“Vitin që do të vijë ne do të tërheqim të gjitha tarifat roaming midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian”. Tre muaj më parë, shefja e Komisionit Evropian ju bëri shqiptarëve këtë premtim të madh: të udhëtosh në çdo vend anëtar të BE-së, pa u shqetësuar për tarifat e telefonit.

Ky nuk është ende një realitet, por qeveria ka hartuar ndryshime ligjore që i hapin rrugë realizimit të tij.

Projektligji i ri, është si një "pasaportë digjitale": ashtu siç lëvizim të lirë nëpër Evropë, së shpejti edhe valët e telefonit tonë do të udhëtojnë pa "viza" tarifore, duke e bërë të padukshëm, kufirin midis Tiranës dhe vendeve të BE-së, në faturën tonë telefonike.

Qeveria ka ndërmarrë një nismë ligjore për të ndryshuar ligjin "Për komunikimet elektronike", me synimin e qartë, që kudo në Evropë, shërbimi të ofrohet me të njëjtat tarifa si brenda vendit.

Sipas relacionit, ky aksion është në një domosdoshmëri për integrimin e përshpejtuar të Shqipërisë në tregun unik digjital të BE-së. Objektivi politik është që brenda vitit 2026, qytetarët shqiptarë të përfitojnë nga heqja e tarifave shtesë që aplikohen aktualisht, gjatë udhëtimeve jashtë vendit. Skema do të jetë e njejtë, më atë që ndodh tanimë prej pak vitesh me vendet e rajonit.

Kompanitë celularë në Shqipëri do të jenë të detyruara të zbatojnë tarifat ‘tavan’ të miratuara nga AKEP, për të parandaluar abuzimet dhe për të garantuar që roaming-u të funksionojë si në shtëpi.

Që këto rregulla të mos mbeten vetëm në letër, ligji parashikon masa administrative me gjobë për të gjithë operatorët që nuk i respektojnë ato.

Projektligji i ri shihet si një hap strategjik për të forcuar ekonominë digjitale dhe për të ofruar përfitime direkte për xhepat e qytetarëve, duke thyer barrierat e komunikimit.

Edhe pse në relacion parashikimi është optimist që heqja e tarifave të ndodhë brenda këtij viti, projektligji parashikon se zbatimi i këtij regjimi do të nisë, pasi të nënshkruhen marrëveshjet bilaterale me BE-në, ku do të përcaktohet dhe data e telefonisë pa roaming.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë