj ndërkombëtar dhe të politikës së saj të jashtme. Por përvojat e mia disavjeçare të mëparshme në fushën ndërkombëtare – ndonëse të jetuara teksa kryeja funksione politike të një pale (të kapërcyera në fakt ndërsa kryesoja Dhomën italiane të deputetëve apo Komisionin për Çështjet kushtetuese të Parlamentit evropian) – më kanë bërë të ndihem gjithnjë mirë, dhe kurrë në vështirësi, ndërsa përfaqësoja së fundi si president i Republikës vendin tim, gjithë vendin, në Evropë dhe në botë.
Në të vërtetë – jo në mënyrë të vazhduar – iu riktheva marrëdhënies së bashkëpunimit dhe miqësisë me personalitete që kisha njohur njëzet vjet më parë, si presidenti austriak Heinz Fischer apo ai izraelit Shimon Peres. Ndava menjëherë të njëjtën ndjenjë të përbashkët me europeistë të një brezi shumë më të ri, si Bronislaw Komorowski, i cili u bë presidenti polak në brazdën e traditës më të madhe të Solidarnosit, përfaqësuesin më të shquar të së cilës për nga ndjeshmëria dhe kultura evropiane, Bronislaw Geremek, e njihja dhe e ndiqja me admirim që në vitet Tetëdhjetë.
Dhe si Danilo Turk, presidenti slloven deri në vitin 2012, studiues i së drejtës ndërkombëtare në traditën italiane, duke u angazhuar me mua dhe presidentin e ri kroat, Ivo Josipović, të hidhnim bazat e një ripajtimi dhe bashkëpunimi të ri në Adriatik, në mbyllje të tensioneve dramatike të trashëguara nga ngjarjet e luftës së dytë botërore në Ballkan. Takimet, jo vetëm në nivel të lartë por edhe popullore, në Trieste në vitin 2010 dhe në Pula në vitin 2011, mbeten ndër etapat më përfshirëse të jetuara nga unë në rrugëtimin e zgjerimit dhe konsolidimit të bashkimit evropian.
E lidh edhe më bashkëndarjen e këtij rrugëtimi marrëdhënien e veçantë që u vendos mes meje, si president i Republikës së Italisë, dhe Papës Bendikti i XVI-të, deri në dorëheqjen e tij në shkurt 2013. Një marrëdhënie që lindi nga interesi që u shfaq menjëherë mes nesh, për t’u njohur, për t’u kuptuar, për të përballur vlerësimet dhe opinionet tona mbi tema që na interesonin të dyve në ushtrimin e roleve tona. Ndër këto tema mori menjëherë rëndësi Evropa, kundrejt të cilës ishim dakord ndërsa e mendonim si përcaktues procesin e bashkimit dhe integrimit dhe kontributin potencial për një zhvillim pozitiv të kuadrit ndërkombëtar, duke nisur nga kërkimi i një zgjidhjeje paqësore të konfliktit të lindjes së mesme.
Të takuarit me Papën qe për mua një përvojë e re dhe veçanërisht nxitëse dhe e pasur për rëndësinë kulturore të personalitetit të tij. Por harmonia dhe konfidenca e pazakontë që karakterizuan marrëdhënien tonë nuk shpjegohen vetëm në dritën e ngjashmërive personale. Ajo që na bënte të ndiheshim pranë ishte një prapatokë e qenësishme e përbashkët, pasi të dyja jetët tona rezultonte se brendashkruheshin tërësisht në përvojën historike, madhështore dhe të tmerrshme, të Nëntëqindës.
Një përvojë që dy vendet tona të prejardhjes, më shumë se gjithë vendet e tjera, e kishin përjetuar në mënyrë të dhimbshme dhe traumatike deri në gjysmën e shekullit të kaluar, dhe nga e cila ne vetë si persona – Joseph Ratzinger i barabartë me mua – kishim nxjerrë një shtysë përcaktuese për ta gjetur veten në vizionin e një Evrope të re të bashkuar, duke vazhduar ta kultivonim dhe ndiqnim atë edhe pasi kishim arritur përgjegjësi shumë të mëdha në krye të Kishës katolike dhe të Shtetit italian.
Një marrëdhënie kaq kuptimplotë dhe e ngrohtë mes presidentit dhe papës qe natyrisht shumë e rëndësishme edhe për të konsoliduar një bashkëpunim të frytshëm, në respektim të ndërsjellë, mes Shtetit dhe Kishës në Itali. Që, siç mund të kuptohet lehtë, e kujtoj këtu jo aq si element përbërës të politikës ndërkombëtare që kam bashkëndarë si president, sesa si një prej arkitrarëve të procesit të kohezionit – gjithnjë për t’u konsoliduar dhe ripërtëritur – të shoqërisë italiane. Është udha të cilës i jemi futur tashmë edhe me papën e ri Françesko.
Njëkohësisht, boshti i europeizmit rreth të cilit janë vërtitur që nga vitet Pesëdhjetë prania dhe nisma e Italisë në jetën ndërkombëtare ka qenë gjithnjë i pandashëm nga referimi tjetër përcaktues: ai i miqësisë dhe i aleancës me Shtetet e Bashkuara, në rrafshin më të gjerë transatlantik. Ky bosht dhe ky referim kanë qenë të pandashëm edhe për përvojën time gjatë shtatëvjeçarit të parë presidencial dhe gjatë trevjeçarit që e parapriu atë. Kur në vitin 1978 mund ta vizitoj për herë të parë Amerikën, nuk u mjaftova të përpiqesha të përfaqësoja realitetin politik italian ku do gjenin vendin e duhur pozitat e të majtës.
