Speciale/ Rrëfimi i rrallë i Maks Velos për djalin, burgun në Spaç dhe vuajtjet e familjes! (VIDEO)

“Dua të fshihem nga/ DITËLINDJA/ Diku të isha/ midis xhunglës së ditëve/pa një ditë të caktuar fillimi...”.

Maks Velo u nda nga jeta në 7 maj, por për njerëz si ai, vdekja nuk është kapitulli i fundit. Në 31 gusht do të shënonte 85-vjetorin, por një sëmundje e rëndë në gjak, bëri që ditët e fundit t’i kalonte në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”. Vetmia, e shoqëroi deri në përcjelljen e fundit, ku prej pandemisë, të shumtë qenë miqtë që s’mundën t’i gjendeshin pranë. Poliedriku që la shenjë të pashlyeshme në arkitekturë, pikturë, skulpturë, publicistikë, do t’i mungojë kryeqytetit, vendit. Do të na mungojë të gjithëve zëri kritik i Mkas Velos, që thyente heshtjen tonë, duke mbrojtur interesant e përbashkëta.

“Detyra jonë bëhet nëse ti punon. Unë tërë jetën jam munduar të bëj detyrën time. Do të vdesë i qetë, sepse kam bërë detyrën”, rrëfen Maks Velo për “ReporTV” në korrik të 2018-s, pasi botoi librin me dosjen të Sigurimit të Shtetit.

Guximi, e vërteta, fryma moderniste, u bënë bekim në veprën e tij, duke e shndërruar në të pakohë, e “mallkim” në jetën personale, prej sistemit të egër të diktaturës, që i trembej së bukurës në art. 

“Në fakt, nuk bëja ndonjë gjë të jashtëzakonshme. Për shembull, një herë bleva një pallto amerikane bezhë me xhep edhe rrip, tek valuta. Ajo ishte normale, por problemi është se si e konceptonin këtë. Sot nuk ka asgjë që të më rëndojë mua, që të kërkojë falje. Nuk kam bërë asgjë kundër normave njerëzore edhe evropiane”, vijon Velo.

Ishte viti ’63, kur ai me stolin e famshëm të Parkut të Liqenit shënon skulpturën e parë modern, e mandej projekton godina për të cilat do të flitej gjatë si ajo e ATSH-së në ’71-shin, shkolla “Emin Duraku”, ish-hotel “Arbana”, ish kinema “pionieri në ’73-shin, salla e “Milleniumit” etj., por mbi të gjitha pallati me kuba “Kadare”, që do të ishte si një meteor për jetën e vakët arkitektonike të asaj kohe. Ka edhe të tjera, të cilat nuk u realizuan si projekti modern për ndërtesën e Muzeut Historik Kombëtar, apo që u shkatërruan me urdhër nga lart si dekoracionet e bakrit të rrahur për interierët e hotel “Vollgës”.

“Gjatë gjithë kohës kam tentuar të bëjë një arkitekturë moderne brenda mundësive tona, nuk është se bëja 100 kate. Por kjo nuk pranohej, as kjo nuk pranohej”, thotë Velo.

Fama e Velos, kjo liri artistike mënyrë jetese jashtë skemave të ngurta të atij sistemi, do të zgjonte smirën e kolegëve, deri edhe të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve ku ai qe anëtar.

“Kryesor është Llambi Blido. Atë e dija dhe e kuptova që në hetuesi, edhe se s’kisha dokumentet. Ai jo vetëm që nuk më mbroi, por thoshteë gënjeshtra. Gënjenin, që të bëheshin të nevojshëm për sigurimin e Shtetit. Unë nuk mund të dyshoja, se unë nuk bëja vet asgjë. Të gjithë këta që më spiunonin nuk më flisnin pasi dola nga burgu. Për shembull Llambi Blido, Zef Shoshi nuk mw folwn, ndërsa me Safo Markon fola”, rrëfen më tej artisti.

