Përplasja mes UEFA-s dhe FIFA-s ka hyrë në një fazë të re, pasi qeveria e futbollit evropian po shqyrton seriozisht ndërmarrjen e veprimeve ligjore ndaj FIFA-s dhe presidentit të saj, Gianni Infantino, lidhur me planin tashmë të braktisur për privatizimin e një pjese të të drejtave komerciale të Kupës së Botës (20%).

Sipas mediave britanike, UEFA i ka dërguar një letër zyrtare Infantinos, duke e njoftuar se po vlerëson ngritjen e një padie, arbitrazhi ose ankese rregullatore për projektin që parashikonte përfshirjen e investitorëve privatë në të ardhurat komerciale të turneut më prestigjioz të futbollit.

Projekti i propozuar nga Infantino hasi në kundërshtim të fortë nga UEFA, konfederatat e tjera dhe sponsorët kryesorë të FIFA-s, duke bërë që institucioni botëror i futbollit të tërhiqej nga iniciativa.

Në letrën e saj, UEFA kërkon që FIFA dhe Gianni Infantino të ruajnë të gjitha dokumentet dhe të dhënat elektronike që lidhen me këtë projekt, duke paralajmëruar se çdo fshirje ose shkatërrim i provave mund të sjellë pasoja ligjore.

Gjithashtu, procedurat e mundshme ligjore mund të përfshijnë edhe investitorë dhe institucione financiare të përfshira në projekt, si Joshua Kushner, Greg Maffei, JP Morgan dhe OpenEconomics, të cilëve u është kërkuar të ruajnë të gjithë dokumentacionin përkatës.

Marrëdhëniet mes presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin, dhe homologut të tij në FIFA, Gianni Infantino, kanë qenë të tensionuara prej kohësh, ndërsa kjo çështje ka thelluar edhe më shumë konfliktin mes dy organizatave.

UEFA kishte paralajmëruar se federatat e saj anëtare mund të bojkotonin Kupën e Botës në rast se projekti do të miratohej. Edhe pse FIFA ka hequr dorë nga plani, UEFA nuk përjashton ndjekjen e rrugës ligjore dhe i ka lënë Infantinos afat prej pesë ditësh pune për të konfirmuar se do të ruajë të gjitha provat dhe dokumentet që lidhen me këtë çështje.

Ndërkohë, Federata e Futbollit e Finlandës, ajo e Anglisë (FA) dhe Uellsit kanë tërhequr zyrtarisht mbështetjen që Gianni Infantino të marrë edhe një mandat të katërt në krye të FIFA-s.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:17
Pesë emrat që mund të pasojnë Gianni Infantinon në krye të FIFA-s

1785763130_gianniinfantino.jpg

E ardhmja e Gianni Infantinos në krye të FIFA-s është vënë në diskutim pas polemikave të fundit që përfshinë organin më të lartë të futbollit botëror. Debati u ndez pas një propozimi, tashmë të tërhequr, për shitjen e aksioneve te privati të pakicës në një entitet të ri komercial të lidhur me Kupën e Botës dhe kompeticionet e tjera të FIFA-s.

Infantino e kishte prezantuar projektin si një mënyrë për të rritur të ardhurat dhe për të financuar zhvillimin e futbollit në nivel global. Megjithatë, nisma hasi në kundërshtime të forta nga institucionet më të rëndësishme të futbollit. UEFA e kritikoi publikisht planin, ndërsa edhe CONCACAF dhe konfederata të tjera shprehën shqetësime për mungesën e transparencës dhe mënyrën e qeverisjes.

Pas presionit të madh, FIFA vendosi ta tërhiqte projektin, duke shtuar zërat se pozicioni i Infantinos mund të vihet në diskutim përpara zgjedhjeve të ardhshme presidenciale. Edhe pse nuk ka ende kandidatura zyrtare, në qarqet e futbollit po qarkullojnë pesë emra si pasues të mundshëm të presidentit aktual.

Arsene Wenger

Aktualisht drejtor për zhvillimin global të futbollit në FIFA, ish-trajneri legjendar i Arsenalit gëzon respekt të madh ndërkombëtar. Përvoja e tij në futboll është e padiskutueshme, por sfida kryesore mbetet sigurimi i mbështetjes politike nga konfederatat.

Nasser Al-Khelaifi

Presidenti i Paris Saint Germain dhe një nga figurat më me ndikim në futbollin evropian përmendet gjithashtu si kandidat potencial. Megjithatë, lidhjet e tij me një klub elitar mund të hapin debat për konflikt interesi.

Salman bin Ibrahim Al Khalifa

Presidenti i Konfederatës Aziatike të Futbollit është një emër i njohur në politikën e futbollit botëror. Ai kandidoi edhe në zgjedhjet e vitit 2016 kundër Infantinos dhe mbështetja e federatave aziatike mund ta bëjë sërish një kandidat të fortë.

Victor Montagliani

Presidenti i CONCACAF konsiderohet një figurë me ndikim të madh në prapaskenë. Përvoja në drejtimin e konfederatës dhe marrëdhëniet e mira brenda strukturave të FIFA-s e vendosin atë mes emrave seriozë për postin më të lartë.

