Finalja e Champions League për sezonin 2029-30 do të luhet në Abu Dhabi si pjesë e kontratës së re gjashtë vjeçare të UEFA-s me vlerë 2.2 miliardë euro, shkruan OK Diario në Spanjë.
Kjo marrëveshje me Emiratet është një përgjigje ndaj vendimit të gjykatës lidhur me projektin e Superligës, i cili pritet së shpejti në Luksemburg dhe do të jetë i vlefshëm nga sezoni i ardhshëm.
“UEFA e di se më 21 dhjetor mund të humbasë padinë në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian në lidhje me Superligën dhe ra dakord me Abu Dhabin për të sponsorizuar Ligën e Kampionëve. Ata duan ta bëjnë atë më tërheqëse për klubet dhe të shmangin dezertimin nga Liga e Kampionëve te Superliga”, tha Eduardo Inda në emisionin El Chiringuito de Jugones.
Vendimi duhet të zyrtarizohet në mbledhjen e radhës së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Paris më 7 shkurt, përpara shortit për edicionin e katërt të Ligës së Kombeve.
Njeriu kryesor për ekzekutimin e projektit nga ana e UEFA-s është zëvendës sekretari i përgjithshëm Giorgio Marchetti, i cili konsultohet me Komitetin Ekzekutiv për të siguruar që gjithçka të shkojë mirë. Sipas mediave spanjolle, UEFA do të shesë të drejtat për të gjitha garat e UEFA-s, duke përfshirë femrat dhe futsalin, në Lindjen e Mesme.