Udhëzimi i ri/ Kujdestaria, ja kur fëmijët i besohen një familjeje tjetër

Udhëzimi i ri/ Kujdestaria, ja kur fëmijët i besohen një familjeje tjetër

Foto ilustruese

Me një Udhëzim të posaçëm, ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka përcaktuar rastet kur një fëmijë merret nga shteti prej familjes së tij biologjike dhe i besohet një familjeje tjetër kujdestare. Po kështu, janë përcaktuar kushtet që duhet të plotësojnë familjet kujdestare, si dhe institucionet që mbikëqyrin këtë proces.

Familja
Familja është mjedisi më i mirë ku duhet të rriten fëmijët. Prindërit dhe fëmija janë aktorët dhe partnerët më të rëndësishëm për të përmirësuar situatën e fëmijës, por kur vërtetohet se familja nuk e mbron fëmijën apo në rastin më të keq, është abuzuesi i fëmijës, strukturat shtetërore kanë përgjegjësinë për të ndërhyrë edhe në familje. Rastet më tipike kur aplikohet përkujdesja alternative janë: vendosja e fëmijës në familjen e ndonjërit nga të afërmit e tij, nëse kjo është e mundur dhe nuk bie ndesh me interesin më të lartë të fëmijës (kujdesi brenda lidhjes së gjakut, i cili mund të jetë formal ose jo formal); vendosja e fëmijës në një familje kujdestare, në rast se prindërit biologjikë ose ndonjë i afërm tjetër nuk mund të kujdesen për fëmijën (kujdestari e përkohshme pa lidhje gjaku, është gjithmonë formale); vendosja e fëmijës në një institucion të përkujdesit për fëmijët, për një periudhë sa më të shkurtër kohe.

Kur janë ezauruar të gjitha përpjekjet për të mbështetur fëmijën dhe familjen me shërbime që synojnë garantimin e jetesës së përshtatëshme të fëmijës në familjen biologjike dhe kur punonjësi i mbrojtjes së fëmijës vlerëson që fëmija është në situatë emergjence, vendoset për largimin e fëmijës nga familja biologjike dhe ofrimin e shërbimeve të tjera alternative në përputhje me interesin më të lartë të fëmijës, përmes marrjes së njërës prej masave të mbrojtjes.

Kujdesi alternativ
Vendosja e fëmijës në përkujdesje alternative është një masë e përkohshme mbrojtjeje për fëmijën pa përkujdesje prindërore dhe kur për mbrojtjen e tij është i nevojshëm strehimi apo vendosja e tij në përkujdesje alternative, duke ndjekur këtë radhë: pranë një të afërmi të fëmijës; pranë një familjeje kujdestare; në një institucion rezidencial të përkujdesjes, kur nuk është e mundur asnjë nga alternativat e mësipërme.

Kujdestaria
Sipas Udhëzimit, procedura e vendosjes së fëmijës në përkujdesje alternative ndodh, kur prindërit e fëmijës kanë vdekur ose janë shpallur të vdekur nga gjykata, janë të panjohur, u është hequr përgjegjësia prindërore dhe janë në kushte nevoje për mbrojtje; prindi ose kujdestari ligjor i të cilit është shoqëruar, ndaluar, arrestuar ose dënuar me heqje lirie dhe fëmija është në nevojë emergjente mbrojtjeje; kur, në interesin e tij më të lartë, nuk mund të lihet në kujdesin prindëror, për shkak se rrezikohet integriteti i tij fizik, moral, psikologjik e emocional; është abuzuar, dhunuar, shfrytëzuar ose neglizhuar; është braktisur nga prindërit që në lindje ose është nën moshën 16 vjeç dhe askush nuk është duke u kujdesur për të; ka kryer një vepër penale dhe për shkak të moshës, nuk ka përgjegjësi penale; ka, dyshohet ose akuzohet, ose është dënuar se ka kryer një vepër penale, është në gjendje të lirë dhe ka nevojë për mbrojtje.

Motrave dhe vëllezërve u jepet mundësia që të jetojnë bashkë, me përjashtim të rasteve kur një gjë e tillë bie ndesh me interesin më të lartë të tyre. Nëse nuk vendosen në të njëjtën familje kujdestare, merren masa që të ruhen lidhjet dhe kontaktet mes tyre.

Institucionet
Në çdo Bashki ngrihet dhe funksionon komisioni multidisiplinor i kujdestarisë. Ky komision ka në përbërje: drejtuesin e njësisë përgjegjëse për shërbimet e kujdesit shoqëror në Bashki; drejtuesin e njësisë së mbrojtjes së fëmijës; punonjësin social të njësisë së vlerësimit të nevojave dhe referimit të rastit ku ka gjendjen civile familja e fëmijës që do të vendoset në kujdestari dhe/ose familja kujdestare; jurist; psikolog; specialist për çështjet e arsimit në Bashki; specialist për çështjet e shëndetësisë në Bashki.