Aleksander Ceferin

Sipas shumë analistëve dhe medieve sportive, presidenti i UEFA-s mbetet kandidati më i fortë. Autoriteti i tij në futbollin evropian, përvoja në drejtimin e UEFA-s dhe raportet shpesh të tensionuara me Infantinon e bëjnë emrin që përmendet më shpesh si pasues i mundshëm në krye të FIFA-s.

Për momentin, Gianni Infantino vazhdon të mbajë postin e presidentit të FIFA-s dhe nuk ka dhënë asnjë sinjal për largim. Megjithatë, polemikat e fundit kanë hapur një debat të ri për të ardhmen e drejtimit të futbollit botëror, ndërsa zgjedhjet e ardhshme presidenciale pritet të jenë ndër më të rëndësishmet e viteve të fundit.

Ora 12:13
Federata Angleze tërheq mbështetjen për Infantinon, shtohet presioni ndaj presidentit të FIFA-s

1785752062_gianniinfantino.JPG

Federata Angleze e Futbollit (FA) do të tërheqë zyrtarisht mbështetjen për rizgjedhjen e Gianni Infantinos në krye të FIFA-s, duke shtuar presionin ndaj presidentit, i cili po përballet me një krizë të thellë besimi brenda futbollit ndërkombëtar.

Sipas raportimeve, FA do t'i dërgojë një letër zyrtare FIFA-s për ta njoftuar se nuk e mbështet më kandidaturën e Infantinos për një mandat të katërt, ndonëse më parë kishte shprehur mbështetjen e saj.

Ky vendim vjen pasi Federata Uellsiane e Futbollit tërhoqi mbështetjen për Infantinon, ndërsa pritet që edhe federata të tjera evropiane të ndjekin të njëjtën rrugë, në përpjekje për ta detyruar presidentin e FIFA-s të japë dorëheqjen.

Javën e kaluar, Federata Finlandeze e Futbollit u bë vendi i parë që tërhoqi zyrtarisht mbështetjen për Infantinon.

Sipas gazetës The Guardian, federatat anëtare të UEFA-s po përgatitin një tërheqje masive të letrave të mbështetjes për presidentin e FIFA-s. Deri para zbulimit të planit të tij për t'u shitur investitorëve privatë një pjesë e të drejtave tregtare të Kupës së Botës, 50 nga 55 federatat evropiane kishin konfirmuar mbështetjen për të.

Federata Angleze kishte qenë deri tani një nga mbështetëset e Infantinos. Nëse ai mbetet në detyrë, do të drejtojë Kongresin e Jashtëzakonshëm të FIFA-s në muajin nëntor, ku pritet të konfirmohet organizimi i Kupës së Botës për Femra 2035 në Mbretërinë e Bashkuar.

Megjithatë, FA ka qenë vazhdimisht kritike ndaj projektit të dështuar FIFA Forward Enterprise, si në deklaratat publike ashtu edhe në komunikimet private me FIFA-n.

Të shtunën, Federata Angleze kërkoi një "rishikim të plotë dhe të thelluar të drejtimit dhe qeverisjes së FIFA-s", ndërsa vendimi për të tërhequr mbështetjen për Infantinon konsiderohet një përshkallëzim i mëtejshëm i qëndrimit të saj.

Edhe pse FA ka vendosur të veprojë me vendosmëri, nuk pritet ta bëjë publike letrën e tërheqjes së mbështetjes. Sipas burimeve, kjo lidhet me bindjen se nisma për largimin e Infantinos duhet të marrë mbështetje edhe jashtë Evropës.

Ndërsa krijimi i një fronti të bashkuar evropian duket i realizueshëm, e ardhmja e Infantinos mund të varet nga qëndrimi që do të mbajnë federatat e Konfederatës Aziatike të Futbollit (AFC) dhe të Concacaf, ku opinionet për drejtimin e tij mbeten më të ndara.

Ora 10:31
Infantino humb besimin e evropianëve, Uellsi bëhet federata e parë që tërheq zyrtarisht mbështetjen për presidentin e FIFA-s

1785746032_gianniinfantino.jpg

Federata Uellsiane e Futbollit (FAW) është bërë organizata e parë kombëtare që ka tërhequr zyrtarisht mbështetjen për presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.

Sipas një raportimi të Sky News, FAW i ka dërguar një letër zyrtare FIFA-s, në të cilën shpreh humbjen e besimit ndaj Infantinos pas polemikave të fundit lidhur me planin për përfshirjen e investitorëve privatë në të drejtat tregtare të Kupës së Botës.

Në deklaratën e federatës thuhet se "dështimet në qeverisje, procedura, lidershipi, vlerat, menaxhimin e palëve të interesuara, komunikimi dhe gjykimi" kanë bërë që Gianni Infantino të humbasë besimin e Federatës Uellsiane për të vazhduar në krye të futbollit botëror.

"Pamundësia për të vendosur interesin e futbollit mbi çdo gjë tjetër është një dështim që nuk mund ta pranojmë", thuhet më tej në reagimin e FAW.

Javën e kaluar, Infantino u detyrua të tërhiqej nga plani për t'u shitur investitorëve privatë një pjesë e të drejtave tregtare të Kupës së Botës, pasi projekti hasi në kundërshtim të fortë nga federatat evropiane.

Të 55 federatat anëtare të UEFA-s ranë dakord të bojkotonin aktivitetet e FIFA-s në shenjë proteste, duke e detyruar presidentin e organizatës të tërhiqej nga iniciativa.