Shqiptarët nuk para hapin rrugë kollaj, e kësaj shprehje më së miri mund ti japim kuptim teksa udhëtojmë rrugëve të kryeqytetit. Por përveçse për qytetarët, trafiku i rënduar dhe bllokimi i rrugëve shpeshherë është kthyer në një problem shqetësues edhe për ambulancat, të cilat janë në luftë të vazhdueshme me kohën.

Por sa të vështirë e kanë ambulancat të qarkullojnë në Tiranë? Report Tv ka bërë një vëzhgim për ta bërë më evident këtë problem dhe për të ndërgjegjësuar të gjithë ata qytetarë që shpeshherë tregohen kokëfortë duke mos hapur rrugën. Ne shoqëruam ekipin mjekësor të urgjencës së QSUT, për treguar sfidat e përditshme.

Një pacient ka kërkuar ndihmën e urgjencën në "Rrugën Bardhyl". Që në kryqëzimin e parë ambulanca ka mbetur e bllokuar prej disa minutash si pasojë e trafikut. Për të mbërritur në rrugën Bardhyl u deshën 10 minuta për të mbërritur, nga qendra Spitalore "Nënë Tereza".

Shoferi:U futëm drejt dhe jemi të detyruar të ecim me qindra metra dhe të ecim mbrapsht, në çdo orë të ditës dhe në çdo situatë, nuk ka rëndësi nëse është shi apo diell. Vështirësia është gjithmonë, rrugët nuk janë shumë të përshtatshme për të kaluar, në të gjitha lagjet e Tiranës është ky problem, plus dhe qytetarët që parkojnë keq. Na pengon ndonjëherë të japim ndihmën e duhur, problemet janë nga më të ndryshmet”.

Drejtori i Urgjencave Skënder Brataj për Report Tv tregon se trafiku i rënduar dhe shpeshherë këmbëngulja e qytetarëve për të mos hapur rrugë, kanë sjellë jo pak probleme në punën e tyre. Brataj shton se krahasuar me disa vite më parë shumë gjëra janë përmirësuar, por është ende shumë i nevojshëm ndërgjegjësimi i njerëzve dhe shmangia e trafikut.

Skënder Brataj: Trafiku ka rolin e vet. Në këtë orë që dolëm është dhe piku i trafikut. Rrugët janë ato që janë. Duhet të ndërgjegjësohemi pak dhe ne si qytetarë që të kuptojmë se kur ambulance është me sirenë nuk kalon kot. Sot është dikush tjetër, nesër mund të jetë një familjar i jonë, prandaj duhet që të hapet rruga. Jo vetëm makinat, por edhe njerëzit e kanë të vështirë të kuptojnë që po vjen ambulance, pasi qëndrojnë me telefon në duar. Por megjithatë shtimi i numrit të ambulancave ka reduktuar kohën e mbërritjes së tyre”.

Të shumta janë rastet kur ambulancat për shkak të trafikut të rënduar mbesin në mes të rrugës, duke rrezikuar jetën e pacientit që mund të ndodhet brenda, ose mbërritjen me vonesë te pacienti. Të tilla raste duhet të shërbejnë si këmbanë për të gjitha institucionet përkatëse që mund të marrin masa për reduktimin e trafikut dhe përmirësimin e gjendjes së rrugëve, dhe për të gjithë qytetarët e thjeshtë të cilët duhet të kuptojnë se disa minuta vonesë, disa personave mund tu kushtojë jetën.