Në vitin 1978 dënohet, sepse vepra e tij “inspirohej nga Modigliani, Braque dhe Picasso, duke iu kundërvënë metodës së realizmit socialist”. 249 vepra arti i digjet, një akt i paprecedentë as në sistemet më të egra.
“Një shtet tjetër do të vepronte ndryshe. Edhe kanë vepruar ndryshe. Për shembull, mua më kanë djegur 250 punë dhe nuk më kanë paguar pwr asnjë. Ndërsa, ligji është që duhet të më kopmesionin”, shprehet piktori.

Asokohe ishte 43-vjeç dhe shqetësimi më i madh mbetej familja, që s’do lihej e përjashtuar nga mënjanimi i jetës sociale, përndjekjet, sulmet e goditjet e njëpasnjëshme.
“U zura dy herë në Spaç, njwherw me një shokun e krevatit dhe njwherw me një shok nga Kukësi, që donte të më vriste. Agjentët erdhën që të më rekrutojnë disa herë kur isha në burg. Unë nuk pranova. Pranova të shkoj punëtor për tërë jetën, por mos të bëhem bashkëpunëtor i Sigurimit. Unë insistoj që të shpreh idetë e mia, por është jashtë karakterit tim s’kam dal, që t’i bëja keq dikujt”.

10 vite në burg për idetë, për artin, 10 vite të gjata meditimi për fatin e familjes, dhe të veprave që s’do ktheheshin më pas.

“Kjo është ajo që mua më rëndon më shumë, pasi as vrava, as spiunova, as përdhunova njeri. Vetëm se kam vizatuar edhe kjo ishte një gjë normale. Por mënyra se si u hakmorën ndaj familjes ishte e tmerrshme. Kjo më rëndon akoma, sepse ata vuajtën të gjithë. Meraku im në Spaç nuk ishte që unë po vuaja, por se si vuanin babai, motrat, vëllai dhe nëna. Kam një motër, Rozën, që ka frikë akoma. Nuk del nga shtëpia. Nuk do të shikojë askënd. Na bënte mbledhje lagia sikur të ishim çifutë, pa pasur asnjë arsye. Motra tjetër, Diana atë ditë që unë u arrestova shkoi në psikiatri. Nuk janë gjëra të vogla. Ishte tmerr, sepse e gjithë familja u shpall armik edhe ato të dyja mbetën prej meje pa martuar. Është shumë e rëndë dhe shumë e trishtuar historia e martesës sime, edhe e fëmijës. Unë që 1 vjeç nuk e kam takuar asnjëherë”, rrëfen mes dhimbjes Maks Velo.  

Do të lirohej nga burgu në vitin 1986, por dhimbja e atyre viteve do ta ndiqte edhe në post-diktaturë, egërsinë e atij sistemi do ta shkarkonte në piktura, dhe vëllime me tregime si “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, i veprës autobiografike “Kohë antishenjë”, i shënimeve për arkitekturën “Paralele për arkitekturën”, i albumit “Jeta ime në figura”, “Grafika të realizmit socialist” etj.

“Punoj shumë, nëse nuk punoj duhet të marrë fund, të vdes. E vetmja gjë që më mban është puna”.

Pas ’90-ës,  për të gjitha këto krime që i rënduan në mënyrën më makabre atij, dy motrave e vëllait, të gjithë familjes askush s’do të kërkonte falje.

“Ajo që është me rëndësi edhe që ne nuk e përballojmë dot është kërkimi i faljes. Asnjë nga këta nuk ka kërkuar falje. Kjo është shumë e rëndë. Ata vazhdojnë me të keqen. Gjithë kohës nuk më dhanë studio, punoj aty ku jetoj, tërë jetën. Më konsideronin diversant të artit, sepse nuk arrinin dot në përmasat. Artistët tanë ndahen në dy grupe, ata që ekspozojnë tek muzeu edhe të rinjtë që kopjojnë nga modele që marrin jashtë. Arti i vërtetë kërkon diçka tënden, edhe unë jam munduar të bëj këtë gjë, të jap diçka personale. Edhe këtë e kam arritur duke marrë primitivitetin shqiptar edhe duke bërë me të art modern”, shpjegon Velo.

Kohë e përgjumur opiumi/ harruar shkretëtirave/ në kokë mban qefinin/si shenjë dallimi./Pas një gjumi shekujsh/u zgjua./Pa që koha tjetër/kish shkuar përpara./Ajo rrinte zgjuar./Atëherë,/vendosi /të vetëvritet/me qëllimin e vetëm/të vrasë dhe kohën tjetër/mundësisht tërë kohët.

Zhgënjimi në post demokraci ndihej në fjalët e tij, jo vetëm për jetën e tij personale, por për fatin e artit fasadë, e arkitekturës së zhvlerësuar.

“Politikanët i detyruan arkitektët që tua shesin profesionin, edhe sot udhëheqin politikanët, ata i marrin tërë vendimet”, përfundon arkitekti Maks Velo në intervistën e realizuar një vit më parë gjatë vlerësimit me titullin “Mjeshtër i madh” në arkitekturë, nga Shoqata e Arkitektëve Shqiptarë.

Jeta fizike e Maks Velos u ndal, në 7 maj të 2020-s. Këtij qyteti do t’i mungojë zëri i tij, vizioni përtej personales, dijet e tij, këshillat që shpesh ranë edhe në vesh të shurdhër. Edhe sa do të duhet që këtij vendi t’i vijnë të tilla personalitete? Vite, një shekull, më shumë? E megjithatë, shumëkush sot ndihet sa i trishtuar largimin e tij dhe krenar, që mund të thotë: Jetova në kohën e Maks Velos!

Çdo kohe i ikën koha,/ asaj që iku, /kësaj, që jemi tani, /dhe asaj që do të vijë./Çdo kohë e tashme /bëhet kohë e shkuar. Kohë që nuk ikën/ është ajo që respekton/ kohën që iku./Nuk prish asgjë/ nuk falsifikon asgjë /nuk harron asgjë. Kështu e bën veten të jetë /kohë pritëse /e asaj që do të vijë.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Fatosi: 10/05/2020 22:14

    SI MUND TE DENOHEJ KY NJERI I MIRE,, I NDERSHEM DHE PROFESIONIST,,,pa bere asnje gje,,,KJO PASKA QENE DIKTATURA ME E POSHTER NE BOTE,,,TI KRIJOSH NJE VUAJTJE TE TLLE NJE ARTISTI TE MADH ,,DHE JO VETEM MAKSIT POR QINDRA INTELEKTUALEVE TE TJERE,,POR DHE TI SHKATARROSH JETEN FAMILJEN MAKS VELOS,,DIKUSH DUHEJ TE KISHTE MBAJTUR PERGJEGJSI,,,DIKUSH DUHEJ TE DENOHEJ PER KETO KRIME NDAJ INTELIGJENCES TONE TE MREKULLUESHME,,,ZOTI I SHIKON TE GJITHA DHE DO MARRI HAK PER KRIMET E DIKTATURES...

    Përgjigju
    • Taulant: 11/05/2020 08:50

      Gramoz Ruci me shoke ja ka bere. Bashke me Xhafen

  • Sondazhi i ditës:
    14 Dhjetor, 13:13

    Berisha boton foton e gruas së Dumanit duke i rrezikuar jetën! Si e gjykoni?



×

Lajmi i fundit

Premier League/ Armando Broja protagonist në Londër, Everton barazon me Arsenalin! Liverpool ngec 2-2 në 'Anfield', fiton Newcastle

Premier League/ Armando Broja protagonist në Londër, Everton barazon me Arsenalin! Liverpool ngec 2-2 në 'Anfield', fiton Newcastle