Duke folur në disa prej universiteteve më të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara dhe në qendra prestigjioze të formimit të opinionit publik, u bëra njëherësh bartës i vizionit të një Evrope komunitare që po bëhej gjithnjë e më shumë gjithëpërfshirëse e edhe më afirmuese, që po prirej të fitonte një profil ndërkombëtar më të pavarur por pa vënë në diskutim lidhjen e saj historike me Shtetet e Bashkuara. Ai mision i imi qëndronte në kahun e kundërt të antiamerikanizmit që ende ndihej në Itali në të majtën opozitare.
Vizioni bartës i të cilit isha bërë – për arsye të detyrës sime si drejtues në Pki – kish në atë kohë tiparet e “eurokomunizmit”, një dukuri që prekte fort qarqet kulturore e politike amerikane më të ndjeshme dhe të hapura, ashtu siç i prekte – më shumë se politika “e zakonshme” e brendshme italiane – realiteti i veçantë i Pki-së. Nga ai interes dhe roli i luajtur prej meje në vitet Shtatëdhjetë dhe më tej, gjeta ende (jo pa habi) gjurmë dhe dëshmi gjatë udhëtimit tim më të fundit – si president i Republikës – në Shtetet e Bashkuara (janar 2013).
Në fuqizimin dhe pasurimin gjithnjë e më të madh të vizionit tim për elementët idealë dhe historikë të marrëdhënies mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, për rrënjët e tyre të përbashkëta dhe përkatësinë e tyre të përbashkët në Perëndim si “vend i demokracisë”, mund të pretendoj një vazhdimësi dhe një koherencë që janë forcuar përmes rishikimeve dhe ndryshimeve dhe të horizontit kulturor dhe politik që kam parë deri në kthesën e madhe në vitin 1989. Jam mbështetur fort te kjo vazhdimësi dhe disa ngjarje të mira të mëparshme, për të kryer rolin dhe për të dhënë kontributin tim – gjatë shtatëvjeçarit presidencial – si në rrafshin politik dhe institucional evropian ashtu dhe në marrëdhëniet Evropë – Amerikë.
Një prej këtyre “ngjarjeve të mëparshme” që më pëlqen të kujtoj është ajo e pjesëmarrjes, në vitet Tetëdhjetë-Nëntëdhjetë, në një cikël takimesh gjashtëmujore të ndërmarra nga Aspen Institute mes parlamentarëve evropianë (një përfaqësi e ngushtë) dhe parlamentarëve amerikano veriorë (më të shumtë të numër): takime kushtuar zhvillimit, në vitet më të rëndësishme, të marrëdhënieve mes Lindjes dhe Perëndimit.
Do të doja të kujtoja edhe “ngjarjen tjetër të mëparshme”, tepër formuese, të përvojës sime, duke nisur nga viti 1984 dhe për plot dhjetë vjet, si anëtar i Asamblesë parlamentare të Nato-s. Në këtë seli pata mundësi të merrem gjatë me tematika të mbrojtjes dhe të sigurisë, dhe të kem kolegë – sidomos evropianë, e veçanërisht të majtë (gjermanë, anglezë, spanjollë) – me të cilët do të takohesha sërish më pas në cilësi e raste të ndryshme.
Rrugëtimet e shumta që kujtova më lart do të shkonin në vitet e kaluara drejt marrëdhënies së vendosur në nivelin më të lartë me sferat drejtuese amerikane: si president italian me presidentin e Shteteve të Bashkuara. E kam ndjekur nga afër, me asnjanësi institucionale dhe me pasion e shpresë timen, shfaqjen dhe afirmimin e Barak Obamës në udhëheqje të Shteteve të Bashkuara. Marrëdhënia që u vendos mes nesh preku nivelet e vëmendjes, besimit dhe deri dhe konfidencës së ndërsjellë, dhe shfaqi ngjyrime njerëzore, miqësie të vërtetë, të tilla që s’do kisha mundur t’i parashikoja.
Në fund të fundit, përfaqësojmë breza dhe histori krejt të ndryshme: por ajo që nuk qe një pengesë, dhe që qe më shumë një shtysë, tregon sesa e rëndësishme është – në marrëdhëniet mes vendeve të ndryshme dhe lidershipit të tyre – një ngjashmëri e qasjeve, mënyrave të të ndjerit, të prapatokës ideale dhe morale, përveçse e orientimeve dhe angazhimeve politike. Nga kjo klimë e vendosur në ushtrimin e funksioneve të secilit dhe të përgjegjësive të përbashkëta mes presidentit italian dhe presidentit amerikan nxori përfitim vendi im, dhe nxori përfitim Evropa. Interesi kombëtar italian dhe interesi i përbashkët evropian: është kjo që, në përfundim, ka pasur dhe ka rëndësi për mua më shumë se çdo gjë tjetër.
Giorgio Napolitano
Post scriptum
Ky libër, i lindur nga ideja e Federico Rampini-t, është konceptuar prej nesh – dhe shkruar prej të dyve – si pjesë e bilancit të shtatëvjeçarit presidencial (maj 2006 – prill 2013) nën aspektin e nismave dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në të cilat kam qenë pjesë aktive në ushtrimin funksionit tim institucional. Më pas, në rrethana krejt të papritura, - pavarësisht deklaratave të mija të qarta për të bërë të kundërtën – u shtyva të jem i gatshëm për rizgjedhjen time si president, që – me vota të shuma pëlqimi – ndodhi më 20 prill 2013. Ky libër vjen pra vetëm pak kohë pas fillimit të një mandati të dytë, dhe nuk mund të flasë për zhvillime të veprimtarisë sime ndërkombëtare që ende nuk kanë ndodhur. Por kemi punuar me tekstin deri një ditë përpara se të shkonte për shtyp, me vëmendjen më të madhe për çdo risi që mund të shfaqej në rrafshin evropian dhe botëror.
Shkrimi u publikua sot (06.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)