Uithers: S’pati drejtësi për Gërdecin!

Në një intervistë për VOA, pak javë më pare ish-ambasadori amerikan, Uidhërs, duke folur për Gërdecin ishte shprehur se nuk pati drejtësi për viktimat dhe nuk u ndëshkuan fajtorët. Mendoj se ai incident ishte një pikë kthese për këtë qeveri, sepse deri atëherë, ndoshta ngaqë anëtarësimi në NATO nuk kishte marrë fund, por deri atëherë qëndrimi i qeverisë ndaj institucioneve, veçanërisht atij të drejtësisë, kishte qenë shumë më pozitiv. Menjëherë pasi ndodhën shpërthimet e Gërdecit, qeveria ndryshoi qëndrim. Sulmet ndaj gjykatave, ndaj prokurorëve, kundër medias u bënë dominuese dhe për një person si unë, që nuk isha mësuar me një gjë të tillë, të pamundura për ta kuptuar. Letrat që Kryetarja e Parlamentit i dërgonte Prokurores së Përgjithshme, shkelnin në mënyrë flagrante kufirin mes dy pushteteve: atij legjislativ dhe gjyqësor, që në thelb, ishte një përpjekje për të imponuar se ç’duhet të bënte prokuroria. Sulme si ato ndaj Prokurores së Përgjithshme nuk i kisha parë kurrë. Dhe që nga ai moment përpjekjet për të kontrolluar se kush do të bëhej anëtar i gjykatës së lartë, sulmet ndaj asaj pjese të medias që thjesht po përpiqej të bënte punën e vet për të zbuluar se çfarë kishte ndodhur. Pastaj ishte situata e pazakontë që ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, për të cilin u gjykua që duhet të linte postin, u risoll në qeveri me një portofol tjetër. Pra përsëri mendja të shkon që këto veprime bien ndesh me mënyrën sesi funksionon demokracia. Po pse duhet ta bëjë një qeveri një gjë të tillë, pse nuk duhet të jetë organizmi kryesor, që të jetë i interesuar të zbulojë se çfarë ndodhi. Ne të gjithë pamë me tmerr pamjet, ambulancat, njerëzit, të mbuluar me gjak, të rinj, të moshuar u transportuan në spital, me ato plagë të tmerrshme dhe të gjithë shtruan pyetjes: Si ka mundësi që të ndodhë një gjë e tillë? Por në vend që të fillonte një përpjekje të pareshtur për të zbuluar të vërtetën, qeveria u kthye kundër institucioneve që kishin detyrën të zbulonin të vërtetën. Kur vizitova Gërdecin, unë takova një grua që mbante një varëse me një medalion ku kishte vënë fotografinë e të birit që kishte humbur jetën nga shpërthimi dhe më tha: “Zoti Ambasador, a do ta shoh drejtësinë të vënë në vend?” Dhe unë i detyrohem asaj një ndjesë të thellë dhe nëse do të mund ta takoja, do t’i kërkoja falje sepse unë i thashë: “Po, drejtësia do të vihet në vend”. Por kaq vjet më pas, nuk ka pasur drejtësi për këtë zonjë, apo për të tjerët që u dëmtuan, apo u plagosën dhe kjo është diçka shumë e trishtueshme. Më vjen keq që i premtova një gjë të tillë. Kisha më shumë besim tek qeveria dhe institucionet, sesa ishte e justifikueshme.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike