UEFA ka vendosur që të mos ndëshkojnë asnjë prej 12 klubeve që krijuan Superligën europiane, të paktën për momentin. Komiteti Ekzekutiv i mbledhur në video-konferencë nuk morri sanksione të menjëhershme por i shtyu ato në kohë. Gjithsesi irritimi nuk është fshehur pasi në komunikatë flitej për të ashtuquajturën Superligë.
Në këtë mënyrë nuk ka asnjë përjashtim për Real Madrid, Chelsean dhe Manchester Cityn dhe gjysmëfinalet e Champions do të luhen rregullisht. Uefa nuk morri vendime të nxituara pasi po shqyrton edhe aspektin ligjor.
Në mendjen e dy themeluesve Florentino Perez dhe Andrea Agnelli projekti nuk ka "perënduar" por sot morri edhe një tjetër goditje kur banka amerikane JP Morgan u tërhoq nga investimi i Superligës europiane. Sa i përket formatit të ri të Champions me 36 skuadra nuk përjashtohet mundësia që të zbatohet më shpejt që nga viti 2022 e jo në 2024 siç është planifikuar.
Në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të Uefas u fol edhe për Euro 2020 ku lajme të mira erdhën nga Mynihu që ndeshjet do i presë në praninë e 14 500 tifozëve. Bilbao dhe Dublini për shkak se nuk mund të hapnin dyert e stadiumeve për tifozët janë zëvendësuar. Ndeshje të Europianit do luhen në Seville që zëvendëson Bilbaon ndërsa ndeshjet e planifikuara për në Dublin do luhen në Shën Petërburg dhe Londër që janë seli të konfirmuara nga Uefa.