Një histori sa komike aq edhe e pabesueshme është bërë virale në Angli, pasi një tifoz i Barcelonës përfundoi në stadiumin e gabuar ndërsa kishte udhëtuar për të ndjekur skuadrën e tij të zemrës në sfidën kundër Newcastle, e cila u nda në barazim 1-1 dhe vlente për aktin e parë të raundit të 1/8-ave.

Ndërsa katalanasit po luanin në veri të Anglisë, tifozi spanjoll përfundoi qindra kilometra (579 km për të qenë të saktë) më larg në jug, në qytetin e Exeter, duke u bërë protagonist i një historie që ka pushtuar mediat britanike.

Shkaku i ngatërresës ishte emri i stadiumit. Impianti i Newcastle United quhet 'St. James Park', por një stadium me të njëjtin emër përdoret edhe nga Exeter City FC në jugperëndim të Anglisë, 'St. James Park'.

Tifozi kishte udhëtuar nga Londra drejt rajonit të Devon duke ndjekur udhëzimet në hartë, pa e kuptuar se po shkonte në drejtim të kundërt nga vendi ku luhej ndeshja e vërtetë.

Gabimi u zbulua vetëm kur ai u paraqit në hyrje të stadiumit për të skanuar biletën. Punonjësit e stadiumit të Exeter City mbetën të habitur kur panë një biletë të vlefshme për një ndeshje të Champions League në një sfidë të EFL League One kundër Lincoln City FC.

Sipas Adam Spencer, përgjegjës për sigurinë e tifozëve te Exeter City FC, tifozi ishte i turpëruar dhe i zhgënjyer kur kuptoi distancën e madhe që e ndante nga ndeshja që kishte planifikuar të ndiqte.

Megjithatë, klubi anglez u tregua mikpritës dhe i ofroi një biletë falas për ndeshjen e tyre, në mënyrë që udhëtimi i tij të mos shkonte plotësisht dëm. Kështu, në vend të yjeve të Barcelonës, tifozi spanjoll e mbylli mbrëmjen duke ndjekur një ndeshje të kategorisë së tretë angleze në atë që vendasit e quajnë me humor 'St. James Park-u i vërtetë'.

Distanca mes 'St. James Park' të Newcastle dhe atij në Exeter