Ideja e presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për shitjen e kuotave të Botërorit te investitorë privatë ka shkaktuar reagime të forta në botën e futbollit, duke hapur një debat të gjerë mbi të ardhmen e kompeticionit më të rëndësishëm për kombëtaret.
UEFA ka dalë hapur kundër këtij projekti, ndërsa sipas raportimeve të fundit po shqyrton mundësinë e mbështetjes së një kandidati alternativ për zgjedhjet e ardhshme në krye të FIFA-s, me synimin për të sfiduar Infantinon.
Emri që po qarkullon më shumë është ai i Nasser Al-Khelaifit, presidentit të Paris Saint Germain. 52-vjeçari konsiderohet një figurë me mbështetje të gjerë në futbollin evropian, megjithëse deri më tani nuk është shprehur i gatshëm të hyjë në garën për postin më të lartë të futbollit botëror.
Tashmë mbetet të shihet nëse presioni dhe kundërshtimet e forta do ta detyrojnë Infantinon të rishqyrtojë projektin e tij, apo presidenti i FIFA-s do të vazhdojë të shtyjë përpara planin që ka ndezur polemika në arenën ndërkombëtare.
Infantino favorit në zgjedhjet e vitit 2027 - Me apo pa presion evropian, Gianni Infantino mbetet favoriti për të fituar një tjetër mandat në zgjedhjet e marsit 2027. Ai ka kaluar rreth 10 vjet në krye të FIFA-s. Gjatë dy mandateve të tij, presidenti zviceran i ka rritur ndjeshëm të ardhurat e FIFA-s. Kjo i ka lejuar organit drejtues t'u japë më shumë para federatave kombëtare, duke i siguruar atij mbështetje të gjerë midis një numri të madh anëtarësh të federatës ndërkombëtare.
Lajmi kryesor:
'Privatizimi' i Kupës së Botës, Infantino mbron planin me investitorët: Kjo është një mundësi që vjen vetëm një herë në jetë