Komisioni multidisiplinar i kujdestarisë është përgjegjës, për vlerësimin nëse familja që ka shprehur interesin për të qenë familje kujdestare, plotëson kushtet për të ofruar shërbimin e kujdestarisë në familje, mbështetur në dokumentacionin e paraqitur; merr vendim për miratimin e familjes kujdestare dhe përfshirjen e saj në regjistrin e familjeve kujdestare të Bashkisë; përzgjedh familjen kujdestare ku do të vendoset fëmija, që ka të nevojshëm shërbimin e kujdesit në familje kujdestare, duke gjykuar mbi përshtatshmërinë sa më mirë të nevojave të fëmijës me familjen, e cila propozohet si familje kujdestare.

Në çdo bashki, struktura e shërbimeve të kujdesit shoqëror duhet të ketë ngritur dhe administrojë regjistrin e familjeve kujdestare, duke mundësuar kështu ekzistencën e disa familjeve të gatshme për të marrë në përkujdesje si raste emergjentë fëmijë, për të cilët është dhënë masa emergjente mbrojtjes apo familje të gatshme për të vijuar procedurat në Gjykatë, për marrjen e kujdestarisë së përkohshme për fëmijën pa kujdes prindëror.

Familjet kujdestare
Udhëzimi cakton kritere të posaçme për miratimin e familjeve pritëse. Aplikuesit për të qenë prindër kujdestarë, nuk duhet të jenë më pak se 25 vjeç dhe më shumë se 65 vjeç. Aplikuesit për të qenë prindër kujdestarë dhe anëtarët e familjes së tyre, duhet të mos kenë kryer vepra kriminale, si edhe referencat nga komuniteti të jenë të qarta për sjellje të pranueshme etike dhe moral (dëshmitë përkatëse). Aplikuesit për të qenë prindër kujdestar janë të gjithë personat, të cilët nuk përjashtohen në bazë të Kodit të Familjes dhe VKM-së për kujdestarinë.

Familja kujdestare duhet të ketë të ardhura të vazhdueshme dhe në masë të mjaftueshme, për të plotësuar nevojat e familjes. Prindërit kujdestarë duhet të kenë kapacitete edukimi të nevojshme, për të siguruar një edukim sa më të mirë të fëmijës /fëmijëve. Të gjithë pjesëtarët e familjes duhet të gëzojnë shëndet të mire fizik dhe mendor. Kujdestarët duhet të kenë strehim (sipërfaqe banimi), që të garantojë një mjedis të sigurt dhe kushte higjienike, të nevojshme këto për një shëndet të mirë dhe mirërritje të fëmijës/fëmijëve. Shtëpia duhet të ketë një dhomë të veçantë për fëmijët dhe krevat për çdo fëmijë. Prindërit kujdestarë të ushtrojnë përgjegjësinë prindërore në jo më shumë se tre fëmijë. Çdo familje e interesuar për të qenë familje kujdestare, duhet të shprehë interesin duke paraqitur një kërkesë pranë strukturës përgjegjëse.

Kur vendoset fëmija në kujdestari

Procedura e vendosjes së fëmijës në përkujdesje alternative ndodh, kur:

  • Prindërit e fëmijës kanë vdekur ose janë shpallur të vdekur nga gjykata, janë të panjohur, u është hequr përgjegjësia prindërore dhe janë në kushte nevoje për mbrojtje
  • Prindi ose kujdestari ligjor i të cilit është shoqëruar, ndaluar, arrestuar ose dënuar me heqje lirie dhe fëmija është në nevojë emergjente mbrojtjeje
  • Kur, në interesin e tij më të lartë, nuk mund të lihet në kujdesin prindëror, për shkak se rrezikohet integriteti i tij fizik, moral, psikologjik e emocional
  • Është abuzuar, dhunuar, shfrytëzuar ose neglizhuar
  • Është braktisur nga prindërit që në lindje ose është nën moshën 16 vjeç dhe askush nuk është duke u kujdesur për të
  • Ka kryer një vepër penale dhe për shkak të moshës, nuk ka përgjegjësi penale
  • Ka, dyshohet ose akuzohet, ose është dënuar se ka kryer një vepër penale, është në gjendje të lirë dhe ka nevojë për mbrojtje

Kriteret e përgjithshme të përcaktimit të familjeve kujdestare

  • Aplikuesit për të qenë prindër kujdestarë, nuk duhet të jenë më pak se 25 vjeç dhe më shumë se 65 vjeç
  • Ata dhe anëtarët e familjes së tyre, duhet të mos kenë kryer vepra kriminale, si edhe referencat nga komuniteti të jenë të qarta për sjellje të pranueshme etike dhe morale
  • Familja kujdestare duhet të ketë të ardhura të vazhdueshme dhe në masë të mjaftueshme, për të plotësuar nevojat e familjes
  • Të gjithë pjesëtaret e familjes duhet të gëzojnë shëndet të mire fizik dhe mendor
  • Kujdestarët duhet të kenë strehim, që të garantojë një mjedis të sigurt dhe kushte higjienike, të nevojshme këto për një shëndet të mirë të fëmijës
  • Shtëpia duhet të ketë një dhomë të veçantë për fëmijët dhe krevat për çdo fëmijë
  • Prindërit kujdestarë të ushtrojnë përgjegjësinë prindërore në jo më shumë se tre fëmijë

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK